Shi dhe erë intensive, parashikimi i motit për javën e ardhshme
16 Janar 2023
Për javën që presim përpara vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Kjo vjen si pasojë e disa qendrave të thella të presionit atmosferik me origjinë polare të cilat do të përfshijnë jo vetëm territorin e vendit tonë por edhe pjesën më të madhe të Europës.
Në këtë mënyrë moti për të gjithë javën parashikohet me vranësira mesatare dhe të dendura por nuk do të mungojnë edhe intervalet e herëpashershme dhe afatshkurtra me diell.
Në momentin e vranësiarve të dendura reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe mesatar në formën e shtrëngatave. Në disa prej ditëve përgjatë ultësirës perëndimore (kryesisht veriperëndim dhe jugperëndim) reshjet do të jenë me intensitet mesatar dhe të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me breshër dhe shkarkesa elektrike.
Në zonën e Alpeve parashikohen reshje të dendura dëbore ndërsa në relievet e tjera malore në lindje reshje dëbore me intensitet të ulët dhe vetëm ditën e Premte me intensitet mesatar.
Vlen për tu theksuar se për këto ditë pritet erë tepër intensive me drejtim kryesor nga kuadrati i jugut dhe shpejtësi që arrinë deri 20 – 25m/s ndërsa pritet edhe dallgëzim i lartë në dete të forcës 5-7 ballë.