Shitën tonelata tunxh nga Poliçani, vihen nën hetim ish-drejtori dhe 5 punonjës të uzinës
8 Tetor 2022
Krimi ekonomik në Berat ka nisur një hetim ndaj 6 ish-zyrtarëve të uzinës së municioneve të Poliçanit.
Nën hetim janë ish-drejtori Erion Zylyftari, shefja e financës, dy magazinierë, dispeçeri dhe sekretarja, të cilët dyshohet se kanë shitur mbi 50 ton tunxh dhe kanë përfituar shuma të mëdha parash, sipas Euronews.
Bëhet fjalë për periudhën 2017-2020.
Pas mbylljes së uzinës dhe funksioneve të saj për prodhim e demontim armësh, kryetari i Bashkisë së Beratit propozoi që kjo uzinë të kthehej në një qendër muzeale për vizitorët e turistët. U bë një audit për të parë se çfarë kishte mbetur në uzinë dhe nga ky audit doli se mungonin mbi 50 tonë tunxh. Auditi i kaloi Krimit Ekonomik të Beratit që nisi hetimet në janar të këtij viti.
Çështja i ka kaluar prokurorisë së rrethit dhe 6 ish-zyrtarët që akuzohen për shpërdorim detyre.
Vlera e tunxhit të shitur me çmimet e tregut sot kap shifrën e 20 milionë lekëve, me të cilat mund të ishin paguar një pjesë e pagave të 100 ish-punonjës të uzinës, që pavarësisht protestave të vazhdueshme, nuk kanë marrë ende rrogat e 4 viteve punë për periudhën 2016-2020.
Detyrimet ndaj tyre, nëse përllogariten me pagën 30 mijë lekë në muaj, përllogariten në rreth 140 milionë lekëve.
Kombinati mekanik i Poliçanit, ose uzina e municioneve, zhvillonte aktivitetin industrial pjesërisht në fushë hapur dhe pjesërisht në tunele për arsye sigurie dhe sekreti. Uzina përbëhej nga disa zona ku prodhoheshin dhe montoheshin armë.
Sot uzina është jashtë funksionit, ndërsa ka shumë interes për t’u vizituar nga turistët
Në gusht, policia arrestoi 4 turistë çekë që u kapën duke fotografuar në tunelet e uzinës.
Gazeta Shqip