SHI “ME GJYMA”/ Reshjet përmbytin rrugët e Tiranës e Lezhës, vonesa për tragetet. – Ja çfarë thonë metereologët
4 Tetor 2024
Në Tiranë intensiteti i reshjeve ishte i lartë çka solli për pasojë vërshimin e ujit në disa rrugë
Këto pamje tregojnë situatat e krijuara në disa zona të kryeqytetit.
Stuhi me erëra te forta dhe shi e kanë bërë të pamundur qarkullimin e këmbësorëve dhe mjeteve gjatë paradites në disa rrugë në qytetin e Durrësit.
Këto pamje tregojnë përmbytjet që pasuan reshjet e shiut në Lezhë.
Sistemi i kanalizimeve nuk e përballoi nivelin e prurjeve, duke bërë që uji të dalë në sipërfaqe dhe të vërshojë nëpër rrugë.
Situata më problematike u paraqit në bulevardin “Gjergj Fishta” dhe në bllokun e banimit “11 Janari” në lagjen Besëlidhja.
Pasojë e reshjeve të shiut, ka rritje të prurjeve në lumin Drin, niveli i të cilit është 30-40 cm poshtë pikës kritike.
Ka mjaftuar vetëm një orë të reshjeve shiu, shoqëruar me stuhi dhe erë të fortë, që uji të vërshoje në rrugët e qytetit dhe në rrugët nacionale të Bulqizës.
Lundrimi detar është ndërprerë për anijet e peshkimit, ndërsa tragetet nga Durrësi drejt Barit u nisen me 8 orë vonese për shkak te dallgëve që shkonin 6 deri 7 ballë në detin Adriatik.
Burimet nga porti detar i Durrësit bëjnë me dije se situata pritet të përmirësohet pas 24 orësh në Adriatik për lundrimet e mjeteve pa problem.
Nga Klodi Karaj