“Shkolla e parë shqipe” në Prishtinë drejt shembjes
25 Gusht 2024
Shembja e një pjese të fasadës dhe të kulmit të “Shkollës së parë shqipe”, mëngjesin e së shtunës ka qenë alarmi i ri se monumenti në qendër të Prishtinës paraqet rrezik për qytetarët. Që nga viti 2018 punimet në objektin që është në Listën e trashëgimisë kulturore kanë stagnuar.
Aty të shtunën paradite kanë ndërhyrë ekipet e Policisë, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente. Sipas drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë, Lulzim Fushtica, rreziku në këtë objekt është permanent.
“Këto objekte paraqesin rrezik si për shëndetin publik dhe për sigurinë e qytetarëve dhe mund të jenë dhe janë strehë e personave të ndryshme që zhvillojnë aktivitete kriminale në to”, ka thënë ai, derisa ka theksuar se menaxhimi i rrezikut është i përkohshëm dhe ai ekziston edhe në objekte të tjera në kryeqytet.
“E kemi larguar rrezikun për momentin, por kemi kërkuar dhe apelojmë në Ministri që sa më parë të intervenojnë dhe t’i largojnë rreziqet që janë në këto objekte të braktisura. Po ashtu, ka objekte të braktisura që nuk janë nën mbrojtje dhe ne kemi kërkuar nga qytetarët të na lejojnë së paku të largojmë rrezikun dhe të evitojmë problemet që kanë këto objekte”, ka thënë drejtori Fushtica.
Ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të takohen me përfaqësues të Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për të gjetur “një rrugë të përbashkët të ruhen ato që kanë vlerë të veçantë, por edhe të sigurohen qytetarët”.
E vetmja ndërhyrje që institucioni ka qenë i autorizuar ta bëjë ka qenë vendosja e shiritave për ta shmangur qytetarët atë pjesë.
“Shkolla e parë shqipe” e cila sipas të dhënave zyrtare ishte hapur në vitin 1908, mbrohet me Ligjin për trashëgimi kulturore.
Fushtica ka përsëritur disa herë se objekti paraqet rrezik për sigurinë publike. Ai ka thënë se disa herë kanë apeluar në Ministrinë e Kulturës për ndërhyrje në monument.
“Ne disa herë kemi bërë apel dhe vazhdojmë të bëjmë apel, jo vetëm për këtë ndërtesë, por edhe për ndërtesa të tjera që janë të braktisura dhe që janë në mbrojtje të Institutit për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore që sa më shpejt të intervenohet, në mënyrë që edhe ne si Drejtori për Siguri dhe Emergjenca të kemi mundësi të intervenojmë dhe të largojmë rrezikun për qytetarët dhe këmbësorët dhe në këtë rast për sigurinë publike”, ka thënë ai.
Por sipas Ministrisë së Kulturës, Komuna e Prishtinës po e fajëson nivelin qendror për dështimet e tyre.
Zana Fetiu, këshilltare e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, në një përgjigje për KOHË-n ka thënë se punimet në objekt do të nisin së shpejti.
“Komuna me buxhetin më të madh në vend, njëherësh edhe më të madh se Ministria e Kulturës vazhdon në të njëjtën formë, të fajësojë nivelin qendror për dështimet e tyre, ndërsa përvetësojnë rezultatet e punës së qeverisë. Edhe në këtë rast, sikurse të tjerat, do të marrim përgjegjësinë dhe punimet në këtë ndërtesë do të nisin së shpejti. Procedura tashmë është në proces të prokurimit”, ka thënë Fetiu në një përgjigje me shkrim.
Monumenti i shekullit XIX, ndonëse në një pozicion të dukshëm, nuk ka asnjë tabelë që i informon qytetarët për funksionin që kishte dikur. Madje edhe kalimtarët që i bien përskaj nuk ia kanë idenë se ky objekt ishte i pari në Prishtinë që shërbente për mësim.
Monumenti që në rrethana të tjera do të mund të shërbente si atraksion i trashëgimisë kulturore, duket i zymtë pa dritare e me fasadë të rënë. Po aq i shkretë jashtë, ngjan edhe brenda.
Prej vitit 2018 imazhi i objektit është rrethimi me skele. Në kuadër të ndërhyrjeve që ishin paraparë përfshihej stabilizimi i themeleve të ndërtesës, pastrimi i pjesës së brendshme dhe sigurimi i dyerve të reja. Ishte paralajmëruar edhe një projekt konservimi e restaurimi.
Në vitin 2018, asokohe drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Blerta Basholli, pati treguar se kontrata e vitit paraprak me titull “Rinovimi i objekteve të trashëgimisë kulturore”, parashihte vetëm pastrimin e objektit.
Sipas të dhënave zyrtare që gjenden në “Databazën e Trashëgimisë Kulturore”, “Shkolla e parë shqipe” në Prishtinë ishte hapur në vitin 1908 me rreth 250 nxënës. Sipas këtyre informacioneve, objekti ishte rindërtuar pasi në vitin 1880 ishte djegur.
“Ndërtesa me etazhitet P+1 është ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XIX nga Avdurrahman Pasha, shqiptar nga Prishtina. Në vitin 1880 është djegur, por është rindërtuar prapë nga djemtë e Avdurrahman Pashës. Më 1908, në këtë ndërtesë hapet gjimnazi (Idadije) që kishte rreth 250 nxënës shqiptarë. Pas Luftës së Dytë Botërore një kohë është shfrytëzuar si kazermë e ushtrisë së ish-Jugosllavisë”, është përshkrimi zyrtar për historikun e ndërtesës që në Listë numrin rendor e ka 3194.
“Konstruksioni meskatësh është i punuar nga druri dhe i mbushur me llaç balte. Nga gjurmët në fasadën verilindore dallohet se dritaret kanë pësuar ndryshime nga gjendja burimore. Në fasadën jugperëndimore janë ruajtur hapjet origjinale. Në fasadë ka gjurmë që tregojnë se dritaret janë përsëritur me ritëm të theksuar”.
“Shkolla e parë shqipe” gjendet në pjesën perëndimore të qendrës historike të Prishtinës, në trekëndëshin që e formojnë rrugët “Trepça” dhe “Ilir Konushevci”.
Gazeta Koha, Prishtinë