Shkallarja e kalasë Berat (Galeria e marrjes ujit në lum).+ Album Fotografik.-
Shkallarja e kalasë Berat
(Galeria e marrjes ujit në lum).+ Album Fotografik.-
Nga: Ajet Nallbani. –
Një objekt tjetër që ka shërbyer për sigurimin me ujë të kalasë së Beratit është dhe rruga që e lidh kështjellën me lumin Osum. Kjo është ndërtuar në shpatin jugor të saj në një terren mjaft të thyer. Pozicioni i vendosjes së kullave ndihmon për vrojtim nga të gjitha anët. Ndërtimi është bërë i gjithë me gurë, kështu mund të punoje pa rrezikun e jashtëm. Gjatë mureve të trasha janë lënë kamare të vogla të cilat kanë shërbyer si frëngji për t’u mbrojtur nga kërcënimet e papritura si dhe për të lehtësuar komunikimin duke krijuar një ndriçim minimal në rrugën e errët. Mbulimi i saj është bërë me qemere guri të punuar mirë dhe që vijnë në formë të shkallëzuar në drejtim të pjerrësisë së vendit. Kalimi bëhet në shkallë guri me një gjerësi të atillë që kalojnë lirisht dy vetë dhe lartësinë sa një bojë njeriu.
Po të shëtisësh rrugëkalimin, te kulla e parafundit duhet të ndalosh. Ky fund të jep të kuptosh se shkallët këtu përfundojnë dhe fillojnë poshtë saj për t’u bashkuar me kullën tjetër. Ky disnivel krijon vështirësi për t’u ngjitur dhe për të zbritur pa ndihmën e një shkalle portative. Kjo duket se ka qenë dhe zgjidhja e mëparshme. Me heqjen e shkallës portative pengohej kalimi nga poshtë lart për çdo eventualitet.
Foto: Ajet Nallbani