Shfaqet tek bagëtitë sëmundja e gjuhës së kaltër edhe në Çeki
7 Shtator 2024
Sëmundja e gjuhës së kaltër është shfaqur edhe në Republikën Çeke, njoftoi Ministria e Bujqësisë, duke sinjalizuar përhapjen e virusit që ka prekur tashmë Holandën, Belgjikën dhe Gjermaninë.
Sëmundja u zbulua nga testimi laboratorik te deshtë e shumimit në një fermë në Jindrichovice në rrethin Sokolov, pranë kufirit me Gjermaninë, njoftoi ministria çeke.
Dashi i infektuar shfaqi simptoma tipike të sëmundjes, duke përfshirë ethe, rrjedhje nga hunda, vështirësi në frymëmarrje dhe humbje oreksi.
Autoritetet veterinare çeke kanë krijuar një zonë kufizuese me rreze prej 150 kilometrash përreth fermës, duke përcaktuar që bagëtitë, delet dhe dhitë mund të zhvendosen në zona të tjera vetëm nën kushte strikte.
Gjuha e kaltër u shfaq në Holandë dhe më pas u përhap në jug dhe perëndim. Raste janë raportuar gjithashtu në Belgjikë dhe disa pjesë të Gjermanisë. Virusi nuk është i rrezikshëm për njerëzit.
Transmetohet nga mushkonjat dhe përhapet kryesisht te delet dhe gjedhët, megjithëse ndaj tij janë të ndjeshëm edhe ripërtypësit e egër, lamat, alpakat dhe dhitë. Një shkallë e caktuar e mbrojtjes kundër sëmundjes mund të arrihet me vaksinim.