SHBA i rikthen Italisë letrën e vjedhur të Kristofor Kolombit
23 Korrik 2023
E humbur prej dekadash, SHBA ka dërguar një botim të rrallë origjinal të shekullit të 15-të, të një letre të shkruar nga Christopher Columbus në Itali.
Konfirmimin e ka bërë Agjencia Federale e SHBA-së për Emigracionin dhe Zbatimin e Doganave (Ice).
Letra, me vlerë mbi 1.3 milion dollarë, u zbulua se ishte vjedhur midis vitit 1985 dhe 1988, me gjasë nga Biblioteca Nazionale Marciana, biblioteka publike historike në Venecia.
Letra u gjet nga hetuesit federalë amerikanë në vitin 2020 në Wilmington, Delaware, me ndihmën e zyrës së avokatit amerikan të Delaware. Ishte në posedim të një koleksionisti privat nga Teksasi, i cili tha se e kishte marrë në vitin 2003 nga një tregtar librash të rrallë. Koleksionisti e dorëzoi vullnetarisht letrën.
Zëvendësdrejtori i Ice dhe zyrtari i lartë, Patrick J Lechleitner, udhëtoi në Romë më 19 korrik për t’i dorëzuar letrën origjinale zyrtarëve italianë.
Lechleitner tha se “është kënaqësia ime që jam këtu për të festuar kthimin e këtij artifakti të rëndësishëm te pronarët e tij të ligjshëm – populli i Italisë – dhe dua të përgëzoj zyrën tonë [hetimeve të sigurisë atdhetare] në Romë për bashkëpunimin e tyre të shkëlqyer me kolegët tanë ndërkombëtarë, si dhe HSI Wilmington për punën e tyre të jashtëzakonshme në identifikimin, gjurmimin, mbledhjen dhe kthimin e letrave të Columbus”.
Letra, e referuar zyrtarisht si Letra Plannck I Columbus, e emëruar sipas printerit Stephan Plannck, i cili botoi disa nga letrat e tij, është një nga 30 botimet e para të mbijetuara të letrës së Kolombit që njoftonte “zbulimin” e tij të Amerikës për anëtarët e familjes mbretërore spanjolle – një pohim që shumë studiues argumentojnë se nuk është i saktë.
Muzeu Kombëtar i Indianëve Amerikanë në Nju Jork tha se shumë studentë mësojnë frazën ‘Në 1492, Kolombi lundroi në oqeanin blu’. Por Kolombi nuk ishte eksploruesi i parë i huaj që zbarkoi në Amerikë.
“As ai dhe ata që erdhën përpara tij nuk e zbuluan Amerikën – sepse popujt indigjenë kanë populluar hemisferën perëndimore për dhjetëra mijëra vjet. Kontakti evropian rezultoi në humbje shkatërruese të jetëve, përçarje të traditës dhe humbje të mëdha të tokave për popujt indigjenë në kontinentin amerikan.
Në këtë version të letrës në latinisht, Kolombi i shkroi për gjetjet e tij nga Amerika në mars 1493, mbretit Ferdinand, i cili së bashku me mbretëreshën Isabella ndihmuan në financimin e udhëtimit të tij.
Është botimi i katërt origjinal i kësaj letre të vjedhur gjatë dekadave të fundit.
Paul Needham, një ekspert i librave të rrallë dhe ish-bibliotekar në Universitetin Princeton, kërkoi ndihmën e zyrtarëve amerikanë kur ai gjurmoi vendndodhjen e letrës së humbur.
Needham tha se e kishte hasur pikërisht këtë letër një herë më parë, 21 vjet më parë kur një tregtar në i librave ia tregoi atë.
“Unë mbaj gjithmonë shënime në kopjet e letrave të Kolombit, kështu që u ktheva te shënimet e mia,” tha Needham. “Menjëherë, e dija se kjo kopje në Teksas kishte përmasat e sakta të kopjes që ishte vjedhur nga Marciana.”
Një tjetër kopje e rrallë e një letre të shkruar nga Columbus në 1493 u gjet në Bibliotekën e Kongresit të SHBA, e inspektuar gjithashtu nga Needham. Ajo letër u vodh nga Biblioteca Riccardiana në Firence, e cila pa vetëdije shfaqi një kopje të falsifikuar derisa SHBA-ja e ktheu origjinalin në vitin 2016.
“Është vërtet fantastike që është kthyer atje ku është vjedhur,” tha Needham. “Kjo ishte absolutisht gjëja e duhur.”