16 Gusht 2022

Policia e Elbasanit ka vënë në pranga 2 shtetas italian, të cilët akuzohet se i kanë shitur ar të rremë disa argjendarive në Tiranë dhe Podgoricë, ndërsa kishin vënë në shënjestër një tjetër argjendar në këtë qytet.

Burime zyrtare bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasit me inicialet F. M., 67 vjeç, banues në Napoli, Itali dhe R. G., 76 vjeç, banues në Milano akuzohen se përmes mashtrimit shitën materialin si ar në formën e kokrrizës, duke fituar 200 mijë euro.

NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Elbasan, operacioni policor i koduar “Fake Gold”, ndersa ne pranga kane rende dy shtetas italian.

Kontrabanduan dhe shitën nëpërmjet mashtrimit, ar të rremë me vlerë 200 000 euro, arrestohen në flagrancë në një argjendari, gjatë tentativës për të shitur sërish, 2 shtetas italianë.

Sekuestrohen një sasi ari, 4 aparate celulare dhe shuma parash të monedhave të ndryshme. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kontrabandës me mallra të licencuara dhe të deklarimit të rremë të shtetasve, nëpërmjet mashtrimit, në lidhje me natyrën, llojin dhe cilësinë e tyre, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Elbasan organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Fake Gold”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-F. M., 67 vjeç, banues në Napoli, Itali dhe R. G., 76 vjeç, banues në Milano, Itali.

Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shitur ar (metal) në formë kokrrizash, me vlerë 200 000 euro, në Tiranë dhe Podgoricë, gjatë periudhës qershor-gusht 2022. Materiali që keta shtetas kanë shitur ka rezultuar më pas, i përzier me metale të tjera.

Si rezultat i operacionit policor të koduar “Fake Gold”, 2 shtetasit janë kapur dhe arrestuar në flagrancë në qytetin e Elbasanit, gjatë tentativës për të shitur arin e rremë në një argjendari, ku fillimisht kishin mashtruar duke ofruar një sasi të vogël ari të pastër.

Në cilesinë e provës materiale janë sekuestruar 3 kilogramë ar i dyshuar si i rremë, 160 gramë ar i pastër, 4 aparate celulare, 1500 euro dhe 150 franga zviceriane.

Matrialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të lincencuara” dhe “Mashtrimi”.

Gazeta Shqip