SHBA po farkëton “me forcë” miqësinë Rusi-Kinë

15 DHJETOR 2021

Kremlini njoftoi se Presidenti kinez Xi Jinping mbështeti homologun rus Vladimir Putin në përpjekjen e tij për të marrë garanci sigurie nga Perëndimi, që NATO nuk do të zgjerohet më shumë pranë kufijve të Rusisë.

Putin dhe Xi folën, ndërsa Moska po përballet me tensione të shtuara me Perëndimin për grumbullimin e trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën. Në javët e fundit, vendet perëndimore u angazhuan në përpjekje diplomatike për të parandaluar një pushtim të mundshëm të Ukrainës. Kremlini ka mohuar se ka pasur plane për të sulmuar fqinjin e tij.

Sipas Associated Press, Putini kërkoi garanci se NATO nuk do të zgjerohet me Ukrainën, ose nuk do të vendosë trupa dhe armë atje.

Ai i tha Xi-t të mërkurën për “kërcënimet në rritje ndaj interesave kombëtare të Rusisë nga SHBA-ja dhe blloku i NATO-s, të cilët vazhdimisht e lëvizin infrastrukturën e tyre ushtarake pranë kufijve rusë”, tha këshilltari i Putinit për çështjet e jashtme, Yuri Ushakov.

Sipas Ushakov, udhëheqësi rus theksoi nevojën për të zhvilluar bisedime me NATO-n dhe SHBA-në për garancitë e sigurisë. “Xi u përgjigj duke thënë se ai i kupton shqetësimet e Rusisë dhe mbështet plotësisht iniciativën për të siguruar këto garanci për Rusinë”, tha Ushakov.

Ai tha se propozimet e Moskës i janë përcjellë Ndihmës Sekretares së Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike Karen Donfried, e cila vizitoi Moskën të mërkurën dhe u takua me zëvendësministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Ryabkov.

Vitet e fundit, Kina dhe Rusia kanë përafruar gjithnjë e më shumë politikat e tyre të jashtme për të kundërshtuar dominimin e SHBA-së në rendin ekonomik dhe politik ndërkombëtar.

Të dy vendet janë përballur me sanksione, Kina për abuzimet e saj kundër pakicave, veçanërisht myslimanëve ujgurë në Xinjiang dhe për shtypjen me forcë të lëvizjes pro-demokracisë në Hong Kong, dhe Rusia për aneksimin nga Ukraina të Gadishullit të Krimesë në 2014 dhe për helmimin dhe burgosjen e liderit të opozitës, Alexei Navalny.

Pekini dhe Uashingtoni mbeten gjithashtu në mosmarrëveshje për tregtinë, teknologjinë dhe kërcënimin e vazhdueshëm ushtarak të Kinës ndaj Tajvanit, të cilin ajo e pretendon si territorin e vet.

Marrëdhëniet e Rusisë me SHBA-në ranë në nivelet më të ulëta të pas Luftës së Ftohtë pasi ajo aneksoi Krimenë dhe mbështeti rebelët separatiste në lindje të Ukrainës. Tensionet u ringjallën javët e fundit pasi Moska grumbulloi rreth 100 mijë trupa pranë kufirit të Ukrainës, një lëvizje që Ukraina dhe Perëndimi kishin frikë se mund të tregonte plane për një pushtim të rajonit të Donbasit në Ukrainë.

Moska ka mohuar se ka në plan të sulmojë Ukrainën dhe nga ana tjetër ka fajësuar Ukrainën dhe lëvizjet e saj ushtarake në lindjen e vendit të shkatërruar nga lufta. Zyrtarët rusë pretenduan se Kievi mund të përpiqet të rimarrë me forcë zonat e kontrolluara nga rebelët.

Është brenda këtij konteksti që Putini i ka bërë presion Perëndimit për garanci që NATO nuk do të zgjerohet në Ukrainë, ose nuk do të vendosë forcat e saj atje.

Gjatë telefonatës së tyre të mërkurën, Putin dhe Xi përshëndetën marrëdhëniet midis Rusisë dhe Kinës, me liderin rus duke thënë se ato bazohen në “parime të tilla si mosndërhyrja në punët e brendshme të njëri-tjetrit, respektimi i interesave të njëri-tjetrit, vendosmëria për të kthyer kufirin e përbashkët në një brez paqeje të përjetshme dhe fqinjësi të mirë”.

Xi tha, përmes një përkthyesi, se ai vlerësoi se Putini “mbështeti fuqimisht përpjekjet e Kinës për të mbrojtur interesat kryesore kombëtare dhe kundërshtoi fuqishëm përpjekjet për të krijuar përçarje në miqësinë mes dy vendeve”.

Televizioni shtetëror kinez ÇTV raportoi se Xi tha se “si Kina ashtu edhe Rusia duhet të kryejnë më shumë veprime të përbashkëta për të mbrojtur në mënyrë më efektive sigurinë dhe interesat tyre”.

“Aktualisht, forca të caktuara ndërkombëtare po ndërhyjnë në mënyrë arbitrare në punët e brendshme të Kinës dhe Rusisë nën maskën e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, dhe po shkelin brutalisht ligjin ndërkombëtar dhe normat e marrëdhënieve ndërkombëtare”, citohet Xi nga ÇTV.

Putin tha gjithashtu se planifikon të takohet personalisht me Xi në Pekin në shkurt dhe të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore 2022.

Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Australia dhe Britania kanë thënë se nuk do të dërgojnë personalitete në Lojërat Olimpike Dimërore si pjesë e një bojkoti diplomatik për të protestuar ndaj të drejtave të njeriut në Kinë. Vende të tjera kanë thënë se nuk do të dërgojnë zyrtarë për shkak të kufizimeve të udhëtimit pandemik.

Duke përshëndetur vizitën e planifikuar të Putinit, Xi tha se sportet mund të jenë një kanal për vendet e tyre për të forcuar lidhjet.

“Të dyja palët duhet të forcojnë koordinimin dhe bashkëpunimin në çështjet ndërkombëtare për të bërë zëra më të lartë mbi qeverisjen globale dhe të dalin me plane praktike për çështjet globale, duke përfshirë pandeminë dhe ndryshimet klimatike”, citohet Xi nga ÇTV.

Ministria e Jashtme e Kinës lëshoi një deklaratë duke thënë se Xi i tha Putinit se “mezi pret takimin me të në Lojërat Olimpike Dimërore’ dhe është i gatshëm të punojë me Presidentin Putin ‘për një të ardhme të përbashkët’ për të hapur së bashku një kapitull të ri post Covid në maarrëdhëniet Kinë-Rusi”.

Gazeta Shqip