Shën Tereza si “drag queen” në shfaqjen që provokon për jetën e nobelistes

Joshua William Gelb si Nënë Tereza në performancën “I Am Sending You the Sacred Face”

Në performancën teatrale – muzikore “I Am Sending You the Sacred Face”, Shën Tereza vjen ndryshe. Ajo këndon, është “drag queen” dhe përpëlitet me dyshimin për ekzistencën e Zotit. E gjithë performanca zgjat rreth 40 minuta. Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza e Kalkutës dhe shenjtëresha, ishte një murgeshë dhe misionare me prejardhje shqiptare që u lind në Shkup. Në shfaqje asaj i bëhet një portretizim ekspresionit.

Heather Christian për realizimin e “I Am Sending You the Sacred Face” (Po jua dërgoj fytyrën e së shenjtëruarës) e ka incizuar veten duke kënduar dhe duke lexuar monodramën e saj, shkruar në mënyrë hipnotike me disa pjesë të marra nga fjalimet e Nënë Terezës dhe nga ditari i saj me këngë të inspiruara nga poema “Dark Night of the Soul” e Shën Gjonit. Një poemë që vë në pah dyshimin e tmerrshëm të besimit për ekzistimin e Zotit. Autorja e tekstit Christian është fituese e çmimit “Obie”, që ndahet nga gazeta “The Village Voice” për artistë ose grupe teatrore nga New Yorku.

Të “I Am Sending You the Sacred Face” gjersa dëgjohet zëri i Christianes, publiku sheh performancën dhe sinkronizimin me buzë të Joshua William Gelb. Për të luajtur Nënë Terezën, Gelb kishte marrë udhëzime nga koreografja Katie Rose McLaughlin dhe nga “dramaturgu drag”, Dito van Reigersberg.

Gelb gjatë performancës së tij përdor kryesisht kostumin – një sari i bardhë me të kaltër – të cilin e vishte Nënë Tereza. Ndonjëherë Gelb (Nënë Tereza) paraqitet si i vetëm e ndodh që të vijë edhe në tri pamje.. E gjithë kjo është bërë nga “Theater in Quarantine”, një kompani teatrore amerikane e cila që nga marsi është duke dhënë shfaqje online. Gilber interpreton nga banesa e tij në “East Village” në New York.

“I Am Sending You the Sacred Face”, e lë publikun për të vënë në pyetje faktin sesi një grua e cila kishte lindur në kushte të rehatshme, e që mundohej të lehtësonte vuajtjet e të varfërve, bëri pak për të ndaluar varfërinë, pasi që e konsideronte diçka madhështore.

“Më pëlqen bollguri i kalbur, më kënaq në ditët e urisë”, këndon Nënë Tereza te pjesa që ka titullin “Poverty Talk”, “Fjalimi i varfërisë” që nxit mendim nëse vetësakrifikimi i saj është një heroizëm apo mazokizëm. “Unë nuk isha e varfër, unë e zgjodha atë, njëlloj si këtë veshje”, thotë Nënë Tereza në performancë. Performanca përfshin edhe fjalimin e Nënë Terezës gjatë pranimit të çmimit “Nobel” për paqe.

Heather Christian, e cila ka shkruar, kompozuar dhe incizuar “I Am Sending You the Sacred Face”, ka thënë se ajo është një letër dashurie për komunitetin drag. Kishte gjetur shpejt një arsye. Ka thënë se i kishte shërbyer fakti se ajo përbrenda ishte jo domosdoshmërisht ajo që njerëzit e mendonin.

“Edhe pse ajo ka nderim dhe respekt për karakterin e saj, nuk ndihet se ka përgjegjësi për të, është një lloj avatari që ka dalë nga shpirtit i saj dhe trupi dhe e ka bërë këtë karakter dhe ajo e kupton që ky karakter u ndihmon të tjerëve, por ajo përbrenda ndihet si diçka që është e humbur dhe konfuze”, ka thënë Christian gjatë një diskutimi online pas performancës bashkë me Gelb, Katie Rose McLaughlin dhe Dito van Reigersberg.

Dom Lush Gjergji, vikar i Ipeshkvisë së Kosovës dhe biograf i Shën Nënës Terezë, ka thënë se parimi bazë teologjik katolik është se çështjet dhe njerëzit e shenjtë duhen trajtuar në mënyrë të shenjtë.

“Prandaj çdo mendim, vlerësim dhe paraqitje që nuk i përmbahet këtij parimi bazë, është i njëanshëm, jo i saktë, cenim i personalitetit të figurës së shenjtë. Po ashtu, duhet pasur para sysh edhe disa parime të tjera: ajo është shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu, pastaj murgesha motra Tereze Bojaxhiu e ‘Motrave të Loretos’, së fundi themeluesja e ‘Misionareve të Dashurisë’, Nëna Tereze, si dhe e shumë degëve të tjera, e lumturuar dhe e shenjtëruar. Prandaj gjithmonë duhet të thuhet e vërteta, dhe ajo të përcillet me dashuri, apo siç thuhet latinisht: ‘veritas in caritatae’”, ka thënë ai.

Sipas tij, nëse veprat nuk iu përmbahen këtyre parimeve bazë, nuk është në përkim me jetën dhe veprën e Shën Nënës Tereze, shenjtëreshës së jetës dhe të dashurisë, nuk është paraqitje e mirë, e drejtë, e vërtetë, e plotë, por e njëanshme, dhe si e tillë, edhe e dëmshme dhe qëllimkeqe, pa ndonjë shije dhe domethënie jetësore. Sipas tij, paraqitja e Nënë Terezës si drag, është edhe fyese për jetën dhe moralin e krishterë.

“Nëna Tereze është e të gjithëve dhe për të gjithë, ajo që edhe gjatë jetës dhe veprimtarisë tokësore ka tejkaluar çdo ndarje dhe përçarje, për krijimin e një njeriu, një familjeje dhe shoqërie të re, që do të mbështetet në pranimin dhe mbrojtjen e jetës dhe në qytetërimin e dashurisë. Mendoj që paraqitja e tillë nuk i ka fare këto qëndrime dhe synime, por synon manipulimin apo vogëlsimin e saj për diçka tjetër”, ka thënë Gjergji.

Ka shtuar se postulatori i saj zyrtar është atë Brian Kolodiejchuk, misionar i dashurisë, por edhe strukturat e tjera kishtare, kanë për detyrë t’i mbrojnë jetën dhe veprës e saj, sidomos pas shenjtërimit. Sipas mendimit të tij, publiku i mirëfilltë dhe qëllimmirë do të hetojë se kjo paraqitje është e dobët, qëllimkeqe, tendencioze, dhe si e tillë e dëmshme.

Por Helen Shaw për “Vulture” ka shkruar se Christian dhe Gelb kanë bërë një gjë të pasur dhe të dobishme.

Jesse Green, ka shkruar për “New York Times” se performanca e ka lënë me dëshirën për të parë më shumë, diçka që zakonisht nuk ndodh për materiale të paqarta.

“Paradoksi këtu është i dobishëm. Si mund ta kuptojmë një grua që dërgoi zotërimin e saj për varfëri në ekstrem aq të madh, saqë u pa si një pasuri- ose madje, për disa, psikopatologji?”, ka shkruar ai.

Nga Koha.net