Senatori italian në Teatrin Kombëtar: Godina vlerë e përbashkët, s’duhet shembur. –
Senatori italian në Teatrin Kombëtar: Godina vlerë e përbashkët, s’duhet shembur
29 tetor 2019
ANILA DEDAJ/ Senatori i Italisë, Roberto Rampi, ka vizituar ditën e djeshme Teatrin Kombëtar.
I njohur me qëllimin e qeverisë shqiptare për ta shembur këtë godinë, gjatë këtyre 2 ditëve të qëndrimit në vendin tonë, duket se kauza ka ngjallur shqetësim te politikani italian, i cili siç shprehet prej agores së protestave, menjëherë ka njoftuar për situatën ministrin italian të Kulturës. Sipas tij, për fatin e këtij objekti, pjesë e trashëgimisë së përbashkët, lipsen tryeza të përbashkëta diskutimi.
“Njoftova ministrin italian të Kulturës, do propozoj që të ketë një takim e të punojmë së bashku rreth kësaj”, shprehet Rampi, anëtar i PD-së italiane, duke theksuar se çështja ka ngjallur interes edhe në Itali.
“Të shkatërrosh trashëgiminë kulturore është një mëkat dhe ndonjëherë të ndalesh e të mendosh nuk është një shenjë dobësie, por një shenjë force. Kështu apeli im është: Le të ndalemi ta rimendojmë, ndoshta kësaj here së bashku”, thotë ai. Gjithashtu në profesion gazetar, publicist e filozof, senatori italian u shpreh dje se godina e Teatrit Kombëtar ka vlera të çmuara, ndaj nuk duhet shembur por rinovuar.
“Mendoj se godina e Teatrit Kombëtar Shqiptar është me rëndësi kulturore, artistike dhe arkitekturore. Do të ishte e drejtë që të restaurohet, të rinovohet në shenjë respekti të trashëgimisë kulturore”. Rampi, duke theksuar se çështja e Teatrit duhet biseduar edhe me Qeverinë italiane, nuk përjashton mundësinë që kjo e fundit të kontribuojë për restaurimin e godinës, e cila siç thekson ka një stil të veçantë.
“Unë kam një dashuri të madhe për Shqipërinë. Dua që Shqipëria të jetë sa më parë anëtare e Bashkimit Europian. Kam respekt për arritjet në politikën shqiptare, por duhet të mendojmë së bashku për këtë godinë.
I kam kërkuar edhe qeverisë italiane dhe veçanërisht Ministrisë së Kulturës italiane të kontribuojë për Teatrin Kombëtar shqiptar. Mendoj se duhet një projekt i ri, një projekt ndryshe, që të rinovojë Teatrin, por jo ta shembë”, tha ai.