SHBA-të dënojnë me 660 mln dollarë mikun e Edi Ramës, që u përfshi tek ARMO dhe inceneratori
2 Mars 2024
… Në nëntor të vitit 2017, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim sekret në kryeministri me pronarin e Gunvor, Torbjörn Törnqvist. Ndonëse takimi u mbajt i fshehtë, lajmi u publikua nga Syri.net. Më pas, kryeministri Rama e pranoi publikisht në emisionin Studio e Hapur në Neës 24 se e kishte takuar Törnqvist dhe kishte biseduar me të për ARMO-n, por edhe për koncesionin e Patos Marinzës.
Gunvor Group Ltd., një nga tregtarët kryesorë të naftës në botë ra dakord të paguajë më shumë se 660 milionë dollarë për të zgjidhur akuzat e SHBA-së dhe Zvicrës se kompania u ka paguar ryshfet zyrtarëve të qeverisë ekuadoriane për kontratat e naftës. Lajmi është bërë publik nga Bloomberg.
Dënimi, i cili është një nga më të mëdhenjtë e vendosur ndonjëherë ndaj një kompanie tregtare të mallrave, do të përbëhet nga një gjobë prej 374.5 milionë dollarësh dhe konfiskimi i 287.1 milionë dollarëve të tjerë, thanë prokurorët federalë amerikanë në një seancë gjyqësore në Brooklyn, Nju Jork, të premten. Nga shuma, rreth 93 milionë dollarë do të shkojnë për zgjidhjen e çështjes zvicerane.
Jean-Baptiste Leclercq, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Gunvor, i tha gjykatësit të qarkut të SHBA Eric N. Vitaliano se kompania pranoi se kishte paguar ryshfet nga viti 2011 deri në vitin 2020. Sipas marrëveshjes me SHBA-në, prokurorët federalë thanë se lutja e Gunvor kishte lidhje me sjelljen e ish-tregtarit Raymond Kohut dhe dy burra që punonin si ndërmjetës. Kohut u deklarua fajtor për akuzat amerikane në vitin 2021, duke pranuar se kishte paguar më shumë se 22 milionë dollarë ryshfet për kontratat e naftës nga viti 2012 deri në vitin 2020.
“Si kompani Gunvor bëri gabime në atë kohë, për të cilat ne na vjen keq dhe kemi punuar me zell për t’i rregulluar,” tha në një deklaratë kryetari i Gunvor Group dhe pronari i shumicës Torbjörn Törnqvist. “Korrupsioni nuk ka vend në kompaninë tonë dhe nuk do të tolerohet kurrë.”
Takime sekrete me Ramën
Në nëntor të vitit 2017, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim sekret në kryeministri me pronarin e Gunvor, Torbjörn Törnqvist. Ndonëse takimi u mbajt i fshehtë, lajmi u publikua nga Syri.net. Më pas, kryeministri Rama e pranoi publikisht në emisionin Studio e Hapur në Neës 24 se e kishte takuar Törnqvist dhe kishte biseduar me të për ARMO-n, por edhe për koncesionin e Patos Marinzës.
Kapitali.al konfirmon se Törnqvist është takuar të paktën 3 herë në mënyrë sekrete me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, pikërisht gjatë kohës që kompania korruptonte me rryshfete zyrtarët e qeverive të vendeve të ngjashme si Shqipëria, jo vetëm në Amerikën Latine, por edhe në Afrikë. Në vitin 2019, Gunvor ra dakord të paguante 95 milionë dollarë për t’i dhënë fund një hetimi tjetër në Zvicër, që gjeti se kompania kishte paguar rryshfet për zyrtarët e qeverisë së Kongos me qëllim përfitimin e kontratave të naftës.
Ndonëse formalisht plani për që Gunvor të merrte ARMO-n dhe fushën e Patos Marinzës nuk u realizua asnjëherë, paratë lëvizën.
Transferta e dyshimtë për ARMO-n
Tosk Energji është një shoqëri e regjistruar në Shqipëri me administrator Blerim Hoxha, një biznesmen kosovar, që jeton në Zvicër. Aksionet e Tosk zotërohen nga CFD Conseils Sarl, një kompani zviceriane e regjistruar në kantonin e Gjenevës, me pronarë Christophe Darbord. Tosk Energji ishte ndërmjetësja kryesore e rivënies në punë të ARMO-s përmes parave të Gunvor.
Në tetor të vitit 2016, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave bllokoi një transfertë të dyshimtë 18.5 milionë dollarë nga Gunvor për kompaninë Tosk Energji. Gunvor në atë kohë figuronte në listën e zezë të të qeverisë amerikane, pasi dyshohej se një pjesë e aksioneve të saj zotëroheshin drejtëpërsëdrejti nga presidenti rus Vladimir Putin.
Transferta e cila u bë përmes bankës Reiffeisen vuri në alarm autoritetin e parandalimit të pastrimit të parave, pasi përbënte risk të lartë. Por pas bllokimit disa ditor, 18.5 milionë dollarët u zhbllokuan për t’u transferuar në llogarinë e Tosk Energji. Paratë u përdorën për të rivënë në punë ARMO-n me bekimin e qeverisë shqiptare.
Tosk Energji pagoi 18.5 milionë dollarë si parapagim tek Bankers që kjo të furnizonte rafinerinë me naftë bruto. Në këmbim, Tosk Energji mori tregtimin me pakicë të karburantit që prodhohej nga IRTC në rafinerinë e ARMO-s.
Qeveria shqiptare ka qenë në dijeni të plotë të gjithë operacionit. Edhe pse Gunvor figuronte në listën e zezë të qeverisë amerikane si kompani e lidhur me presidentin rus Putin ajo u lejua të investonte në Shqipëri. Madje duke shtënë në dorë një nga sektorët më strategjik të ekonomisë, monopolin e rafinimit të naftës. Rivënia në punë e ARMO-s më vonë u shndërrua në një operacion me pasoja të rënda për buxhetin, pasi përmes tij u shmangën mbi qindra milionë euro taksa. Nga tetori 2016 deri në tetor 2017, IRTC prodhoi përmes ARMO-s rreth 160 mijë tonë karburant që u tregua në tregun vendas përmes IRTC dhe Tosk Energji.
Përfshirja tek inceneratori
Në fund të vitit të kaluar, njerëzit e Tosk Energji mbinë papritur tek inceneratori i Tiranës. Sipas një marrëveshje të vitit 2022, një kompania e quajtur Icare Holding ishte bërë pronare e 40 për qind e aksioneve të inceneratorit të Tiranës, pasi kishte marrë përsipër të siguronte paratë për ndërtimin e tij.
Icare është një kompani e regjistruar në Zvicër me pronar, Max Abitbol. Në Shqipëri ajo zotëron degën Icare Energji, e cila ka për administrator shtetasen Marigona Metaj, dhe anëtarë të Këshillit Mbikqyrës, Blerim Hoxha dhe Joel Jacques Jean Chevallaz. Të tre këta kanë qenë pjesë e stafit drejtues të Tosk Energji, kur ajo shfrytëzonte ARMO-n dhe financohej nga Gunvor.
Blerim Hoxha u përmend nga ish zv/kryeministri Arben Ahmetaj në intervistën e tij për çim Pekën. “Pronari 40 përqind i inceneratorit tashmë rezulton biznesmeni kosovar Blerim Hoxha. Investigoni për këtë person. Ka qenë edhe më herët në Shqipëri, ka marrë kompaninë e naftës ARMO, ka shitur naftë, ka shitur skrap. Shikojeni se me kë ka punuar dhe kush i ka krijuar akseset”, deklaroi Ahmetaj.
Por menjehërë pas kësaj interviste reagoi zoti Hoxha. Ai tha se kompania Icare Holding nuk është pronare e 40 për qind të aksioneve të inceneratorit, pasi marrëveshja për gjetjen e parave për ndërtimin e tij nuk u finalizua. Sipas Hoxhës, pasi Icare nuk arriti të gjente paratë ajo i riktheu sërish aksionet e Geogenix tek kompania Franco Tossi.
Megjithatë për opozitën faktet janë të qarta. “Icare Groupt është një kompani që përfshin tre individë që janë Marigona Metaj, Blerim Hoxha dhe Christof Dagbord dhe këto të fundit janë të përfshirë në rafinerinë e ARMO dhe e dërguan për skrap. Metaj dhe Dagbord zotërojnë kompanitë Tosk Energy dhe Bylis Energy të cilat financohen nga kompani ruse të futura në listën e zezë nga SHBA. Inceneratori i Tiranës financohet nga kompani ruse, pra futen para ruse”,” deklaroi pak ditë më parë Belind Këlliçi.
Nga Alfapress