SHËN IRINEU I ARDENICËS

Nga: At Foti Cici

Më 25 nëntor 1973 mërgoi nga kjo botë e zhdrejtë një burrë i drejtë dhe një shpirt i ndritur, Imzot Irine Banushi, një figurë fisnike dhe e panjollshme e popullit tonë dhe një nga shenjtorët e rinj të Krishtërimit Ortodoks, edhe pse i harruar dhe i shkelur nga hierarkia e sotme kishtare në Shqipëri.

I përndjekur dhe i internuar nga pushtuesit fashistë, kleriku ortodoks do t’i vuante përndjekjet dhe abuzimet më të mëdha nga regjimi komunist, në burgje dhe internime të njëpasnjëshme, i persekutuar deri sa dha shpirt, në moshën 67-vjeçare.

Peshkopi shkodran e mbrojti dhe e dëshmoi besimin e tij si pakkush tjetër në Shqipëri, me bëma e shenja të mëdha, ku burrëria dhe guximi i madh patën çaste të një besimi dhe hollësie të pashoqe, siç ishte shpëtimi i Manastirit të Ardenicës, kur rinia komuniste shkoi atje për ta prishur.

Ndërsa dy hierarkët e mëparshëm të përndjekur, kryepeshkopët e KOASh-it Kristofor Kisi dhe Visarion Xhuvani, vdiqën para ndalimit të fesë (1958 dhe 1965), Imzot Irineu iku nga kjo botë pa shërbesën e varrimit. Ai vazhdon ende sot i ndëshkuar: i braktisur dhe i mohuar në varrezat e Kombinatit, në Tiranë.

Kur Kryepeshkopi Anastasios ishte në ankth për t’u ngulur dhe për t’u pranuar në Shqipëri, bëhej edhe ndonjë përshpirtje për Irine Banushin, qoftë dhe për sy e faqe. Në këtë mënyrë, përdorej emri dhe kujtimi i tij, edhe për të mbrojtur projektin shkombëtarizues në komunitetin ortodoks.

Imzot Irine Banushi

Mbas 27 vjetësh, mbasi Kryepeshkopi e ka kapur mirë jo vetëm KOASh-in, por dhe kreun e Shtetit, nuk duket se ai ka ndërmend ta rehabilitojë Imzot Irineun, të nisë procesin e kthimit të eshtrave të tij në Ardenicë, dhe t’i kryhet atje shërbesa e mohuar a varrimit, gjë që në vitin 1973 ishte e pamundur nga armiqtë e besimit.

Kryepeshkopi Anastas është kaq i fuqishëm sot në Shqipëri, saqë diçka e tillë është shumë e lehtë të arrihet. Përse jo?

Për kryepeshkopët Kristoror Kisi dhe Visarion Xhuvani ekziston një arsye politike, si hakmarrje në heshtje për luftën e tyre në mëvetësimin dhe kombëtarizimin e Kishës, prandaj dhe eshtrat e tyre nuk pranohen në kishat dhe manastiret e KOASh-it. Për Peshkopin e Apollonisë dhe Igumenin e Ardenicës, Irine Banushin, ekziston një arsye njësoj e madhe dhe kërcënuese: Shenjtëria e Kishës vendore, shqiptare!

Nëpërmjet shtypit dhe medias, shkollave të katekizmës, teksteve edukative për fëmijtë dhe të rinjtë, auto-ikonave dhe auto-afreskëve, dhe gjithmonë me mercenarët e ardhur nga jashtë komunitetit ortodoks (nga Greqia dhe familje myslimane), Janullatosi ka themeluar me forcën e parasë “Kultin e Anastasit”, duke na bërë të besojmë një mashtrim, se ai qenka “Alfa dhe Omega”, fillimi dhe fundi i Kishës sonë!

Për shumë ortodoksë në Shqipëri, anastasizmi nuk është më ideologji, por besim fetar!

Zhbërja e sfondit dhe ndërgjegjjes kombëtare në Kishë, e figurave shqiptare dhe e shenjave të mëdha vendore, është një nga tri pikat kryesore të projektit shkombëtarizues të Janullatosit: tok me ndalimin e përkthimeve liturgjike, duke u mjaftuar me 6% të himnologjisë së trashëguar shqip, dhe të zhbërjes së diasporës shqiptare, mbasi u shfuqizua neni përkatës nga Statuti i KOASh-it, duke bllokuar kështu hapjen e kishave të reja jashtë Shqipërisë.

Le të lutemi që Kryepeshkopi Anastas të përmendet nga dehja dhe hyjnaja e lavdisë vetjake dhe të shporrë sanço-pançot që e qerthullojnë si korbët kufomën, ata që nuk e lënë të kthehet dhe të ndreqë gabimet dhe gafat e mëdha!

Imzot Irine Banushi

Ejani në vete, Fortlumturi, pendohuni për mëkatet dhe qëndrimin auto-kultist dhe heretik në Kishë, që të gjykoni drejt dhe të rehabilitoni figurat e mëdha kombëtare dhe kishtare në Shqipëri, siç është Irine Banushi, dëshmori i hirshëm i Ardenicës së shenjtë, manastiri i Hyjlindëses dhe i Skënderbeut! Amin!

Huazuar nga –Albanian Orthodox – Shqiptar Ortodoks.