“Shefat e krimeve marrin para dhe u garantojnë mbrojtje”, Artan Hoxha zbardh detajet ‘bombë’ për aksionin më të fundit të SPAK
“Shefat e krimeve marrin para dhe u garantojnë mbrojtje”, Artan Hoxha zbardh detajet ‘bombë’ për aksionin më të fundit të SPAK
2 NËNTOR 2021
Gazetari Artan Hoxha ka zbardhur detaje nga hetimi që ka nisur dje Prokuroria e Posaçme ndaj 13 kompanive “call center” me qendër në Tiranë pasi dyshohet se kanë mashtruar me shuma të mëdha një numër të konsiderueshëm qytetarësh të Bashkimit Evropian.
Sipas Hoxhës, SPAK nuk duhet të kontrollojë vetëm ato call center-a që janë të regjistruara në QKB, por edhe ato që operojnë në të zezë. Këto të fundit sipas Hoxhës përbëjnë 99% të rasteve.
Hoxha ngriti shqetësimin se vendi ynë po bëhet shqetësim serioz për shtetet anëtare të BE-së.
“Edhe afrikanë janë gjetur duke ushtruar këtë aktivitet. Krimi kibernetik duhet të jetë prioritet, duhet të investohet në burime njerëzore e logjistikë.”
Për gazetarin, i cili citon informacione të mbledhura ndër vite, shqetësues është fakti që Shqipëria është kthyer në një territor “pjellor” dhe këto aktivitete janë përhapur në territor si kërpudhat.
Mbrojtësi kryesor i këtyre bizneseve, sipas Artan Hoxhës ka qenë ndër vite policia e shtetit.
“Për këtë lloj aktiviteti nuk ka pasur kontroll, mbrojtësi kryesor i kësaj pune ka qenë policia e shtetit. Shefat e krimeve, e dinë se ku është pjesa dërrmuese e tyre. Kanë pranuar rryshfet, janë paguar. Edhe bizneseve vendase u kanë krijuar probleme. U desh ardhja e drejtorit të ri, një nga kërkesat e tij ishte që të bëhej një kontroll i imtësishëm për gjithë call center-at në Shqipëri. SPAK-u ka filluar të hetojë këta që janë me letra, por 99 për qind e tyre janë pa letra. Paguajnë thjesht ata të tatimeve kur kalojnë aty dhe policinë e shtetit.”, tha Hoxha.
Këto biznese informale që po pasurojnë kryesisht shtetas të huaj, shmangin kryesisht Gjermaninë dhe Shtetet e Bashkuara dhe kryesisht aktivitetin e shtrinë në Itali, Spanjë, Belgjikë, Holandë dhe Francë.
Ai që shfrytëzohet në rastin e Shqipërisë, shpjegon gazetari, është një vakum ligjor që këmbimet në bursë as nuk i lejon, por as nuk i ndalon.
“Shqipëria ka miratuar ligjin për kriptomonedhat që e kanë miratuar vetëm tre vende në BE. Por nuk janë bërë aktet në ligjore. Brenda territorit është krijuar një nivel shumë i lartë informaliteti, aty lëvizin para. Nëse pyet autoritete, këmbimet në bursë, nuk janë as të ndaluara as të lejuara. Kemi një vakum ligjor, prandaj zgjidhet Shqipëria.”, tha Hoxha.