Sëmundja sipas stadeve dhe ilaçet për pacientët me Covid. – Ja sa do jetë vlera që do të rimbursohet
Sëmundja sipas stadeve dhe ilaçet për pacientët me Covid. – Ja sa do jetë vlera që do të rimbursohet
19 nentor 2020
NgaAda Hazizolli
Çdo pacient i infektuar me COVID-19 që ndiqet në banesë do të ketë mundësi që ilaçet t’i marrë me rimbursim.
Pas vendimit për të adresuar 12 milionë dollarë, qeveria ka miratuar edhe vlerën që do të shkojë për çdo pacient që është në stadin e parë apo të dytë të sëmundjes bazuar në udhëzimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
“Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 1 të trajtimit (forma e lehtë) do të jetë jo më shumë se 1 650 lekë. Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 2 të trajtimit (forma e mesme) do të jetë jo më shumë se 10 900 lekë”, thuhet në vendimin e miratuar në mbledhjen e djeshme të qeverisë.
Ndryshe nga ç’ pritej, nuk ka një listë me medikamente që do të rimbursohen, por një vlerë tavan që do t’ju zbritet qytetarëve në momentin që shkojnë në farmaci për të blerë ilaçet.
SKEMA
Kështu për pacientët me simptoma të lehta, si lodhje, temperaturë jo e lartë (deri në 38 gradë C) kollë të thatë apo dhimbje fyti, bllokim i hundëve vlera që do të mbulohet nga buxheti i shtetit do të jetë jo më shumë se 1650 lekë.
Kjo pasi në këto raste, pra kur infeksioni nuk jep komplikacione, por vetëm disa simptoma të lehta edhe trajtimi është me vitamina, lëngje, shurup për kollën dhe trisol.
Konkretisht, nëse mjeku përshkruan një recetë me vlerë 2500 lekë, pacienti apo familjari i tij do të paguajë vetëm diferencën, pra 850 lekë, pjesa tjetër do të mbulohet nga buxheti i shtetit. Skema do të jetë e njëjtë me atë të ilaçeve me rimbursim për sëmundje apo kategori të caktuara, siç janë pensionistët.
Çka do të thotë se ekzekutimi i recetës do të bëhet nga farmacisti dhe qytetarët përmes kësaj skeme do të kenë mundësi të paguajnë më pak për ilaçet që do të marrin për trajtimin e simptomave të COVID-19.
STADI II
Skema e mbështetjes financiare është mundësuar dhe pacientët që ndodhen në stadin e dytë të sëmundjes, për të cilët mjekimi është me antibiotikë për pasojë edhe vlera e rimbursimit do të jetë më e lartë, konkretisht deri në 10 900 lekë.
Pacientët të cilët ndodhen në këtë stad të sëmundjes, veç shenjave të përgjithshme: si këputje, temperaturë që zgjat mbi 5 ditë, kollë, mialgji dhe shenja respiratore, të cilat janë më të theksuara se në formën e lehtë, kanë edhe pneumoni, kjo e fundit vihet re përmes ekografisë apo skanerit.
“Në rast temperature të zgjatur, toksikozë të shprehur, kollë me sputum e rëndim të frymëmarrjes mund të përdoren për 7 ditë ose ‘azotramicina’ (tabletë 0.5 x1 në ditë) për 3 ditë apo edhe ‘moxifloxacina’ 400 mg x 1 ditë për 5 ditë ose ‘levofloxacina’ 500 mg një tabletë në ditë”, vihet në dukje në udhëzimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Për këta pacientë, që gjenden në këto kushte fatura do të rimbursohet deri në 10 900 lekë.
Në këtë mënyrë, nëse vlera e faturës do të jetë 14 000 lekë, qeveria do të rimbursojë 10 900 lekë, ndërsa qytetari do të paguajë pjesën e mbetur, pra 3100 lekë. Vendimi i qeverisë për të rimbursuar ilaçet për pacientët me COVID-19 që ndiqen në kushte shtëpie, vjen teksa jemi në muajin e 9 të pandemisë.
Kjo skemë nuk ka fuqi prapavepruese, çka nënkupton që personat të cilët e kanë kaluar sëmundjen, nuk do të kompensohen.
Efektet do të nisin menjëherë pas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa recetat do të ekzekutohen nga farmacitë, të cilat kanë kontratë me Fondin e Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor.
Gazeta Panorama