13 Gusht 2022

Në vitin 2021, sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, Serbia ka eksportuar armë në vlerë prej rreth 500 milionë dollarësh. Kjo paraqet një rritje prej 30 për qind krahasuar me vitin 2020, kur ky shtet eksportoi armë në vlerë prej 384.2 milionë dollarësh.

Në vitin 2020, Serbia kishte eksportuar më së shumti armë në Emiratet e Bashkuara Arabe apo 16 për qind të totalit të eksporteve, pasuar nga Shtetet e Bashkuara me 15 për qind dhe Qiproja me rreth 11 për qind. Kështu thuhet në të dhënat e Ministrisë serbe të Tregtisë, e cila është përgjegjëse për lëshimin e licencave për eksportimin e armëve.

Arma më e kërkuar për shitje është obusi serb “Nora”, pasuar nga sistemi i raketave “Tamnava” dhe makina luftarake “Lazar”.

“Ne shesim armë për të jetuar më mirë, për të pasur paga dhe pensione më të larta”, deklaroi më 21 korrik presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Muajin e kaluar, një avion ukrainas që po transportonte armë serbe për në Bangladesh u rrëzua në Greqi. Pas kësaj ngjarjeje u ngrit sërish pyetja se kush e ndërmjetëson eksportin e armëve serbe dhe ku përfundojnë ato.

Serbia Armë në këmbim të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës?

Në vitin 2018, kryediplomati i atëhershëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, deklaroi se Serbia po u shiste apo po u jepet armë shteteve të caktuara si mjet diplomatik kundër pavarësisë së Kosovës. Pacolli tha se bëhej fjalë veçmas për shtetet afrikane.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i hodhi poshtë pretendimet e Pacollit duke thënë se “ne nuk japim armë”. Ai po ashtu kishte deklaruar se Serbia do të shesë edhe më shumë armë kudo që i lejohet. Vuçiq po ashtu kishte reaguar edhe ndaj akuzave se “pushkë serbe” janë parë në disa vende të diskutueshme.

“Unë kam parë kudo pushkë amerikane, kudo që ka luftë shoh pushkë amerikane, municione çeke”, deklaroi Vuçiq.