Shembet banesa monument kulture në Lezhë, Ministria e Kulturës nuk ndërhyri
14 Shkurt 2024
Për shkak të mosndërhyrjes një tjetër objekt monument kulture u kthye në gërmadhë.
Shtëpia e Zekajve në lagjen “Sheher” të qytetit të Lezhës ishte banesë dy katëshe karakteristike qytetare që dikur shërbente si muze dhe mbante statusin monument kulture i kategorisë së parë.
Por objekti që nuk ishte restauruar asnjëherë degradoi nga lagështira, e për pasojë çatia dhe muret kanë rënë thuajse plotësisht. Por rrënimi i banesës 300 vjeçare, me arkitekturë të veçantë ishte paralajmëruar më herët nga specialistët e fushës së trashëgimisë kulturore.
Përgjegjësi i Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë e Lezhës Paulin Zefi ka pohuar për mediat se tetë vjet më parë i ishte drejtuar Ministrisë së Kulturës për të parandaluar degradimin e këtij objekti. “Kisha bërë thirrje Ministrisë së Kulturës para 8 viteve, por nuk ndërhyri. Bashkia e Lezhës nuk ka të drejtë të ndërhyjë se është objekt i mbrojtur nga shteti. Vetëm në ambientet e jashtme mund të ndërhyjë bashkia, por tashmë s’ka mbetur asgjë”, shprehet Zefi. Banesa e Sali Bajram Zekës në lagjen “Sheher” që ishte monument-kulture i kategorisë së parë, është marrë në mbrojtje nga shteti që në vitin 1963, por mungesa e vëmendjes nga Ministria e Kulturës e çoi në degradim.
Ky nuk është i vetmi objekt për të cilin herë pas here kanë reaguar specialistë të trashëgimisë sonë kulturore, duke kërkuar më shumë vëmendje nga instucionet përgjegjëse. Edhe më parë ka pasur objektet të cilat janë lënë pa ndërhyrje, duke çuar në rrënimin e tyre.
Gazeta Sot