SHBA, BE dhe zjarrvënësit në Bosnje
SHBA, BE dhe zjarrvënësit në Bosnje
5 NËNTOR 2021
Nga: MARION KRASKE
Ekstremistët serbë dhe kroatë duan të shpërbëjnë shtetin boshnjak. BE dhe SHBA kapen pas politikës së ruajtjes së qetësisë duke përsëritur kësisoj gabimet e viteve 1990.
Atmosfera është mbytëse mëngjesin me diell. Përpara Ambasadës së SHBA-së në Sarajevë, kryeqyteti i Bosnjë-Hercegovinës, është mbledhur një grup demonstruesish. Ata kërkojnë fundin e nacionalizmit toksik në vend dhe ndërhyrjen e presidentit të SHBA-së kundër klanit të fuqishëm politik, që vazhdimisht nxit konflikte mes tre grupeve kryesore të popullsisë: boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve. Disa protestues mbajnë lart pankarta. “Ne duam të njëjtat të drrjta për të gjithë”, thotë një pensioniste e indinjuar. Pozicioni i qytetarëve duhet të forcohet, pushteti i nacionalistëve duhet të marrë fund.
Pak më parë, në fund të tetorit, përfaqësuesi serb në presidencën treshe të Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, formuloi një shpallje lufte: Në një deklaratë ai bënte të qartë, se Republika Srpska, pjesa e dominuar nga serbët nëFederatën Bosnjë-Hercegovina, do të shkëputet nga shteti multietnik. Republika Srpska në mënyrë graduale duhet të shkëputet nga shteti i përbashkët dhe të organizojë vet kompetenca të rëndësishme si mbrojtja dhe drejtësia. Kjo kërkesë është sulm ndaj paqes së brishtë, që mbizotëron në vend që nga viti 1995.
Prej vitesh Dodik me retorikën e tij separatiste tërheq vëmendjen. Por kësaj here me gjasë kemi të bëjmë më diçka më shumë se sa vetëm vringëllimat e zakonshme, pasi njësitë e xhandarmërisë të Republika Srpska demonstruan forcën me një stërvitje në shkallë të gjerë në male – veprim ky me simbolikë – nga qyteti i vogël Pale. I dënuari si kriminel lufte ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç, në vitet 1992-1995 orkestronte sulmet ndaj Sarajevës dhe rrethinave. Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për ish-Jugosllavinë e gjykoi si krim kundër njerëzimit rrethimin tre vjeçar dhe sulmet e vazhdueshme ndaj kryeqytetit të Bosnjes.
Për shumë boshnjake dhe boshnjakë kjo zgjon kujtime të hidhura. “A do të ketë luftë?”, me këtë pyetje konfrontohen shpesh gjatë këtyre ditëve të huajt. Kryesisht banorët e moshuar i kujtojnë përgatitjet e luftës dhe se si bashkësia ndërkombëtare e la për një kohë të gjatë në baltë popullsinë e Bosnjes – vetëm pas gjenocidit në Srebrenicë me vrasjen e mbi 8000 të rinjve e burrave myslimanë nga luftëtarët serbo-boshnjakë në korrik 1995 Perëndimi reagoi dhe negocioi Marrëveshjen e Paqes në Dejton, me të cilën iu dha fund luftës.
Një shpallje e mundshme e pavarësisë
Nismat e fundit të Dodikut synojnë eliminimin e strukturave shtetërore: Ndërkohë është krijuar një agjenci më vehte e shëndetësisë, një ushtri më vehte do të pasojë. Gjithsej mbi 120 dekrete të Përfaqësuesit të Lartë, që u vendosën nga OKB-ja pas luftës për avancimin e ndërtimit të strukturave të përbashkëta, duhet të sprapsen – një sulm frontal ndaj integritetit territorial të Bosnjes. Dodik, paralajmëron partia opozitare multietnike Nasa Stranka, duhet të klasifikohet si “rrezik për sigurinë”.
Që BE pavarësisht nismave riskante nuk ndërmerr asnjë hap për ndërmjetësim në Bosnjë, shumë e konsiderojnë si një dëshmi për mungesë të dukshme strategjie. Një grup parlamentarësh të BE-së, ndër ta edhe deputeti gjerman i ekologjistëve Reinhard Bütikofer, kërkojnë nga Komisioni një qëndrim të ashpër kundër përpjekjeve për shkëputje. Eurodeputeti konservator Michael Gahler paralajëron nga rreziku i një shpalljeje të mundshme të pavarësisë nga Republika Srpska – me legjitimimin nga Moska. Disa zëra paralajmërues vijnë edhe nga SHBA. Eksperti i njohur për Ballkanin, Daniel Server insiston për një ndërhyrje të shpejtë të bashkësisë ndërkombëtare, edhe forca ushtarake duhet demonstruar, për të penguar shkëputjen dhe konfliktet që mund të sjellë ajo si pasojë.
Ultranationacionalistët bashkëpunojnë ngushtë
Nuk ka asnjë diskutim, që veprimet e rrezikshme të udhëheqjes politike në Republika Srpska kanë mbështetjen e Serbisë dhe të Rusisë. Moska përpiqet ta pengojë integrimin e Bosnjes në BE dhe një anëtarësim të mundshëm të saj në NATO. Por nuk janë vetëm udhëheqësit e serbëve të Bosnjes, që minojnë shtetin e përbashkët boshnjak. Ultranacionalistët kroatë të partisë HDZ-BiH nën drejtimin e udhëheqësit të tyre Dragan Covic punojnë ngushtë prej vitesh me Dodikun. Për të siguruar pozicionin e tyre në pushtet HDZ-BiH nacionaliste insiston për ndryshimin e ligjit elektoral. Me ndryshimin e ligjit synohet që të krijohen njësi zgjedhore tërësisht mbi bazë etnike.
Por kjo është në kundërshtim me gjykimet parimore të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, konstaton eksperti konstitucionalist austriak Joseph Marko. Në këtë bazë do të duhej fillimisht të shfuqizohej me ndryshim kushtetues diskriminimi i qytetarëve jo-boshnjakë, jo-kroatë, jo-serbë në vend – pra i pjesëtarëve të minoriteteve si hebrejtë apo romët, që margjinalizohen në sistemin elektoral. Ata p.sh. nuk lejohen të kandidojnë për postin e presidentit. Por në fakt vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut për barazinë e të gjithë qyetetarëve prej vitesh kanë mbetur pa u zbatuar.
Ndërmjetësues të diskredituar
Ndonëse gjykimet e Strasburgut nënkuptojnë qartazi forcimin e standardeve europaine, bashkësia ndërkombëtare me sa duket nuk ka vullnetin për t’i dhënë fund eskapadave etnike. I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Matthew Palmer si dhe e ngarkuara e BE-së Angelina Eichhorst, që javën e kaluar u takuan në Bosnje me udhëheqësit nacionalistë, konsiderohen si kartë e djegur, sepse ata preferojnë zgjidhje kompromisi. Kryesisht Palmer konsiderohet si i diskredituar në rajon, sepse ai qe angazhuar për një shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës, me qëllim krijimin e tërritoreve të pastra etnike.
Gjendja aktuale ndizet edhe më shumë nga ndërhyrjet e vazhdueshme të vendeve fqinjë si Kroacia dhe Serbia. Të dyja këto vende nuk janë lojtarë neutralë – nën ish-presidentët e Kroacisë dhe Serbisë, Franjo Tuxhman dhe Sllobodan Millosheviç, më 1991 u vendos ndarja e Bosnjes, pasuan krimet e luftës, për arritjen e synimeve serbomadhe e kroatomadhe.
A do të ndërhyjë Përfaqësuesi i Lartë?
Përkrahësit e reformave demokratike i varin shpresat e tyre tek Përfaqësuesi i ri i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare, gjermani Christian Schmidt. Një aleancë qytetare kërkoi këto ditë një qendrim më rigoroz: “Ai ose duhet të punojë, ose të largohet”, u tha në mënyrë pllakative përpara selisë së Schmidt-it në Sarajevë.
Nëse kreu i mbikqyrjes së paqes do të jetë i gatshëm, ashtu sikurse bëri së fundi edhe parardhësi i tij Valentin Inzko, të shfrytëzojë të ashtuquajturin Bonn-Power, përmes të cilit mund të largojë politikanë të rrezikshëm nga posti, nuk është e sigurt. Schmidt së fundi la të kuptohet, se ai nuk preferon të përdorë kompetencat e jashtëzakonshme.
Por nëse as SHBA dhe as BE dhe as Përfaqësuesi i Lartë nuk tregojnë gatishmëri për të vepruar kundër tendencave të shkëputjes në Bosnje, ndërkombëtarët rrezikojnë të përsërisin gabimet e fillimit të viteve 1990. Edhe asokohe u nënvleftësua radikalizmi i aktorëve politik. “Eshtë si një Deja-vu”, kritikon publicistja boshnjake Stefica Galic. “Eshtë pra sikur bota të mos ketë mësuar asgjë prej luftërave.”/DW
Gazeta Shqip