Serbia “tregon muskujt”, Vuçiç kërcënon sërish Kosovën: – Për 20 ditë do të shihni për herë të parë se si gjuajnë dronët tanë
2 Prill 2024
Aleksandër Vuçiç nuk i ndal kërcënimet për Kosovën.
Gjatë një vizite në aeroportin e kolonel-pilotit Milenko Pavloviç në Batajnicë, presidenti serb paralajmëroi sërish tërthorazi.
Aleksandër Vuçiç njoftoi se do të bisedojë me presidentin francez Emmanuel Macron për blerjen e avionëve luftarakë Rafale. “Ne duhet të kujdesemi për rajonin. Si një vend ushtarakisht neutral, ne duhet të jemi më të fortë në mënyrë që të jemi në gjendje ta ruajmë atë neutralitet”, tha Vuçiç.
Siç tha ai, Serbia ka marrë edhe shumë radarë nga Franca. “Për 20 ditë, më 20 prill, do të mund të shohim gjuajtjet e para të dronëve serbë”, tha Vuçiç, mesa duket duke “treguar” muskujt. Sakaq, Kosova duket se përgatitet çdo ditë për rreziqet.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka zhvilluar së fundmi një intervistë ku ka folur në lidhje me situatën në katër komunat veriore Në një intervistë për ”News24”, qasjen e Beogradit karshi Kosovës, ai e ka quajtur destruktive. “Beogradi, konkretisht Vuçiq dhe qeveria e tij, varësisht prej politikave të brendshme të tyre, kanë përdorur serbët e Kosovës, kanë përdorur këtë territor që të shkaktojnë tensione jo vetëm për Republikës e Kosovës por tensione edhe në rajon e më gjerë. Duke dashur të shantazhojnë, së pari Kosovën, por edhe bashkësinë ndërkombëtare”, tha Sveçla, referuar komunave veriore. Ministri i Brendshëm i Kosovës tha se rreth 400 ekstremistë serbë po trajnohen përreth kufirit me Kosovën.
Sipas tij, nevojitet vetëm një urdhër i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç që ata të nisin sulme agresive. Më tej, ministri shtoi se po përgatiten për ta parandaluar çdo skenar serb, por edhe për t’u ballafaquar.
Gazeta Sot