Sezon i egër i uraganeve! Ekspertët: – Ndryshimet klimaterike do shtojnë aktivitetin e uraganeve
24 Maji 2024
Ndryshimet klimaterike mund të sjellin një aktivitet më të lartë të stuhive dhe uraganeve në Oqeanin Atlantik.
Sezoni i uraganeve në Atlantik që zakonisht fillon në qershor pritet të ketë një aktivitet mbi mesataren e stuhive.
Ekspertët mendojnë se ky do të jetë një nga sezonet më të ngarkuara të uraganeve në Atlantik, për shkak të temperaturës së lartë të oqeaneve dhe fenomenit La Nina-s.
Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike parashikoi 17 deri në 25 stuhi të që pritet të shfaqen këtë verë, nga të cilët 8 deri në 13 do të arrijnë statusin e uraganit dhe 4 deri në 7 prej tyre do të klasifikohen si uragane të mëdha.
Rreth 20 grupe të tjera, universitete, qeveri, kompani private të motit – gjithashtu kanë bërë parashikime sezonale.
Pothuajse të gjithë, presin një verë më të ngarkuar, me temperatura përvëluese dhe një vjeshtë uraganesh.
“Është një arsye për t’u shqetësuar, sigurisht, por jo për t’u alarmuar”, -tha drejtori i Shërbimit Kombëtar të Motit Ken Graham.
Ajo për të cilën njerëzit duhet të shqetësohen më shumë është uji sepse 90% e vdekjeve nga uraganet ndodhin në ujë dhe ato janë të parandalueshme, tha Graham.
Kur meteorologët shikojnë se sa i ngarkuar është një sezon uraganesh, dy faktorë kanë më shumë rëndësi: temperaturat e oqeanit në pjesën e Atlantikut ku stuhitë rrotullohen dhe kanë nevojë për ujë të ngrohtë për karburant, dhe nëse ka një La Nina ose El Nino, e thënë ndryshe ftohje ose ngrohje të ujërave të Oqeanit Paqësor.
Ato janë përgjegjëse për kushtet e motit në mbarë botën.
Ndryshimet klimaterike që vijnë si pasojë e aktivitetit njerëzor janë arsyeja kryesore e këtyre kushteve.
Megjithatë sipas ekspertëve ndikues tjetër është një shpërthim vullkani nënujor në Paqësorin Jugor në vitin 2022, i cili shkaktoi miliona tonë avuj uji në ajër.
Nga Katerina Hysenllari