Shekspiri, një premierë shqiptare nga Justin Anderson
Regjisori Justin Andeson thote: “U përpoqëm, duke filluar nga detajet, kostumet, lëvizjet, dialektët, muzika të ishte specifike dhe përfaqësuese e trevave shqiptare”.
Teatri Metropol çel këtë fillim dimri premierën absolute “Nata e Dymbëdhjetë” të Uilliam Shekspir. Kjo komedi, e cilësuar si nga veprat më të mira të Shekspirit, ngjarjet e së cilës zhvillohen në Iliri, vihet në skenë nga regjisori amerikan Justin Anderson, i cili ka një eksperiencë të gjatë artistike si regjisor dhe drejtor i Teatrit Aurora në Atlanta.
“Nata e Dymbëdhjete” është një premierë tipike shqiptare, me vendngjarje në Iliri, ku ndërthurren traditat shqiptare nga jugu në veri, me emra personazhesh, muzikë e kostume, aq sa vetë shfaqja të kthen pas në kohë e të kujton rrënjët shqiptare, kohën e Lord Bajronit dhe Ali Pashë Tepelenës.
E tillë mund të vinte kjo shfaqje,falë bashkëpunimit mes dy artistëve; njërit amerikan, regjisorit Justin Anderson dhe njërës shqiptare, drejtoresha e Teatrit Metropol, Jonida Beqo.“Partneriteti ynë le të themi ka nisur nëntë vjet më parë në bashkëpunime të mëparshme që kemi patur me Jonidën. Ndërsa biseda konkrete për “Natën e Dymbëdhjetë”, ku ka një ndërthurje mes dy kulturave asaj shqiptare dhe amerikane, nisi një vit më parë.
Duke qëne se kjo vepër e Shekspirit ekziston prej 400 vitesh, e botuar në shumë gjuhë të botës dhe meqë specifikisht autori e ka vendosur në Iliri, menduam që do të ishte një mundësi shumë e mirë e ndërthyrjes së këtyre dy kulturave. Unë isha shumë i vetëdijshëm se ajo pjesë që ne po krijonim të ndihej si pjesë e vendit, pjesë e kulturës dhe estetikës. U përpoqëm, duke filluar nga detajet, kostumet, lëvizjet, dialektët, muzika të ishte specifike dhe përfaqësuese e trevave shqiptare”, thotë Justin Andeson.
Ashtu si shumë komedi të tjera të Shekspirit, edhe kjo komedi përqendrohet mbi identitetin e rremë. Ndërthuren karaktere e situata nga më të ndryshme me nota realiste e lirike, komike e dramatike, plot humor e trishtimin. Vepra pati premierën mbrëmë e do të vijojë deri në 17 dhjetor e pastaj do të vijoj në muajin janar e shkurt 2018. Po cila është historia e kësaj komedie kaq romantike?
Në brigjet e Ilirisë, gjatë një shtrëngate mbytet një anije, në të cilën udhëtonin dy binjakët; Viola (Armela Demaj) dhe vëllai i saj binjak, Sebastiani (Silvio Goskova). Pas daljes në breg, Viola mendon se vëllai i saj ishte mbytur, pasi trupi i tij nuk gjendet askund. E dëshpëruar, ajo mendon se çfarë pune mund të bëjë për të siguruar jetesën dhe vendos të shkojë të punojë pranë Kont Orsinjos, (Florian Agalliu) e veshur si mashkull dhe vetëquhet Çerçiz. Konti Orsinjo (Florian Agalliu) sillet përreth duke kënduar dhe duke menduar për Olivian, (Rozi Kostani), të cilën e dashuron plot pasion.
Pasi Çerçizi nis punën aty, bie në dashuri me Orsinjon. Kont Orsinjo, nga ana tjetër dërgon Cerçizin te Olivia, ti tregojë për dashurinë që ka për të. Mirëpo Olivia, e cila mendon se Cerçizi është mashkull, bie në dashuri me të. Ndërkohë, një personazh tjetër, Maliqi (Mehmet Xhelili), dëshiron të martohet me Olivian. Kjo situatë fut në skenë Tobi Bej (Guri Koçon), xhaxhanë e Olivias, shërbyeset Maro (Elona Hyseni) dhe Asllan (Erin Kujofska) dhe Loço, kllounin i shtëpisë (Neritan Liçaj). Ata i punojnë një rreng Malvolios.
Maro shkruan një letër Malvolios, sikur e ka shkruar Olivia, ku I tregon se do të martohet me të. Ndërkohë Sebastiani është gjallë dhe mendon se motra e tij, Viola ka vdekur. Ai arrin në brigjet e Ilirisë, i shoqëruar me Antonio (Erjon Hodo), mikun e tij. Endriu Aga (Shkëlzen Berisha), duke parë afeksionin e Olivias ndaj Cerçizit e fton këtë të fundit në duel. Ndërkohë në duel, shfaqet Sebastiani dhe jo Cerçizi. Olivia i kërkon atij të martohen, por Sebastiani, nuk e njeh.
Antonio arrestohet nga rojet e Kont Orsinjos dhe i kërkon Violës-Cerrcizit ndihmë duke kujtuar se është Sebastiani. Po ajo nuk e ndihmon, kështu Antonio mendon se Sebastiani e tradhëtoi. Këtu, Viola kupton se vëllai i saj mund të jëtë gjallë. Sekreti zbulohet kur dy binjakët dalin para Kont Orsinjos dhe Olivias. Si përfundim Orsinjo lidhet me Violën, ndërsa Olivia me Sebastiani.
Justin Anderson është regjisor në Atlanta – Xhorxhia me shumë çmime në SHBA. “Nata e Dymbëdhjetë”është i pari projekt ndërkombëtar i tij. Aktualisht është Drejtor Artistik i Teatrit Aurora në Lawrenceville, Xhorxhia. Puna e tij regjisoriale shoqërohet dhe me dy nominimi si regjisori më i mirë i shfaqjeve “Les Miserables”, “The bridges of madison county” në Teatrin Aurora, përkatësisht në vitin 2013 dhe 2017.
Shfaqja e fundit e tij është “Abigail/1702” nga Roberto Aguirre në Teatrin Aurora. “The hunchback of notre dame” nga Peter Parnell, Alan Menken dhe Stephen Schwartz. “In the heights” bashkëpunim i Teatrit Aurora me Teatrin Outfit, “The city” nga Anthony Giardina me CompaninënTeatrore Horizont. Një bashkëpunim tjetër është shfaqja “Vanja, Sonja, Masha dhe Spajk”. I angazhuar edhe si regjisor filmash në “Singles in agriculture” nga Abby Rosebrock, “Split in three” nga Daryl Lisa Fazio, shfaqjen “Harabel” nga Jonida Beqo, “The fabuloues lipitones” nga Mark St. Germain dhe John Markus, “Angry fabs” nga Topher Payne dhe “Time betëeen us” nga Brett Schrier dhe Tess Barker.
Ka studiuar në Universitetin Rutgers, ku ka pasur mundësinë të bashkëpunojë me Amy Saltz, Pam Berlin, William Carden dhe Deborah Headwall. Anderson aktualisht është pedagog në Departamentin e Teatrit dhe Studimeve të Performancës, në Universitetin Shtetëror të Kennendës, ku jep mësim në teatrin veprues dhe muzikor. Më parë ka punuar si Drejtor i Prodhimit të KidStuf në Kishën e Komunitetit të Pikës së Veriut (2009-2013), dhe Koordinator i Teatrit, në Universitetin e Arteve (2004-2008).
7 dhjetor 2017 (gazeta-Shqip.com)