Serbia në tavolinë me “aksin e së keqes”, Vuçiç i lutet Rusisë, Kinës dhe Iranit për luftën ndaj Kosovës
26 Shtator 2024
Pasi foli në podiumin e Kombeve të Bashkuara për fundin e botës, apokalipsin bërthamor dhe synimet kundër Kosovës, zgjodhi të ulet në tavolinë me atë që konsiderohet si “aksi i së keqes”.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, u takua me ministrin e jashtëm të Kinës, Wang Yi, të cilit i foli për planin e tij kundër Kosovës, duke shpërndarë propagandën për një kërcënim që i bëhet mbijetesës së serbëve.
“Kërkova mbështetjen e Kinës në luftën për të vërtetën dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare”, njofton Vuçiç në një deklaratë. Nga ana tjetër, ministri Wang Yi thekson se Kina mbështet Serbinë në përpjekjet e saj kundër Kosovës.
“Për çështjen e Kosovës, Kina mbështet fuqishëm Serbinë në ruajtjen e sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial, mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të saj legjitime dhe kundërshton standardet e dyfishta të disa vendeve për sovranitetin territorial”, tha WANG YI, MINISTËR I JASHTËM I KINËS.
Presidenti serb është takuar në ndërtesën e Kombeve të Bashkuara dhe me homologun e tij Iranian, Masoud Pezeshkian. Një zhvillim që vetëm sa shton dyshimet e ngritur kohëve të fundit se Beogradi ka porositur nga Teherani me mijëra dronë kamikazë Shahed.
“Temë e veçantë e bisedës ishte gjendja e rëndë e popullit serb në Kosovë”, njofton Vuçiç duke e falenderuar presidentin Iranian që nuk e kanë njohur Kosovën.
Më herët, në një shuplakë diplomatike për të gjitha vendet perëndimore që përkëdhelin Serbinë, presidenti Vuçiç dekoroi me Urdhrin e flamurit serb të shkallës së pare, Përfaqësuesin e Përhershëm të Federatës Ruse në Kombet e Bashkuara, Vasilij Nebenzja. Në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Vuçiç është takuar dhe më ndërmjetësuesin europian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak. Siç thotë presidenti serb, e njohu zyrtarin e Brukselit me paketën e masave për mbrojtjen e serbëve në Kosovë. (A2 Televizion)