Shembja e banesave në “5 maj”. – Fadroma hyn t’i prishë shtëpinë, policia arreston kryefamiljarin, s’pranoi ta lirojë (Foto)
Shembja e banesave në “5 maj”. – Fadroma hyn t’i prishë shtëpinë, policia arreston kryefamiljarin, s’pranoi ta lirojë (Foto)
19 JANAR 2022
Tiranë– Në zonën e ‘5 Majit’ në Tiranë njofohet se po tentohet që të kryhet shembja e shtëpisë së radhës, pjesë e projektit të Bashkisë së Tiranës për Rindërtimin.
Kryefamiljari F. M., me origjinë nga Dibra, me dokumentet e shtëpisë në dorë, është arrestuar nga forcat policore për shkak se nuk ka pranuar vullnetarisht të lirojë banesën e tij. Ai ka kundërshtuar po ashtu të lidhë marrëveshjen me Bashkinë e Tiranës, e cila është konsideruar jo vetëm nga ai, por edhe nga ekspertë të ligjit krejtësisht e njëanshme dhe e paligjshme.
Momentalisht, forcat policore e kanë rrethuar shtëpinë në të gjitha anët, ndërkohë që brenda saj janë djemtë, gruaja dhe vajza. Policia dhe krerët e forcave policore po tentojnë të dakordësohen me familjarët që janë mbyllur brenda shtëpisë, por deri tani askush nuk pranon të dalë jashtë saj.
Më datë 13.01.2022 kjo familje është njoftuar nga Bashkia Tiranë dhe Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit të bëjnë lirimin e shtëpisë për t’i hapur rrugë ndërtimit në zonën e “5 Majit”. Më datë 15.01.2022 kryefamiljari i është drejtuar Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Komisionit të Posaçëm të Shpronësimit si dhe Avokatit të Popullit duke kërkuar ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për saktësimin e sipërfaqes së ndërtimit, dhe aksesimin e të gjitha akteve juridike të bashkisë dhe këshillit bashkiak Tiranë.
Kësaj familjeje, siç është dhe rasti i shumë familjeve të tjera, nuk ju është garantuar strehimi në rast të lirimit të objektit. Kontrata e paraqitur nga ana e Bashkisë Tiranë nuk garantonte modalitetet e strehimit në të ardhmen, duke mos u dhënë asnjë informacion se ku do të ishte prona e tyre që do të merrnin dhe sa do të ishte sipërfaqja e përfituar.
Gazeta Shqqip