“Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë”. Ministri serb: – Europa është thjeshtë një grupim territoresh, jo një grupim shtetesh
28 Maj 2022
Serbia është një nga shtetet e vetme që nuk ka ndërmarrë ende sanksione ndaj Rusisë pas nisjes së agresionit në Ukrainë.
Me sa duket një qëndrim të tillë shteti serb do të vijojë ta mbajë pavarësisht paralajmërimeve nga Perëndimi për të kundërtën.
Ministri i Brendshëm serb Aleksandar Vulin ka bërë me dije sot se vendi i tij nuk ka vendosur dhe nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
“Evropa është një grup territoresh, jo një grup shtetesh, por ata as nuk vendosin vetë për veten dhe as nuk i zgjedhin vetë miqtë apo armiqtë e tyre. Serbia është një nga vendet e fundit në Evropë, një vend që nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë dhe nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë”, tha ai.
Vulin tha se serbët, pavarësisht se ku jetojnë, duhet të jenë një “popull i vetëm politik ” dhe të marrin vendime për çështjet kombëtare së bashku.
Ai vlerësoi se “të tjerëve” nuk u pëlqen kur Serbia “flet”, sepse kjo do të thotë se Serbia është “e fortë dhe e bashkuar”.
“Republika Srpska nuk u krijua me vullnetin e fuqive të mëdha, por u krijua nga nevoja e popullit serb që gjenocidi i Jasenovacit të mos ndodhë më kurrë, që asnjë fëmijë serb të mos mbetet pa mbrojtjen e shtetit të tyre. Dhe kjo është arsyeja pse nuk lejojmë askënd të vendosë për ne për ne”, tha ai.
BallkaWeb