Shaban Sinani për Eposin: I padeformuar nga diktatura
Dosja shkencore për eposin shqiptar të kreshnikëve ndërsa pret vendimin për t’u përfshirë në programin e UNESCO-s si trashëgimi jomateriale, shpirtërore e njerëzimit, brenda javës ka realizuar dy promovime në Prishtinë dhe dje, Tiranë duke prezantuar 15 vëllime të “Eposit të kreshnikëve” në Akademinë e Shkencave, me pjesëmarrjen e Ministrisë së Arsimit të Kosovës Asim Bajramit, kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë prof. Muzafer Korkuti, autorit të projektit për dosjen në UNESKO prof. dr. Zymer Nezirit dhe personalitete të politikes, artit, kulturës dhe shkencës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e më gjerë. Kryetari i Akademisë së Shkencave Myzafer Korkuti u deklaroi se Dosja e Eposit të Kreshnikëve duhet t’i bashkohet asaj të polifonisë në UNESCO për bashkimin e vlerave të trashëgiminë shqiptare. ”Për të gjithë ne këtu nis një punë e re për institucionet kërkimore, akademike dhe universitare në Prishtinë dhe në Tiranë. Për miqtë e Kosovës dhe të Shqipërisë, për diplomacinë dhe ndikimet e saj”, u shpreh Korkuti. Eposi i kreshnikëve u vlerësua me çmimin “Europa Nostra” në maj, por votat kundër për futjen në UNESCO mund të vijnë si pasojë e përplasjeve të akademikëve ballkanas për përkatësinë e tij.
Përurimi i dosjes shkencore është përgatitur nga grupi i punës ngritur me Vendim të Qeverisë së Kosovës nr. 02/103, datë 14.1.2010, për regjistrimin e eposit shqiptar të kreshnikëve në listat e UNESCO-s për Trashëgiminë Jomateriale të Njerëzimit, titulluar Eposi shqiptar i kreshnikëve në pesë shtete të Ballkanit, realizuar pranë Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe nderuar me çmimin vjetor të Bashkimit Europian “Europa Nostra”, 2016.
Pesëmbëdhjetë librat e prezantuar janë të ndara në vëllime, ku secili vëllim përfshin një krahinë shqiptare deri në Maqedoninë Perëndimore. Në këto vëllime janë përfshirë gjithsej 440 këngë, 69 tregime, 100.002 vargje dhe rreth 65 mijë vargje xhirime me kamera.
Prof. dr. Zymer Neziri, kryetar i grupit të punës për paraqitje të rezultateve të projektit “Eposi shqiptar i kreshnikëve në pesë shtete të Ballkanit”, të viteve 2009-2016, pohon se tezat që eposi u përket serbëve apo boshnjakëve shkencërisht ka rënë. ”Ajo tezë nuk qëndron më. Bota nuk merret më me të. Sepse siç e dini shkolla serbe nuk është e dobët por është shumë e dobët kur është fjala për nacionalizmin. Nacionalizëm ka edhe te dijetarët e mëdhenj të Serbisë edhe sot e përpara, por tani nuk e ngrenë më zërin”, u shpreh Neziri, ndërsa ka vlerësuar këtë projekt si një studim kapital për trashëgiminë mbarëshqiptare.
Nga ana tjetër studiuesi Shaban Sinani i përgjigjur pyetjes në lidhje me pasqyrimin e eposit në tekstet e diktaturës, sidomos në periudhën e parë kur marrëdhënia me ish-Jugosllavinë ishte në zenit, -duke u shprehur se gjithçka lidhet me eposin është e depozituar në dosjen e UNESCO-s, janë në dosje ashtu siç janë botuar në kohë ku përfshihen të gjitha botimet shqiptare. Ndërsa për punën e tyre hulumtuese tha se iu janë referuar botimeve të fretërve françeskanë por Sinani shton se ishte e nevojshme një regjistrim i ri, i kohës së tanishme, ku vendin më kryesor e zënë kërkimet e reja ku këngë vjen siç e ka kënduar rapsodi.
Studiuesi siguron se puna shkencore është realizuar me përpikëri si nga pikëpamja e hartës së shtrirjes në pesë vendet e Ballkanit, dhe në aspektin e interpretimit sot, pasi UNESCO nuk mbështet monumente të ngrira, por pranon se tashmë është fjala e votës së vendeve anëtare që shpesh është politike. Sinani ka tërhequr vëmendjen se kanë evidentuar se mosha e rapsodëve është e vjetër dhe politikat kulturore duhet të jenë më promovuese për këtë gjini, e cila rrezikon zhdukjen nga mosmbështetja. Prof. Neziri ka thënë se barrën më të madhe për dosjen e Eposit e kanë pasur studiuesit e Tiranës, ndërsa dosja e parë dhe e dytë është realizuar pa mbështetje financiare, ku prej këtij projekti vetëm dokumentari mbi eposin është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës së Prishtinës, me 12 mijë euro.
Të njëjtën gjë ka pohuar edhe studiuesi Sinani mbi një punë të bërë prej grupeve të punës me zero lekë, dhe pa asnjë kontribut të institucioneve ndërsa nisma ka ardhur së pari nga qeveria e Kosovës, kur kryeministër ishte Hashim Thaçi.
Prof. dr. Begzad Baliu duke paraqitur rezultatet e nëngrupit të punës, në vitet 2009-2012 tha se: “në këtë hulumtim është përdorur metoda e anketimit të drejtpërdrejtë me gojë dhe me shkrim, në mbi 1300 subjekte individuale, ku janë përgjigjur 80% të pyetjeve, nga sasia prej 51 pyetjesh. Të anketuarit kanë qenë kryesisht të moshës nga 40 deri në 80 vjeç, dhe 10% janë arsimtarë të gjuhës shqipe dhe mësues shkollash në qytete dhe fshatra të Kosovës. Brenda 2013 janë vjelë rreth 5 800 faqe kompjuterike dhe 500 të tjera presin të kompjuterizohen. Anketimi i ka përfshirë të gjitha çështjet historike, etnologjike, etnopsikologjike, sociologjike, familjare, individuale, kulturore, gjuhësore dhe përgjithësisht materiale shpirtërore të lidhura ngushtë me praninë e eposit si lëndë dhe përmbajtje…”
Prof. dr. Shaban Sinani, duke referuar mbi përmbajtjen e dosjes shkencore “Eposi shqiptar i kreshnikëve në pesë shtete të Ballkanit” (2009-2016) tha se procesi ka nisur në vitin 2009. “Përgjatë një viti ka qenë bashkimi i ideve të njerëzve vullnetmirë për të pasur një lëndë përfaqësimi të traditës muzikore shqiptare në të dyja dialektet në UNESCO me polifoninë e jugut, dhe homofoninë e veriut. Prej fillimit të vitit 2010 me vendim të qeverisë së Kosovës, grupi i punës i formuar me specialistë nga Kosova dhe Shqipëria, me bashkëpunëtorë nga disa vende të perëndimit, kryesuar nga prof. Zymer Neziri nisi puna në mënyrë institucionale. Detyra e grupit ishte të përgatisnim një dosje shkencore sipas kritereve të UNESCO-s me anë të së cilës duhej të provohej origjinaliteti, papërsëritshmëria dhe roli pasurues i këngëve heroike legjendare në trashëgiminë shpirtërore të njerëzimit, njohja dhe vlerësimi i këtyre këngëve përtej kufijve të gjuhës shqipe mbijetesa e tyre në një kontekst historik, tradicional etnografik, të patjetërsueshëm prej zhvillimeve urbanistike dhe ndërkomunikuese të sotme si dhe ekzistenca e kësaj trashëgimie jashtë jetës skenike, jashtë ndërhyrjes për spektakël, sipas mekanizmave të vjetër të ruajtjes dhe përcjelljes nga brezi në brez…”
Dosja e regjistrimit të Eposit duhej t’i përgjigjej edhe disa pyetjeve mbështetur në parimet e UNESCO-s, për promovimin e tyre, për këtë arsye Sinani thotë se doli e nevojshme të përkthehej në shqip konventa e UNESCO-s, me qëllim që të gjitha përgatitjet dhe kërkimet të bëheshin sipas kësaj konvente. “Dhjetëra e qindra pyetje disa herë ishin edhe në formën e grackës për të provuar koherencën shkencore gjë çoi në një verifikim të njohurive dhe sidomos dhe në përafrimin e terminologjisë së domosdoshme sipas Konventës së UNESCO-s”. Pas këtij prezantimi, Kosova dhe Shqipëria presin vendimin e funddhjetorit për të parë se si do votojnë shtetet anëtare për këtë pasuri shpirtërore. Dhe më pas premtojnë se do të nisë puna për përpilimin e dosjeve për në UNESCO të xhubletës dhe xhamës së burrave në ceremoni mortore./mapo