SHBA-ja vendos veto ndaj rezolutës së OKB-së për arritjen e një armëpushimi humanitar në Gaza
9 Dhjetor 2023
SHBA-ja është vendosur në qendër të kritikave, për shkak të vetos së saj kundër një armëpushimi në Gaza. Shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe dhjetëra vende të tjera ishin pro një armëpushimi të menjëhershëm humanitar në Rripin e Gazës, mirëpo SHBA përdori votën e saj kundër. Nga ana tjetër Britania e Madhe abstenoi.
Hamasi e ka dënuar këtë vendim të SHBA në mbështetje të Izraelit.
“Pengimi i SHBA-së për nxjerrjen e një vendimi që kërkonte armëpushim” përbën “bashkëfajësi të drejtpërdrejtë në masakrën e popullit tonë nga pushtimi, në kryerjen e më shumë masakrave dhe spastrimit etnik”, thekson Izat el Resik, anëtar i byrosë politike të Hamasit.
Sipas qeverisë së Hamasit, më shumë se 17,000 njerëz kanë mbetur të vdekur mes të cilëve, 70% janë gra, fëmijë dhe adoleshentë. Kjo është hera e 35-të që nga viti 1970 që Uashingtoni vë veton ndaj një projekt-rezolute për Lindjen e Mesme, nga gjithsej 39 vota.