16 Nentor 2024

Shtetet e Bashkuara i kanë kthyer Indisë më shumë se 1,400 artefakte të grabitura me vlerë 10 milionë dollarë, si pjesë e një nisme të vazhdueshme për riatdhesimin e artit të vjedhur nga vende të Azisë Jugore dhe Juglindore. Lajmin e njoftoi të mërkurën zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit.

Mallrat e trafikuara të gjetura përfshijnë sende që, deri vonë, gjendeshin në Muzeun Metropolitan të Artit të Nju Jorkut. Midis tyre është një skulpturë ranore që u kontrabandua nga India qendrore në Londër, përpara se t’i shitej ilegalisht një prej klientëve dhe t’i dhurohej muzeut.

Riatdhesimet rezultuan nga “disa hetime të vazhdueshme” në rrjetet e plaçkitjes, duke përfshirë ato të operuara nga trafikantët e dënuar të artit Nancy Wiener dhe Subhash Kapoor, një tregtar amerikan i antikiteteve i cili u dënua me 10 vjet burg për drejtimin e një rrjeti grabitjesh multimilionëshe përmes Nju Jorkut

Kapoor u dërgua për t’u përballur me akuza në shtetin Tamil Nadu të Indisë pas arrestimit të tij në Gjermani në vitin 2011. Zyra e DA mori një urdhër arresti për të në vitin 2012, megjithëse ai mbetet në paraburgim në Indi, në pritje të ekstradimit të tij në SHBA.

“Riatdhesimi i sotëm shënon një tjetër fitore në atë që ka qenë një hetim ndërkombëtar shumëvjeçar mbi antikitetet e trafikuara nga një prej shkelësve më të mëdhenj të historisë”, tha në një deklaratë për shtyp William Walker, agjenti i posaçëm i Hetimeve Federale të Sigurisë Kombëtare në Nju Jork, në një deklaratë për shtyp.

Artikujt u kthyen zyrtarisht në një ceremoni në konsullatën indiane në Nju Jork të mërkurën. Që nga krijimi i saj më shumë se një dekadë më parë, Njësia e Trafikimit të Antikiteteve të Prokurorit të Qarkut të Manhatanit– një task forcë e avokatëve, hetuesve dhe ekspertëve të artit –ka gjetur 5,800 antika me vlerë gati 460 milionë dollarë. Njësia ka dënuar gjithashtu 16 persona për vepra trafikimi dhe ka paraqitur kërkesë për ekstradimin e gjashtë të tjerëve të lidhur me pasuritë kulturore të vjedhura.

Në korrik, SHBA dhe India nënshkruan një marrëveshje për të mbrojtur pronën kulturore duke parandaluar tregtinë e paligjshme dhe duke përmirësuar procesin e kthimit të antikiteteve të vjedhura në Indi.