Shifrat alarmante, Shqipëria po shpopullohet, banorët e fshatrave të shqetësuar: S’ka kush na varros. –

12  tetor  2019

Prej 30 vitesh, nga Shqipëria janë larguar rreth 1 milion e gjysmë qytetarë të saj. Më shumë se gjysma e qytetarëve që jetojnë në Shqipëri. Rreth 2.862.427 banorë ka sot Shqipëria. Referuar statistikave, prej këtij numri kanë dëshirë të largohen nga 50% e tyre. Janë tri valë të emigracionit në Shqipërinë e pas vitit 1990.

E para, i përket vitit 1991, kur mijëra shqiptarë u sulën drejt brigjeve italiane me anije. Emigracioni vazhdoi edhe pesë gjashtë vitet që pasuan, por me shifra më të ulëta. Në vitin 1997, kur Shqipëri u përfshi nga kaosi, pati një tjetër valë largimesh. Pas vitit 1998, ra ndjeshëm fluksi i emigracionit për t’u rikthyer pas liberalizimit të vizave.

Vala e tretë i përket vitit 2011-2018. Fluksi në rritje i vitit 2011-2012 lidhet më së shumti me liberalizimin e vizave dhe hapjen e kufijve për shqiptarët. Është e ndryshme statistika e viteve që pasuan, sidomos vitit 2015 ku ka një numër shumë të madh të emigracionit për të vazhduar edhe sot në vitin 2019.

Nuk sheh të rinj rrugëve të fshatit. Oborret janë bosh, s’ka fëmijë atje duke lozur. Më së shumti sheh ndonjë të moshuar tek ecën për tu takuar me ndonjë prej miqve të pakët që i ka mbetur në fshat….Ky është Shishtaveci këto ditë vjeshte të vitit 2019.

Banorë në Shishtavec: “Jemi rreth 50 pleq e plaka që jetojmë në këtë fshat. Fëmijët kanë ikë. S’kanë me se të ushqehen këtu. Të gjithë kanë ikë… edhe unë që jam 67 vjeç do të ikja pot ë mundesha. Jemi vetëm ne… s’ka kush na varros.”

Dyert janë të kyçura. Ka porta që prej vitesh nuk hapen. Janë larguar në emigracion. Fshati është thuajse i boshatisur. Sipas censusit të vitit 2011 Shishtaveci ishte një ndër zonat më të populluara të qarkut të Kukësit me një popullsi prej rreth 3800 banorë. Tani atje kanë mbetur vetëm të moshuar që jetojnë të vetmuar.

“Nuk ka qenë e nuk është dëshira e të rinjve të asaj zone të braktisin prindërit dhe të largohen. Padyshim që i kanë bërë përpjekjet për të ndërtuar jetën në trojet e tyre. Por politikat qeveritare jo vetëm që nuk I kanë stimular, por i kanë penguar”, shprehet Angjelo Masafra.

“Deri para dy vitesh i kisha këtu fëmijët. Kishim një dyqan por na e mbyllën. S’kishin me se të jetonin dhe ikën. Katër fëmijët e mi janë në Angli e Austri. Nuk deshën të ikin por s’kishin rrugë tjetër”, rrëfen një tjetër banorë i fshatit Shishtavec.

Ende të parritur, fëmijët e pakët të mbetur në Shishtavec për shkak të pamundësisë së prindërve për t’u shpërngulur, duan gjithashtu të ikin. Nuk parashohin asnjë stacion tjetër ndërmjet Shishtavecit dhe Londrës. Nuk duan as të ndalojnë nëpër qytetet e vendit të tyre. Dëshira e tyre është vetëm të ikin atje ku bashkëmoshatarët e tyre prej vitesh jetojnë me familjet.

Profesor Prof. Russel King, Drejtor i Qendrës Sussex për Kërkime mbi emigracionin, e njohur në të gjithë botën, ishte në krye të një studimi për emigracionin në Shqipëri por edhe vende të tjera. Për Shqipërinë, profesor Russel King shpjegon se emigracioni nuk është vetëm për shkak të varfërisë, por nga Shqipëria po largohen njerëzit e saj më të kualifikuar. Me pak fjalë, ai pranon se Shqipërisë po i ikën truri.

“Po, e vërtetë. Shqipërisë po i ikën truri, po i ikin përvoja dhe kualifikime të nivelit të lartë. Por kjo dukuri nuk po ndodh vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe Europën Lindore. Studimi tregon se tendenca më e fundit është ajo e emigrimit të njerëzve që kanë mbaruar universitetin, i rinisë së kualifikuar në nivel të lartë, që ka dëshirë të madhe të emigrojë. 57 % e grupmoshës 18- 40 vjeç synojnë të emigrojnë. 46 % e atyre që nuk kanë emigruar asnjëherë synojnë të emigrojnë. 72% e emigrantëve të kthyer, pra e atyre që kanë qenë njëherë në emigracion, dëshirojnë të ikin përsëri. Rreth 1.4 milion vetë, pothuajse gjysma e popullsisë së tanishme të Shqipërisë, ka emigruar në Europën Perëndimore”, thotë profesor Rasëll King për DW.

Revista Monitor raporton se pak javë më parë, drejtuesit e një spitali me emër në Gjermani, erdhën në Tiranë për të rekrutuar një numër të konsiderueshëm infermierësh. Ata kërkuan përshpejtimin e procedurës për mësimin e gjuhës, duke iu dhënë një pagesë prej 400 euro në këmbim të lënies së punës nëpër spitalet shqiptare për të shfrytëzuar kohën për mësimin intensive të gjuhës gjermane. Drejtuesit e spitalit gjerman e kanë me nxitim nevojën për infermierë shqiptarë në spitalin e tyre.

Për shtetarët tanë nuk është aspak një problem për Shqipërinë ikja e infermierëve, mjekëve, inxhinierëve apo profesionistëve të tjerë. Emigrimi drejt Gjermanisë i mjekëve dhe infermierëve ka nisur në vitin 2015 me një konferencë të përbashkët mes shoqatave të biznesit gjerman dhe atij shqiptarë, me pjesëmarrjen e suksesshme të qeverisë.

Ne kemi një ministër e një qeveri që e stimulon e migrimin e bluzave të bardha drejt Gjermanisë. Ministri mburret se si qeveria ia ka dalë që fale vëmendjes tek arsimi profesional të përgatisë 250 infermierët e parë të gatshëm për tregun gjerman.

Kryeministri Edi Rama e sheh si një mundësi të mirë për ata profesionistë që kërkojnë të ardhmen e tyre në vende të ndryshme të perëndimit.

Statistika
Nga viti 2013 në vitin 2018 janë larguar nga vendi 875 mjekë. Teksa vetëm gjatë vitit 2018 janë larguar nga vendi kryesisht drejt Gjermanisë rreth 2 mijë infermierë. Sipas të dhënave nga numri i certifikatave të kërkuara pranë Urdhrit të Mjekut vetëm në vitin 2018 janë larguar 164 mjekë, nga 250 të diplomuar në fakultetin e mjekësisë.

Sipas censusit të kryer nga Eurostat në vitin 2011 rezulton 1 milion shqiptarë jetojnë jashtë vendit. Sipas Institutit të Statistikave, në vitet 2011-2017 u numëruan 330 mijë persona që ikën si emigrantë.
Nga të dhënat e fundit të publikuara nga Eurostat tregojnë se 167 mijë shqiptarë kanë aplikuar për azil në vendet anëtare të Bashkimit Europian për periudhën 2011-2017.

Vetëm gjatë vitit 2018 janë shtuar edhe 16 mijë aplikime të tjera, duke e çuar numrin total të aplikantëve në 183 mijë.

Pse ikin?!
Studimi, i drejtuar nga Russell King i Universitetit të Sussex dhe studiuesi shqiptar, Ilir Gedeshi, zbuloi se 52% e shqiptarëve në moshë 18-40 vjeç, kanë dëshirë të largohen nga atdheu.

Studimi i profesorëve Gëdeshi-King, konstaton se vala e ikjeve ka përfshirë qytetet me nivel më të lartë jetese. Sipas studimit, gjysma e personave që marrin paga nga 1000-1400 euro duan të largohen. Por gjithashtu u pa se 70% e emigrantëve të rikthyer duan të ikin sërish.

Shkollimi dhe perspektiva më e mirë e jetës është dëshira e shumë shqiptarëve, që për ta realizuar synojnë largimin nga Shqipëria. Në një intervistë për “DW”, profesor Rasell King interpreton kështu tendencën e shqiptarëve për të lënë atdheun.

“Studimi tregon se një nga arsyet kryesore pse njerëzit duan të ikin është se nuk shohin të ardhme për vete dhe fëmijët e tyre në Shqipëri. Pjesa më e madhe kërkojnë një shkollim më të mirë për fëmijët e tyre. Vendet e preferuara janë Gjermania dhe SHBA. Arsye tjetër kryesore janë të ardhurat shumë të ulëta në Shqipëri, kur kosto e jetesës sa vjen e ngrihet. Është normale që njerëzit në Shqipëri të duan të eksplorojnë mundësi për të fituar të ardhura më të mira.

Është ky grup faktorësh: të ardhura të ulëta, pakënaqësi nga arsimi i lartë, perspektiva të vakëta pune, mungesa e perspektivës për brezin e ri, që vazhdojnë të ekzistojnë duke e bërë Shqipërinë të zërë vendin e parë në Europë dhe të pestin në botë për dëshirën e madhe për të emigruar – në bazë të një studimi të IOM ( International Organization for Migration). Që kjo situatë të ndryshojë lypsen politika zhvillimi që krijojnë më shumë mundësi punësimi dhe të ardhura të mira”, tha profesor Rasëll King për DË.

Për shkak të largimit të qindra familjeve shqiptare gjatë vitit që shkoi, janë rreth 10 mijë fëmijë më pak të regjistruar këtë vit në sistemin parauniversitar. Kjo shifër pranohet edhe nga qeveria.

Shkodra
Kjo shtëpi në fshatin Postribë pak kilometra në periferi të Shkodrës. Atje kanë jetuar deri gjatë muaj më parë, një familje e madhe, gjashtë fëmijë dhe prindërit e tyre. Pas shumë përpjekjesh për t’ia dalë në vendin e tyre, ata janë larguar drejt Gjermanisë. Porta e tyre nuk është hapur qysh prej asaj dite. Kanë nisur kalvarin e mundimshëm nëpër çadrat e kampeve që iu rezervohen refugjatëve, në përpjekje për të qëndruar në vendet e BE-së. për shkak të shpërnguljes së shumë familjeve të kësaj zone, janë mbyllur edhe disa shkolla.

Një 12-vjeçar nga fshati Samrisht, pak kilometra në periferi të Shkodrës, nuk mund të mësojë në shkollën e këtij fshati sepse Ministria e Arsimit ka vendosur ta mbyllë shkollën, pasi është ulur numri i nxënësve. Prej një viti, i duhet të udhëtojë çdo ditë 5 kilometra drejt një tjetër fshati për të bërë mësim. Nuk ka asnjë arsye që ky djalë 12 vjeçar të bëje hesapet e politikës, ta justifikojë atë pse shkolla nuk mund të qëndrojë e hapur pse ikin nxënësit e a pse nuk vijnë mësuesit…. Në fund të ditës ky është një fëmijë, shtetas shqiptar që i takon me ligj e Kushtetutë të marrë shërbimin për arsim, si një e drejtë themelore e tij…. Këtë problem vuajnë mijëra nxënës në fshatrat e Shqipërisë. Ministria mbyll shkolla dhe nuk garanton asgjë për ta.

Jo vetëm fshatrat janë prekur nga emigracioni. Ka qytete turistike të cilat gjatë periudhës së dimrit boshatisen. Këto ditë tetori në Gjirokastër sheh pak qytetarë të lëvizin rrugëve të qytetit. Shumica e të rinjve largohen drejt emigracionit.

Leskoviku është gjithashtu një qytet që është prekur së tepërmi nga emigracioni. Shqipëria nuk është vend në konflikt, nuk vuan prej mungesës së burimeve natyrore, nuk është vend me regjim totalitar, por është vendi i dytë pas Afganistanit për numrin e kërkesave për azilkërkues. Një paradoks që e shesh si të tillë edhe kryeministri Emanuel Macron e parlamenti francez.

Pak ditë më parë, në parlamentin francez u zhvillua një debat për azilkërkuesit. Kryeministri i Francës, Emanuel Macron, foli edhe për Shqipërinë, ku informoi se shqiptarët janë të dytët pas Afganistanit për numrin e lartë të azilkërkuesve. “Një vend kandidat për në BE, që është i dyti për nga azilkërkuesit. Një paradoks”, tha ndër të tjera kryeministri francez.

Është paradoks, sepse Shqipëria konsiderohet vend i sigurt origjine. Pra, ka një diferencë të madhe më Sirinë apo Afganistanin, që janë vende në konflikt. Për këtë arsye, Autoritetet franceze dhe ato të vendeve të tjera të bashkimit Evropian, përgjithësisht i refuzojnë kërkesat e shqiptarëve për azil.

Rinasi, rruga drejt shtëpisë
Këtë të martë në aeroportin e Rinasit zbritën nga avioni Çarter… … rreth 60 azilkërkues shqiptarë. Ata janë kthyer nga Franca dhe Belgjika, atje ku iu është refuzuar kërkesa për azil. Çdo të martë, në aeroportin e Rinasit riatdhesohen shtetas shqiptarë që kthehen nga vendet e ndryshe të Evropës. Ata kthehen pa dëshirën e tyre, të detyruar nga autoritet e vendeve të BE-së. Kthehen pa asnjë shpresë, e gjejnë atdheun siç ishte pa asnjë mundësi për t’iu garantuar minimumin jetik. Ata nuk duan të rrëfejnë asgjë nga përvoja ndoshta e hidhur që lanë pas, për disa muaj a pak vite në çadrat e azilkërkuesve. Në rrugën e tyre drejt shtëpisë, nuk shohin ende asnjë fener e as dritë shprese për një të ardhme më të mire për fëmijët e tyre. Prandaj ata duan sërish të ikin. Shumica kanë dëshirë të ikin.

Burimi: Balkanweb