SHBA dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim strategjik në fushën e energjisë
18 Shtator 2024
Shtetet e Bashkuara dhe Serbia nënshkruan të mërkurën një marrëveshje bashkëpunimi strategjik në sektorin e energjisë.
Marrëveshja e nënshkruar është e para mbi bashkëpunimin strategjik në mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë.
Marrëveshja do të “forcojë partneritetin strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.
Ajo u nënshkrua nga Nënsekretari amerikan për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Jose W. Fernandez dhe Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq. Sipas zyrtarëve amerikanë, ajo “do të zgjerojë mundësitë që kompanitë amerikanë të investojnë në sektorin e energjisë së Serbisë dhe të promovojë investimet amerikane.”
Ministri serb Gjuriq e quajti marrëveshjen “një hap të rëndësishëm dhe të përgjegjshëm për avancimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara dhe për një siguri afatgjatë energjie.”
“Kjo është e para, shpresojmë, në serinë e marrëveshjeve strategjike ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara që do të përmirësojnë karakterin e përgjithshëm të marrëdhënieve tona. Natyrisht që çështjet e energjisë kanë edhe implikime më të gjera, por sot qëllimi është të sigurohet furnizimi afatgjatë, i qëndrueshëm, i sigurtë dhe i pastër i qytetarëve të Serbisë me energji elektrike në një formë të qëndrueshme ekonomike, në mënyrë që Serbia të mbetet vend joshës për tërheqjen e investimeve të huaja,”deklaroi ministri Gjuriq pas ceremonisë së nënshkrimit.
Ai shtoi se “dita e sotme do të shënohet si një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.”
Nënsekretari Fernandez tha se marrëveshja do ta ngrejë bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve “në një nivel më të lartë” dhe do ta ndihmojë Serbinë të diversifikojë burimet e energjisë.
“Kemi punuar për shumë vite që kompanitë amerikane të kenë mundësi të investojnë në teknologjitë e energjisë së pastër në Serbi dhe më vjen mirë që kemi arritur përparim. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për të kaluarën, por shpresojmë që të vazhdojmë të bashkëpunojmë në sektorin e energjisë së pastër. Kjo është sfidë e madhe moderne, ndryshimet klimatike janë një sfidë e madhe, por edhe një mundësi për të investuar në të ardhmen e energjisë.
Sot kemi bërë hapin e parë dhe jemi të kënaqur nga zhvillimi i marrëdhënieve me Serbinë,” deklaroi zoti Fernandez pas ceremonisë.
Shtetet e Bashkuara dhe Serbia deri më tani nuk kishin nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi strategjik, apo partneriteti strategjik.
Serbia ka ndërkohë marrëveshje partneriteti të përgjithshëm strategjik me Rusinë dhe Kinën.
Kjo marrëveshje për bashkëpunim strategjik me Shtetet e Bashkuara në fushën e energjisë vjen pas nënshkrimit të një marrëveshjeje tjetër strategjike që Serbia ka nënshkruar me Bashkimin Evropian.
Në korrik, Serbia nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me Bashkimin Evropian për një partneritet strategjik që mundëson nxjerrjen e mineraleve të rralla si litiumi, një projekt i përmasave të mëdha që pritet të zvogëlojë vartësinë e Evropës ndaj Kinës, por që po kritikohet ashpër nga ambientalistët dhe partitë opozitare.
Marrëveshja me BE-në u nënshkrua në prani të Kancelarit gjerman Olaf Scholz, vendi i të cilit si prodhuesi më i madh i veturave në Evropë është në kërkim të litiumit, një mineral jetik për prodhimin e baterive të makinave elektrike.
Planet për mineralin e litiumit kanë nxitur protesta të gjera kundër qeverisë në Serbi, përkundër paralajmërimeve të zyrtarëve se po bëhen përpjekje për të rrëzuar Presidentin serb Aleksandar Vuçiç.
Ai ka deklaruar se është njoftuar nga shërbimet ruse të zbulimit se në Serbi po përgatiten “trazira të gjera dhe puç” nga fuqitë perëndimore që duan ta rrëzojnë nga pushteti. Ai nuk ka thënë se për cilat vende perëndimore bëhet fjalë.
Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes të mërkurën, Shtetet e Bashkuara thanë se ato “mbështesin fuqishëm standardet e larta të transparencës dhe të qenit të hapur në prokurimin publik, të përcaktuara nga organizatat shumëkombëshe” dhe nxitën Serbinë të përvetësojë këto standarde, sipas deklaratës.
Sipas Shteteve të Bashkuara, marrëveshja e arritur me Serbinë është rezultat i “një përpjekjeje shumëvjeçare” të specialistëve të angazhuar nga pesë agjenci amerikane.
“Ky angazhim i burimeve pasqyron përkrahjen e fuqishme të qeverisë amerikane për investitorët amerikanë dhe projektet për energji të pastër” dhe zhvillim të qëndrueshëm, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit./VOA