Shitja e pasaportave shqiptare për investitorët e huaj: – Brukseli i kërkon qeverisë shqiptare të tërhiqet nga projekti – Vë në rrezik sigurinë në BE
29 Korrik 2022
Bashkimi Europian i kërkon qeverisë shqiptare të heqë dorë nga projekti për të shitur shtetësinë shqiptare. Opozita këmbëngul se aplikimi i kësaj skeme do të cenoje sigurinë kombëtare, ndërsa ekspertët e pavarur të ekonomisë mendojnë se kjo skemë mund të shfrytëzohet nga investitorët e tregut imobiliar në Shqipëri e në këtë mënyrë buxheti i shtetit do të përfitojë shumë pak nga investimi, sepse pjesa më e madhe do të shkojë në xhepin e privatit.
Në nëntor të vitit 2019, kryeministri Edi Rama prezantoi përpara elitës londineze projektin “Shtetësi nëpërmjet investimit”. Gjatë Konferencës Botërore për Nënshtetësinë, në Londër, Rama iu kujtoi të pranishmëve se Shqipëria është vend kandidat për në BE, ndërsa iu premtoi përjashtim nga taksat për një periudhë 10-vjeçare dhe mjaft lehtësi të tjera, fiskale.
Krahas tij, në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe kryeministri malazez, Duško Marković, i cili premtoi se Mali i Zi ofronte 2 mijë “pasaporta të arta”.
I vetëdijshëm për debatet që e shoqërojnë këtë program, Rama deklaroi: “Unë besoj fuqimisht se kjo është mënyra e duhur dhe se kjo është ajo që ne duhet të bëjmë. Sigurisht, ka rreziqe, por ne nuk mund t`i mohojmë vendit tonë dhe së ardhmes sonë potencialin e jashtëzakonshëm të këtij programi”.
Tre vite më pas Shqipëria ka hedhur hapa të vegjël në këtë drejtim. Ndërsa Mali i Zi nisi shitjen e pasaportave të arta në vitin 2020, Shqipëria ende po e mendon. Në vitin 2020 është miratuar një Ligj i ri “Për Shtetësinë” dhe në vitin 2022 janë miratuar 2 vendime që përcaktojnë kriteret për fitimin e shtetësisë shqiptare për kontributin e dhënë në fushën e arsimit, shkencës, sportit, artit dhe kulturës, por ende nuk i është dhënë drita jeshile shitjes së shtetësisë për investime.
Programi “Shtetësi nëpërmjet investimit” ka alarmuar BE-në, i cili kërkon anulimin e tij. Parlamenti Europian në mes të majit 2022 në Rezolutën për Ecurinë e Reformave në Shqipëri, pika 32, kërkon: “Të hiqet dorë nga skema “Shtetësi për investim”, e cila mund të përbëjë rrezik serioz për sigurinë, pastrimin e parave, korrupsionin dhe evazionin fiskal”.
Dy javë pas publikimit të rezolutës, Komisionin Europian i drejtohet me shkresë ministrit të Brendshëm dhe i kërkon sërish ndërprerjen e menjëhershme të skemës “Shtetësi nëpërmjet investimit”. Por, një muaj pas dorëzimit të letrës, zyra e Delegacionit të BE-së në Tiranë konfirmon se nuk ka marrë asnjë reagim nga ministri i Brendshëm shqiptar në lidhje me këtë kërkesë.
Paralajmërimi i KE: Do t’ju ndëshkojmë!
“Dëshironim të përsëritnim shqetësimin tonë për perspektivat e krijimit nga Shqipëria të një programi të veçantë për fitimin e shtetësisë nëpërmjet investimeve dhe hapat e fundit, të ndërmarra nga qeveria juaj për të vazhduar me zbatimin e një skeme të tillë”.
Nis kështu letra e Komisionit Europian, që mban datën 30 maj të këtij viti. KE shpreh shqetësimin për këtë nismë, duke e vendosur në “shtratin” e zhvillimeve të fundit të agresionit rus ndaj Ukrainës.
Siç shkruhet në këtë letër, nisur nga këto zhvillime, më 28 mars të këtij viti, Komisioni Europian i ka rekomanduar edhe vendeve anëtare të BE-së, që aplikojnë skemën e përfitimit të shtetësisë nëpërmjet investimeve, që t`i mbyllin menjëherë, madje të nisin hetimet edhe për “investitorët”, që kishin përfituar shtetësitë përkatëse.
“Komisioni nxiti shtetet anëtare të kryenin një vlerësim për të përcaktuar nëse shtetësia, e dhënë më parë për shtetasit rusë ose bjellorusë, që i nënshtrohen sanksioneve ose që mbështesin ndjeshëm luftën në Ukrainë, duhet t’iu hiqet, duke revokuar vendimin e dhënies së saj”, – shkruhet në letër.
Më pas në letër Komisioni Europian i kujton ministrit të Brendshëm se prej kohësh i ka kërkuar Shqipërisë tërheqjen nga kjo nismë. Qëndrimi i prerë kundër nismës së Shqipërisë për të shitur pasaportën e saj, i është paraqitur qeverisë dhe parlamentit, që në kohën kur Ligji “Për shtetësinë” ishte ende projekt (tetor 2019). Në atë kohë Komisioni paralajmëroi Tiranën zyrtare për rreziqet e qenësishme dhe pasojat e mundshme, por qeveria e miratoi ligjin në vitin 2020, duke “injoruar” edhe qëndrimin e Presidentit të Republikës, që nuk e dekretoi.
Në letrën drejtuar ministrit të Brendshëm nënvizohen rekomandimet e qarta të raporteve vjetore për Shqipërinë, si për vitin 2020, edhe për vitin 2021, për të mos e vijuar më tej këtë projekt. Komisioni Europian shprehet se njeh sovranitetin e Shqipërisë për të vendosur mbi procedurat e natyralizimit, por shton se “skema e shtetësisë nëpërmjet investimeve mund të paraqesë rreziqe sigurie për BE-në dhe shtetet e tij anëtare, të cilat nuk janë në përputhje me parimet dhe kushtet në bazë të përjashtimit të vizave”.
Autor: Zylyftar BREGU