Shfaqet gripi i shpendëve H5N1, rreth 600 pelikanë të ngordhur në Prespën e Vogël Mars 2022

Shfaqet gripi i shpendëve H5N1, rreth 600 pelikanë të ngordhur në Prespën e Vogël

11 Mars 2022

Pelikanët rozë mbërrijnë në Prespë nga zonat e tyre të dimërimit të ndodhura në Afrikën Sub-Sahariane.

Një shpërthim i fortë i Gripit të Shpendëve po vërehet këto ditët e fundit në në koloninë e Pelikanit kacurrel (Pelecanus crispus) në anën greke të Liqenit të Prespës së Vogël. Ky fakt u raportua dje publikisht nga Shoqata per Ruajtjen e Prespës (Society for the Protection of Prespa) me vendndodhje në Agios Germanos, Prespë, Greqi.

Statistika Shfaqet gripi i shpendëve H5N1, rreth 600 pelikanë të ngordhur në Prespën e Vogël

Ngjarjet masive të vdekshmërisë filluan rreth datës 15/02/2022, rreth një javë pasi individët e parë të Pelikanëve kacurelë kishin mbërritur në Prespë nga zonat e tyre të dimërimit në Greqinë verilindore dhe në Turqinë perëndimore.

11 ngordhjet e para të Pelikanëve u regjistruan më 17 Shkurt 2022. Numri u rrit në 17 më 21/02 dhe në 60 më 23/02. Një ekzaminim i kujdesshëm i fotografive të kolonisë më 25/02 dokumentoi gjithsej 209 trupa të Pelikanëve kacurrel, plus 1 Çafkë të përhime të ngordhur. Shumë shpendë ende të gjallë shfaqën ndërkaq simptoma neurologjike të Gripit të Shpendëve. Më 02/03 u numëruan gjithsej 240 Pelikanë të vdekur, plus dy Mjellma me xhungë (Cygnus olor), dhe më 03/03 u regjistruan gjithësej 574 PD të ngordhur!

Të gjithë pelikanët ishin individë të rritur dhe trupat ndodheshin në ishujt e folezimit ose në ujë në afërsi të kolonisë.

Më 02/03 Laboratori Kombëtar i Referencës për Gripin e Shpendëve shpalli rezultatet laboratorike nga dy mostra, të cilat tregonin variantin shumë patogjen H5N1 të Gripit të Shpendëve dhe masat e biosigurisë për menaxhimin e shpendëve shtëpiakë u njoftuan nga autoritetet veterinare rajonale.

Nga rreth 1000 Pelikanë kacurrel të mbërritur në Prespë në 15 ditët e para të Shkurtit, deri më tani është regjistruar një humbje në shkallë të gjerë prej gati 60%. Në të njëjtën kohë, gjithnjë e më shumë Pelikanë po mbërrijnë pothuajse çdo ditë nga liqeni i Kerkinit në Greqinë veri-qendrore dhe ligatina të tjera dimëruese.

Statistika Shfaqet gripi i shpendëve H5N1, rreth 600 pelikanë të ngordhur në Prespën e Vogël

Përvec sa më sipër, në Prespë kanë mbërritur tashmë katër Pelikanët rozë (Pelecanus onocrotalus) të parë, ndërsa shumica e tyre pritet të mbërrijnë më vonë, në Mars dhe Prill. Pelikanët rozë mbërrijnë në Prespë nga zonat e tyre të dimërimit të ndodhura në Afrikën Sub-Sahariane. Ata kalojnë përmes Izraelit dhe Turqisë. Kohët e fundit, një vdekshmëria në shkallë të gjerë e shkaktuar nga varianti H5N1 i Gripit të Shpendëve u regjistrua në Izrael (në fund të 2021 dhe në fillim të 2022), kryesisht në Krillat (Grus grus), por edhe në Pelikanët rozë dhe specie të tjera përfshirë shpendë uji dhe shpend grabitqarë. Prej ku dhe rreziku i lartë për indivië të tjerë të infektuar që mund të vijnë nga zonat jugore të shtegtimit.

Progresi i shpejtë i Gripit të Shpendëve është veçanërisht shqetësues për popullatën riprodhuese të Pelikanëve Kacurrel në Greqi dhe në përgjithësi për zonën Deti i Zi-Mesdhe, pasi krijimi i kolonive të reja të Pelikanit kacurrel në Greqi dhe rritja e numrit të çifteve riprodhuese në kolonitë në Turqi gjatë dy dekadave të fundit i atribuohen kryesisht rritjes fenomenale në koloninë e Prespës që prej viteve 1980.

Statistika Shfaqet gripi i shpendëve H5N1, rreth 600 pelikanë të ngordhur në Prespën e Vogël

Nga kjo situatë e krijuar, ngrihen disa çështje kritike që lidhen dhe me veprimin e autoriteteve shqiptare. Veprimet duhet të fokusohën fillimisht në monitorimin e rasteve tek shpendët e egër në gjithë ligatinat e vendit e sidomos në Liqenet e Prespës.  Në rast të shpendëve të ngordhur duhen marrë mostrat dhe të kryhen analizat laboratorike si dhe të mblidhen kufomat për të parandaluar përhapjen e infeksionit tek shpendët e tjerë ujorë, grabitqarët, kërmangërnës etj.

Kjo është një detyrë shumë sfiduese por duket një masë mëse e nevojshme për të minimizuar shpërndarjen në ligatinat e tjera, për të mbrojtur shpendët e tjerë shtegtarë që do të mbërrijnë së shpejti si dhe për të mos lejuar përhapjen në shpendët shtëpiakë apo pularitë në afërsi të ligatinave.

Gazeta Dita