Shiten pistoletat e Napoleonit/ 1.69 mln USD për dy armët me të cilat tentoi vetëvrasjen
8 Korrik 2024
Dy pistoleta me të cilat Napoleon Bonaparte tentoi të vrasë veten janë shitur në ankand për 1.69 milionë euro. Armët janë të zbukuruara me ar dhe argjend dhe paraqesin një imazh të gdhendur të vetë perandorit Francez në Profil
Këto dy pistoleta në pronësi të perandorit francez Napoleon Bonaparte, me të cilat ai dikur kishte tentuar të vriste veten, janë shitur në ankand për 1.69 milionë euro.
Armët që u krijuan nga prodhuesi parisien, Louis-Marin Gosset, pritej të arrinin midis 1.2 dhe 1.5 milionë euro, ndërsa ekspozuan në shtëpinë e ankandit Osenat, pranë pallatit Fontainebleau ku Napoleoni u përpoq t’I jepte fund jetës pas abdikimit të tij në vitin 1814.
Shitja e pistoletave vjen pasi ministria franceze e kulturës së fundi i klasifikoi si thesare kombëtare dhe ndaloi eksportin e tyre.
Kjo do të thotë se qeveria ka tani 30 muaj kohë për t’i bërë një ofertë blerjeje pronarit të ri, i cili është anonim. Sipas ligjit francez, armët mund të largohen nga vendi vetëm përkohësisht.
Ato janë të zbukuruara me ar dhe argjend dhe paraqesin një imazh të gdhendur të vetë Napoleonit në profil.
Historia tregon se donte t’i përdorte për të vrarë veten natën e 12 prillit 1814, pas disfatës së ushtrisë së tij nga forcat e huaja që e rrëzoi nga pushteti.
Megjithatë, një nga ushtarakët e tij me grada hoqi barutin dhe Napoleoni në vend të kësaj piu helm, por mbijetoi.
Më vonë Perandori francez ia dha ushtarakut armët, i cili nga ana e tij ua kaloi pasardhësve.
Në shitje u përfshinë edhe kutia origjinale e pistoletës dhe aksesorë të ndryshëm, duke përfshirë një bori dhe shufra të ndryshme për shtypjen e barutit.
Reliktet e Napoleonit janë shumë të kërkuara. Një nga kapelat që u bë pjesë e markës së tij u shit për 1.9 milionë euro në nëntor.
Nga Albina Murataj, Oranews