Serbia te pranoi pavarësinë e Kosovës. Fillojnë ditët e vështira për Beogradin. – SHBA-BE po shuajnë çdo plan të Vuçiçit për Prishtinën
7 Mars 2023
Nga Elmas BOGDANI
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, po gjendet në një situatë shumë të vështirë, pasi ndërkombëtarët në javët në vazhdim nuk do ta tolerojnë politikën e tij me dy karrige. Përveç Perëndimit, Vuçiç po përballet edhe me një presion të fortë brenda Beogradit. Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, u shpreh ditën e djeshme se pranimi verbal për “zbatimin” e planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën është njësoj si një marrëveshje e nënshkruar. Ai pohoi se për këtë nuk është e nevojshme të vihet nënshkrimi në letër nga presidenti Aleksandër Vuçiç, në mënyrë që marrëveshja të bëhet ligjërisht e detyrueshme, pra sipas tij, çdo gjë është konfirmuar në takimin e 27 shkurtit në Bruksel. “Qytetarët e Serbisë duhet ta dinë se presidenti i Serbisë, pranoi pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kur Vuçiç thotë se nuk do të marrë pjesë në zbatimin e disa pikave të marrëveshjes, mashtron pastër, sepse me pranimin e zbatimit të së paku një pike, Serbia e pranon marrëveshjen në tërësi!”, shkroi Tadiç.
Vizita e Tadiç
Emisari special, Miroslav Lajcak vjen të premten në Prishtinë. Përveç Kryeministrit Albin Kurti, pritet të takojë edhe krerët e opozitës. Para takimit të 18 marsit mes Kryeministrit Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç emisari i Bashkimit Evropian për Dialogun, Miroslav Lajcak, pritet ta vizitojë Prishtinë dhe rrjedhimisht, edhe Beogradin. Mediat kosovare raportojnë se, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka thënë se emisari special i BE-së vjen në Prishtinë, të shikojë punën që ka bërë pala kosovare për udhërrëfyesin e zbatimit të propozimit evropian, që është pranuar nga Kosova dhe Serbia. “Në fund të javës së ardhshme pritet që z. Lajcak ta vizitojë Kosovën, pastaj edhe Serbinë; të shikojë punën që është bërë. Në bazë të propozimeve tona, unë besoj që ai do të përpiqet t’i konsolidojë ato”, ka thënë Bislimi. Kjo vizitë e Lajcakut pritet të ndodhë, para takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuciç, që është caktuar të mbahet me 18 mars, në Ohër të Maqedonisë Veriore. Kryeministri Kurti, pasi zyrtarisht ka pranuar propozimin evropian më 21 shkurt, ka thënë se negociatat për normalizim do të vazhdojnë përmes diplomacisë fluturuese. Dy partitë opozitare, PDK dhe LDK e kanë kritikuar Kryeministrit Kurti që pranoi propozimin evropian, i cili thonë se nuk sjell marrëveshje finale me Serbinë e as njohjen reciproke. Sipas opozitarëve, Kurti, përmes këtij plani, ka pranuar themelimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive, dhënien e statusit të veçantë për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë dhe vazhdimin e pafund të të bisedimeve me Serbinë.
Çfarë ndodhi në Bruksel
Në takimin e nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Vuçiç, u arrit një dakordim që Kosova dhe Serbia të zhvillojnë një proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”. Marrëveshja do të përmbajë edhe një Aneks që synon të sigurojë zbatimin e të gjitha dispozitave të saj. Aneksi ka mbetur që të negociohet. Në momentin që ka pajtim për Aneksin, i gjithë instrumenti, Preambula, 11 nenet dhe dispozitat për implementimin mund të nënshkruhen. Po ashtu një dakordim u arrit që të vazhdohet me diplomaci fluturuese të Emisarit Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në Prishtinë dhe Beograd për të shqyrtuar Aneks-dokumentin e zbatimit të Marrëveshjes që në fund pritet të përbëjë një dokument të njësuar. Edhe pse në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parashihet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, neni 4 nënkupton njohjen “de fakto” të Kosovës. Për herë të parë Bashkimi Evropian ka publikuar pak ditë më parë planin “franko-gjerman për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja e re Kosovë-Serbi përmban elemente të rëndësishme të pranimit de-fakto të shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Pra edhe pse nuk përmendet zyrtarisht njohja, pika 4 nënkupton hapur se Beogradi pranon pavarësinë e Kosovës.