Shifrat zyrtare nxjerrin zbuluar evazionin në turizëm. – Nga 8.2 mln të huaj vetëm 1.2 milionë u akomoduan në hotele
Shtatori u mbyll thuajse me dyfishim të turistëve të huaj që pushuan në strukturat akomoduese në Shqipëri.
Sipas raportit të INSTAT në muajin shtator ishin 193.897 shtetas jo rezident që u akomoduan nëpër hotele, resorte, bujtina apo struktura të tjera në vend, duke u rritur me 67.6% në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Por përtej bumit turistik të këtij viti, rezulton se në shifra rekord ka qenë edhe informaliteti në sektor, ku pjesa më e madhe e fitimeve gjatë këtij sezoni ka shkuar tek strukturat akomoduese të pa licencuara.
Në 9 muaj Shqipërinë e kanë vizituar 8.2 milionë shtetas të huaj, por në strukturat tona akomoduese janë regjistruar vetëm 1.2 milionë shtetas jo rezident.
Sipas përllogaritjeve nga janari në shtator të huajt kanë kaluar në strukturat akomoduese 3.4 milionë net qëndrimi, ose rreth 2.8 net për person (3,456,557 net qëndrimi / /1,203.967 shtetas jo rezident=2.8… net secili person).
Pyetja që ngrihet është se ku kanë fjetur 7 milionë shtetas jo rezident?
Duke marrë të mirëqenë se një pjesë prej tyre mund të jenë shqiptar me pasaportë të huaj (nuk saktësohet nga INSTAT) dhe që mund të jenë akomoduar tek të afërmit, si dhe duke marrë në konsideratë që një pjesë e turistëve ishin nga Kosova apo nga fqinjët e tjetër dhe që janë kthyer brenda ditës në vendin e tyre, përsëri evazioni në sektor është i madh.
Dy janë alternativat e tjera që shpjegojnë një diferencë të tillë mes numrit të turistëve dhe akomodimit të tyre.
Së pari strukturat akomoduese nuk kanë deklaruar numrin e saktë të vizitorëve që kanë pasur, pasi edhe në pikun e sezonit turistik korrik-gusht ata kanë deklaruar se kanë shfrytëzuar 45-65% të kapaciteteve të tyre (dhoma e shtretër).
Por në fakt kjo shifër e deklaruar nga bizneset është e dyshimtë, pasi numri i turisteve në këto dy muaj ishte në shifra rekord.
“Unë personalisht kam pasur dy raste këtë verë, dy miq që më kanë kërkuar ndihmë pasi nuk gjeni dhomë të lirë në gjithë bregdetin. Tani si e lidhim me këtë deklarimin që hotelet kanë qenë 70% e 60% e 50% të okupuar?”, u shpreh kryeministri Rama më 3 tetor 2023.
Dhe së dyti, një numër i konsiderueshëm i këtyre shtetasve kanë qëndruar në njësitë informale, që japin dhoma, apartamente, vila apo shtëpi me qira edhe pse nuk janë të certifikuara si struktura akomoduese.
Evazioni i lartë është pranuar tashmë edhe nga vetë qeveria e cila po ndërhyn në ligjin për turizmin, me qëllim regjistrimin e të gjitha strukturave që akomodojnë pushues, pavarësisht numrit të dhomave që kanë.
Madje kryeministri Rama në fillim të muajit tetor të këtij viti, ka paralajmëruar edhe çmim referencë për dhomat e hoteleve.
“Vitin e ardhshëm do keni një referencë dhe shteti do marrë atë që mendon se i takon, nën atë s’ka shans. Një referencë e thjeshtë e krijuar mbi bazën e tregut. E dimë shumë mirë se sa janë dhomat. Vitin e ardhshëm s’do pranojmë që keni pas dhoma bosh, një dhomë bosh për vjehrrin dhe vjehrrën do ua lëmë”, tha Rama.
Ndryshime janë paralajmëruar edhe në mënyrën sesi vjelet taksa e fjetjes në hotel, ku Kumbaro është shprehur se do të bëhet përmes një sistemi transparent do të kenë akses jo vetëm Bashkia, por edhe policia dhe tatimet.
Në faturën e pushuesve për çdo natë fjetje në hotel është e përfshirë edhe taksa e fjetjes që varion nga 35 lekë në 350 lekë në varësi të bashkisë.
Në vitin 2022 1/3 e bashkive nuk e mblodhi fare këtë taksë, kurse 21 bashki të tjera regjistrojnë nivel të ardhurash që llogaritet në më pak se 1% të ardhurës totale të gjeneruar nga kjo taksë.