Shkodra “nën” ujë. Myftiu i qytetit thirrje institucioneve: – Pamja njësoj si përmbytjet e 2010-tës, mund ta evitoni…
20 Nentor 2022
Myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Bardhyl Sytari, ka reaguar për përmbytjet e ditës së sotme në të gjithë Shqipërinë, ku duket se Shkodra është ndër qytetet që po e pëson më së shumti.
Sytari përmes një videoje të shpërndarë në YouTube ka treguar se Xhamia e Plumbit në Shkodër është përmbytur dhe sipas tij, kjo situatë është e ngjashme me atë të përmbytjeve të vitit 2010.Ai kërkoi nga institucionet që ta shohin me përgjegjësi këtë zonë, pasi sipas tij është plotësisht e mundur që këto situata të shmangen nëse kryhen ndërhyrjet e nevojshme.
“Kjo është pamja e frikshme e përmbytjes që ka ndodhur në këto 24 orët e fundit në Xhaminë e Plumbit.
Por nuk është çështje thjesht te përmbytja e Xhamisë.
Është problematike situata për njerëzit dhe këto pamje më kujtojmë përmbytjet e vitit 2010, ku vinim me mjete të larta dhe nuk mund të lëvizej në këto zona dhe njerëzit ishin të izoluar dhe nuk kishin bukë e ujë për disa ditë. Uroj që të mos përsëritet ajo situatë. Por pamja më duket e tillë, më kujton atë periudhë disaditore vuajtjesh për qytetarët. Edhe pse jemi në 2022 nuk u zgjidh akoma problemi i përmbytjes së tokave të tyre.
Ky është një alarm për institucionet që duhet ta shohin me përgjegjësi këtë punë. Sepse është plotësisht e mundur për t’u evituar këtë përmbytje, për t’u pastruar Buna, për t’u thelluar Buna, për t’u rregulluar argjinaturat e Drinit, etj etj”, u shpreh myftiu i Shkodrës.
Gazeta Shqip