SHBA-ja ia kthen Italisë 200 artefakte të kontrabanduara

28 Dhjetor 2021

Ndër veprat e sekuestruara është edhe një enë qeramike 2 mijë e 500 vjet e vjetër, e cila zinte vend në muzeu “Getty” në Los Angeles

Disa muze amerikanë, në mesin e të cilëve edhe institucione me kredibilitet, kanë mbetur pa disa artefakte pasi është konfirmuar se bëhet fjalë për vepra të kontrabanduara e të blera në treg të zi. Deri tash janë rreth 200 sosh, e vlera e tyre e përbashkët arrin në 10 milionë dollarë

Artefakte të konfiskuara nëpër muze të njohur dhe koleksione private në krejt SHBA-në, që kanë vlerë të përbashkët rreth 10 milionë dollarë, janë riatdhesuar në Itali. Këtë lajm e ka bërë të ditur zyra e prokurorit të Qarkut të Manhattanit. Ndër veprat e sekuestruara është edhe një enë qeramike 2 mijë e 500 vjet e vjetër e cila zinte vend në muzeu “Getty” në Los Angeles. Në mesin e tyre janë edhe gati njëqind artefakte greko-romake me vlerë 2 milionë dollarë nga universiteti “Fordham” në Bronx dhe statuja terrakote e një perëndeshe nga galeria “Merrin” me bazë në New York. 150 artefakte ishin të lidhura me Edoardo Almagiàs, një tregtar 70-vjeçar i antikiteteve me bazë në Romë, i akuzuar për orkestrimin e një operacioni kontrabande prej tri dekadash.

“Për vite të tëra, muzetë prestigjiozë dhe koleksionistët privatë nëpër Shtetet e Bashkuara të Amerikës ekspozuan në mënyra të ndryshme këto thesare historike italiane, edhe pse vetë prania e tyre në Amerikë përbënte dëshmi të krimeve të trashëgimisë kulturore”, ka thënë në një deklaratë prokurori i qarkut të Manhattanit, Cyrus R. Vance Jr.

Vendësi italian akuzohet, ndër të tjera, për përdorimin e varrmihësve për të plaçkitur dhe transportuar ilegalisht qindra artefakte në SHBA dhe për depozitimin e formularëve të rremë doganorë.

Sipas “New York Times”, Almagià i mohoi të gjitha akuzat kundër tij dhe minimizoi ashpërsinë e shkeljeve të importit.

“Pse po e bëjnë këtë tani, pyes veten”, kishte thënë ai duke iu referuar hetimit. Ai shtoi: “Kaq shumë para po shpenzohen për të persekutuar tregtarët kur mund të përdoren për të riparuar muzetë italianë, ku kaq shumë objekte të ngjashme tashmë janë në rrezik”.

Problemet e Almagiàs me autoritetet italiane dhe ato amerikane për lidhjet e dyshimta datojnë që nga vitin 1996 dhe u cituan në hetimin kundër miliarderit Michael H. Steinhardt, i cili në fillim të këtij muaji dorëzoi 180 objekte të vjedhura, 10 prej të cilave ishin blerë drejtpërdrejt nga Almagià.

Sipas zyrës së prokurorit të rrethit, individët dhe institucionet e përfshira i dorëzuan artefaktet me dëshirë pasi shqyrtuan provat kundër Almagiàs. Disa, si Muzeu i Artit në Cleveland, blenë artefakte dhjedirekt nga Almagià, i cili jetoi në New York prej vitit 1980 deri në vitin 2006.

Muzeu i Artit Grek, Etrusk dhe Romak në universitetin “Fordham” dorëzoi 96 objekte, më të shumtën nga çdo institucion. Punimet u dhuruan në vitin 2007 nga studenti William D. Walsh, i cili, sipas hetuesve, nuk kishte njohuri për origjinën e tyre të dyshimtë. Dhurimi, i cili përfshinte një kavanoz për ujë, me vlerë 150 mijë dollarë, dhe 26 vepra qeramike të ruajtura mirë, ia mundësoi universitetit të krijonte një muze dhe institucion mësimor falas që ishte i dedikuar për studimin e materialeve dhe kulturës së botës së lashtë mesdhetare.

Në një deklaratë “Fordham” e përshkroi riatdhesimin e artefakteve si një “veprim të duhur”.

“Që kur ‘Fordham’ mori antikitetet në vitin 2007”, thuhet në deklaratë , “ka qenë transparente në lidhje me origjinën e objekteve ose mungesën e këtyre dëshmive, duke përfshirë publikimin e një katalogu të pjesshëm në vitin 2012 në mënyrë që studiues të tjerë të kishin qasje të plotë në informacionin përkatës rreth koleksionit”. Universiteti ka ende më shumë se 200 artefakte në koleksionin e vet, të cilat do të riorganizohen.

Muzeu i Artit i San Antonios, i cili hoqi dorë nga një koleksion qeramikash greko-romake dhe enëve për ruajtjen e ujit, ka thënë se janë të kënaqur që Prokuroria e Qarkut ka njoftuar zyrtarisht se objektet tani do t’i kthehen Italisë. “Ne do të vazhdojmë të punojmë në mënyrë aktive për të korrigjuar çdo pretendim legjitim të pronësisë, për të cilin muzeu ka njohuri”, thuhet në deklaratë.

SHBA-ja ia kthen Italisë 200 artefakte të kontrabanduara

Gazeta Koha, Prishtine