
Sherifi i ri dhe llogoreja e dhëndrrit të Ballkanit të Hapur, që i është kthyer dashurisë për Europën
– 16 Shkurt 2025
– Nga Agim Nesho
Rama ju kthye sot dashurisë së refuzuar nga Europa e Bashkuar për dhëndurët ballkanikë, dashuri të cilën e refuzonte dhe e nëncmonte në momentet kur me A. Vucic dhe A. Soros ndjeheshin të sigurtë për Ballkanin e tyre të Hapur. Në Konferencën e Sigurisë në Munich, ai e ktheu veten në njeriun pro-europian të flaktë, të cilit nuk i mungonte dhe “vizioni” se si mund të bëhej BE e rëndësishme përpara Sherifit të ri të SHBA-së.
Ai, dëshpërimisht, nuk kishte pozicion tjetër prezantimi, kur zv. Presidenti Vance foli për humbjet e vlerave të shoqërisë europiane dhe shembulli i referuar ishte Shqipëria. Shqipëria me një regjim putinesk, ku opozita persekutohet, liderët e opozitës futen në burg, ku gazetarëve që investigojnë ju mbyllet goja dhe mediat janë nën kontroll të kryeministrit. Ai ishte i vetmi që përdori disa herë shprehjen “Sherifi” për të prekur Europën në krenarinë e saj, pa fshehur në subkoshiencën e tij se sherifi amerikan (një institucion i zgjedhur nga populli) është si kryqi për drakulën e regjimeve të bandokracisë. Sherifi i sotëm është në luftë me krimin, me drogën, me pastrimin e parave në ndërtim nga mafia, me politikanët që ju japin licensa kazinoje përfaqësuesve të Sinaloas dhe manipulojnë zgjedhjet.
Rama ju kthye Europës së Bashkuar pasi e shpërfytyroi Shqipërinë dhe e ktheu në një plackë tregu, pasi i dha gjithë pasuritë e vendit fuqive jo europiane dhe arabëve të pasur, pasi e ktheu Shqipërinë në një hambar të mbledhjes së emigrantëve, jo për të shpëtuar Europën por për të siguruar karrigen e tij.
Pasi instistoi që integrimi i Ballkanit Perëndimor është jo vetëm në interes të vendeve ballkanike por edhe të vetë BE-së, shpalosi “vizionin” e tij që një Europë e Bashkuar e një tregu prej 700 milion do të jetë imponuese kur të diskutojë me SHBA-në. Nga pasioni për tu bashkuar për t’i treguar dhëmbët sherifit të ri që e quan Ramën një kukull të Soros-it, ai gabon në numrat e popullsisë së Europës (ose e bën qëllimisht) duke i bashkuar asaj popullsinë e Federatës Ruse. Duket se influenca e Vucic dhe përfshirja e tij në projektet serbo-ruse për Ballkanin i kanë forcuar bindjen se Rusia duhet të jetë pjesë e Europës.
Sot Rama tregoi hipokrizinë e tij që nga njëra anë “Europën e ka bekuar Zoti që të shkundet nga ardhja e Sherifit të ri”, dhe nga ana tjetër se si Europa duke u bashkuar mund ti imponohet “rrezikut” të sherifit të ri.
Por ai harroi se një Europë që bashkohet me bandokracinë dhe mafiokracinë ballkanike mund të rritet në numër por kalbet nga brenda.
Ky ishte dhe mesazhi i Zv. Presidentit Vance për ruajtjen e vlerave perëndimore, të cilat Rama i ka vështirë për t’i përtypur.