Seminari i Kulturës Shqiptare mbledh botën e albanologjisë në Prishtinë
21 Gusht 2024
Me ceremoninë në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ka nisur edicioni i sivjetmë i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Për 12 ditë, ngjarja që sivjet shënon jubileun e 50-vjetorit të themelimit mbledh figura të shquara të fushës së albanologjisë nga e gjithë bota. Fjalimet e ceremonisë hapëse qenë retrospektivë e filleve të Seminarit, kontributit të nismëtarëve të tij e veprimtarisë, përkundër rrethanave të vështira politike
Për afro dy javë, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare synon ta bëjë Prishtinën qendër të studimeve albanologjike në botë. Figura të shquara të kësaj fushe i janë përgjigjur ftesës së ngjarjes që sivjet shënon jubileun e gjysmëshekullit të themelimit.
Maratonës së programit me ligjërata, tryeza, kurse të gjuhës, prezantime të kumtesave, orë letrare e koncerte i është “prerë shiriti” me ceremoninë e hapjes në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Kryetari i këtij institucioni, Mehmet Kraja, duke u kthyer 50 vjet pas në fillet e Seminarit, ka thënë se ngjarja shihej si nxitëse e nacionalizmit shqiptar në sytë e Serbisë.
“Pas vitit 1981, Seminari u sulmua pikërisht si nxitës i nacionalizmit, në një kohë kur ai mbeti simbol i një Kosove identitare, i shkencës dhe i dijes”, ka thënë akademik Kraja.
Ka thënë se kritika për Seminarin kishte edhe nga Tiranë, pasi shihej si tendencë për t’ia marrë prestigjin e qendrës botërore të albanologjisë.
“Nga dokumentet e deklasifikuara së fundi del se edhe Tirana e shikonte Seminarin jo vetëm me skepticizëm, por nuk ngurroi ta quante edhe tendencë për t’ia marrë Shqipërisë prestigjin e qendrës botërore të albanologjisë dhe si synim i hapur për ta thelluar më tej bllokadën imperialiste revizioniste. Vitet kaluan dhe Seminari përjetoi po ato ngritje dhe rënie që kaloi edhe Kosova, Universiteti, Akademia dhe institucione të tjera arsimore e shkencore”, ka thënë Kraja.
Seminari nisi më 1974 nga akademiku i ndjerë, Idriz Ajeti, me emërtimin “Qendra e Kulturës Shqiptare”. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e ka konsideruar zgjerimin e programit të Seminarit si testament të rrugëtimit të vështirë ndër vite.
“Tash për 50 vjet dhe 42 edicione, Seminari vazhdimisht ka afirmuar gjuhën shqipe, detyrë dhe rol i domosdoshëm e kontribut i pashlyeshëm i shumë brezave. I nisur me nisma si ‘Hartimi i tekstit të mësimit të gjuhës shqipe për të huaj’, sot ky Seminar nën ombrellën e tij harton jo vetëm gjuhën shqipe, por edhe letërsinë dhe gjithë kulturën shqiptare”, ka thënë ministri Çeku, derisa ka përmendur periudhën e vështirë nëpër të cilën kalonte Seminari. “Në vitin 1981 u pamundësua mbajtja e Seminarit për shkak të përgjigjeve të regjimit serb ndaj demonstratave të atij viti. Më 1995 dhe 1996, Seminari u detyrua të bartej si organizim në Tiranë. Pas përfundimit të luftës u kthye përfundimisht në Prishtinë”, ka thënë Çeku në fjalën e tij.
Drejtori i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Bardh Rugova, derisa ka kujtuar nismëtarët e ngjarjes e ka konsideruar atë si monument të kulturës shqiptare.
“Idriz Ajeti, në atë kohë edhe rektor dhe drejtor i parë si dhe Rexhep Ismajli, sekretar i parë, kishin vënë themelet e këtij monumenti të kulturës shqiptare, monument që e bën Prishtinën qendër të botës, bile për nja dy javë”, ka thënë profesori Rugova.
Ka thënë se përkundër detyrimit për t’iu ndërruar emri ngjarjes, ajo prapë se prapë mbetet qendër dhe institucioni më jetëgjatë kulturor në vend.
“Në Tiranë kishin vërejtje që Prishtina të jetë qendër për mësimin e shqipes. Në Beograd kishin vërejtje që Prishtina të jetë qendër për çfarëdo qoftë. Së këndejmi, u bë ndërrimi i detyrueshëm dhe emri që e kemi tash – Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, por qendra nuk u hoq asnjëherë. Kushdo që ka dilemë, le të shikojë përreth. Ja ku jemi, mu në qendër, në institucionin ndërkombëtar më jetëgjatë kulturor që ka prodhuar ky vend ndonjëherë”, ka thënë Rugova.
Bashkëdrejtori i Seminarit, Shezai Rrokaj, e ka vlerësuar ngjarjen si tempull të dijes kombëtare dhe thesar të çmuar të trevave shqiptare.
“Ky Seminar është padyshim shenjë e identitetit gjithëkombëtar, që ruan traditat e vetëdijen gjithëshqiptare, e cila është shndërruar në monument kujtese për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë. Është çasti për të vlerësuar e nderuar si dhe për të shprehur mirënjohjen institucionale edhe një herë korifenjve tanë të shumë në numër nga të gjitha trevat shqipfolëse, albanologë nga vende të ndryshme, të cilët me përkushtim shkencor dhanë modelin më të mirë të mbajtjes ndezur të këtij pishtari që nuk u shuan edhe kur erërat e stuhitë antishqiptare rrahën pa mëshirë për ta asgjësuar”, ka thënë Rrokaj.
Sipas tij, “dashuria për gjuhën, letërsinë e kulturën u kthyen në kështjellë qëndrese të dijës dhe vetëdijes kombëtare si dhe frymëzuan rezistencën e armatosur për liri”.
E rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, i është referuar si traditë që i jep trajtë identitetit kombëtar dhe e bën më të qartë vizionin për të ardhmen e botës akademike shqiptare.
“Një medium i përvitshëm zhvillimesh, risish, debatesh shkencore në fushën e gjuhës, letërsisë e kulturës sonë të pasur e të dashur. Një organizim universitar që bën bashkë prurjet shkencore dhe mësimet për gjuhën shqipe duke na krenuar secilën herë për numrin e të rinjve e të rejave që për dy javë zgjedhin të mësojnë gjuhën shqipe në Universitetin e Prishtinës”, ka thënë rektori Qerimi.
Sekretarja e Seminarit, Jeta Abazi-Gashi, ka thënë se pesë dekadat e Seminarit janë trashëgimi e arritjeve të mjeshtërve të shquar të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.
“Ky jubile është rast i shkëlqyer për të nderuar kontributin e jashtëzakonshëm të themeluesve të këtij Seminari dhe për të festuar arritjet e këtij institucioni e kësaj konference shkencore”, ka thënë Abazi-Gashi.
Ceremonia nisi me himnin e Republikës së Kosovës ndërsa pianistja Lule Elezi luajti veprën “Impresione dardane” të akademikut e kompozitorit Rauf Dhomi si dhe dy pjesë të tjera nga repertori botëror i muzikës klasike.
Organizatorët kanë paralajmëruar se edicioni i sivjetmë, i 42-ti me radhë, do të jetë prej më të pasurve që është mbajtur ndonjëherë. Deri më 30 gusht pret rreth 300 pjesëmarrës.
Gazeta Koha, Prishtinë.