Shkolla publike ku u investuan 1.3 mln euro nga Shteti, i jepet fondacionit të Erdogan.
Shkolla publike ku u investuan 1.3 mln euro nga Shteti, i jepet fondacionit të Erdogan.
Gazeta Panorama.
Investimi prej 1.3 milionë eurosh i qeverisë shqiptare për një shkollë të re në Bradashesh, pasi u la bosh për disa vite, iu kalua me qira fondacionit shtetëror turk “Maarif”, ndërsa zyrtarë e ish-zyrtarë lokalë përplasen për përgjegjësitë.
Enveri, një burrë rreth të 50-ave nga Katundi i Ri i Elbasanit ka dëguar njërin nga djemtë në universitet, por kur djali i dytë mbaroi shkollën 9-vjeçare, familja nuk kishte mundësi ta çonte në gjimnaz.
Enveri thotë se i biri nuk ishte nxënës i keq, por ai nuk i mbulonte dot shpenzimet pasi shkolla e mesme më e afërt ndodhet në qytetin e Elbasanit.
“Po të ishte këtu shkolla do e çoja, por në qytet nuk mundemi. Ka shpenzime fëmija, sidomos në shkollë,” i tha BIRN burri që e mban familjen me punë të ndryshme sezonale.
Për ironi, shkolla e mesme e Katundit të Ri -një godinë tre katëshe me kaldajë, palestër dhe fushë sportive dhe mjedise që zor se i gjen në ndonjë shkollë të qytetit të Elbasanit, ndodhet vetëm disa qindra metra larg shtëpisë së Enverit.
Ndërtimi i shkollës u miratua nga qeveria “Berisha”, u financua nga qeveria “Rama” dhe i kushtoi taksapaguesve mbi 164 milionë lekë [1.3 milionë euro], por nuk u përdor asnjë ditë të vetme si gjimnaz për nxënësit e zonës.
Godina e re qëndroi e kyçur dy vjet pas ndërtimit derisa në nëntor 2018, Bashkia e Elbasanit vendosi t’ia japë me qira për 20 vjet fondacionit shtetëror turk “Maarif”. Të dhënat e siguruara nga kontrata e qirasë tregojnë se Bashkia e Elbasanit pret të marrë 342 mijë lekë në muaj ose 82 milionë lekë në total nga fondacioni turk –më pak se gjysma e parave të investuara për ndërtimin e shkollës.
Të pyetur për braktisjen e godinës së shkollës dhe dhënien e saj me qira, zyrtarë dhe ish-zyrtarë lokalë në Elbasan japin versione të kundërta me njëri-tjetrin, pa shpjeguar se pse qeveria investoi 164.3 milionë lekë dhe më pas e harroi atë, ndërsa gjimnazet e vjetra të qytetit presin prej vitesh fonde rikonstruktimi.
Drejtuesit e zyrës së Arsimit në Elbasan dhe drejtues të Njësisë Administrative Bradashesh i thanë BIRN se shkolla ishte ndërtuar pa një studim dhe nuk u arrit të hapej pasi nuk u plotësua numri i nxënësve.
Por ish-kryetari i Komunës, Sabri Sollaku, i cili kishte këmbëngulur për ndërtimin e shkollës i hodhi poshtë pretendimet për numrin e ulët të nxënësve dhe fajësoi mungesën e vullnetit për braktisjen e godinës prej 1.3 milionë lekësh.
“Kjo shkollë nuk u hap pasi nuk pati vullnet nga institucionet dhe nga frika e uljes së numrit të nxënësve në gjimnazet e qytetit,” tha Sollaku për BIRN.
Ndërtimi “pa plan”
Qeveria shqiptare ka ngritur një program grantesh konkurruese për përmirësimin e infrastrukturës urbane, program i njohur gjerësisht me emrin Rilindja Urbane. Projekti përfshin po ashtu edhe ndërtimin apo rikonstruksionin e mbi 140 shkollave në vend me kosto mbi 47 milionë euro.
Shkolla e Katundit të Ri nuk është një projekt ekskluziv i Rilindjes Urbane, pasi u planifikua dhe miratua në vitet e fundit të qeverisjes së Sali Berishës. Por qeveria “Rama” e mbështeti ndërtimin e saj përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve.
Punimet filluan në vitin 2014 dhe objekti 3- katësh përfundoi në vitin 2016 dhe mund të ishte një nga shkollat me kushtet më të mira në Elbasan. Ajo kishte terrene sportive, kaldajë dhe palestër. Përfundimi i punimeve megjithatë nuk u shoqëruan me vënie në punë të shkollës.
Zyra e Arsimit Elbasan tha në përgjigje të një kërkese për informacion se investimi, edhe pse kishte kaluar përmes Ministrisë së Arsimit, nuk kishte pasur një studim dhe se mungonin nxënësit.
“Zyra Arsimore Vendore Elbasan nuk ka pasur një studim të hartuar mbi numrin e nxënësve për nevojat e ndërtimit të kësaj shkolle në territorin e fshatit Katund i Ri. Ju bëjmë me dije se e gjithë nisma për ndërtimin e kësaj shkolle ka qenë e ish-komunës Bradashesh, e cila e ka kërkuar ndërtimin pa marrë parasysh mendimin e Drejtorisë Arsimore Rajonale të atëhershme,” tha përgjegjësi i Zyrës Ekonomike të Arsimit, Ali Kardhashi.
Alqi Çabiri, kreu i Zyrës Arsimore të Elbasanit i tha BIRN përmes një bisede telefonike se shkolla ishte ndërtuar pa miratimin e drejtorisë arsimore dhe se nuk ishte mikpritur nga banorët e njësisë administrative të Bradasheshit.
“Nxënësit e komunitetit preferojnë të shkojnë në shkollat e qytetit të Elbasanit,” pretendoi Çabiri.
Edhe administratori i Njësisë Administrative Bradashesh, Andi Liçi i tha BIRN se shkolla e re nuk u hap, pasi nuk u arrit të sigurohej numri i nevojshëm i nxënësve.
“Shumica e nxënësve janë në këndin Kusarth, Katund i Ri dhe Bradashesh, që janë edhe më afër qytetit. Ata preferojnë shkollat e qytetit, pasi janë edhe më të mirat e nuk do zgjidhnin një gjimnaz të ri fshati,” tha Liçi për BIRN.
Ish-kryetari i Komunës së Bradasheshit, Sabri Sollaku, i cili i tha BIRN se kishte këmbëngulur për ndërtimin e shkollës i hodhi poshtë pretendimet për mungesën e një studimi dhe numrit të nevojshëm të nxënësve.
Sollaku tha se investimi ishte miratuar pasi Drejtorisë Arsimore të Elbasanit dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve u ishte dërguar shkresë për numrin e nxënësve, pas informacioneve të detajuara të marra nga shkollat 9-vjeçare të komunës.
“Përgjigja ( e Zyrës Arsimore) për mungesën e një studimi është një mashtrim. Studimi është bërë në mënyrë të përsosur në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit. Në këtë shkollë do të vinin nxënës nga Balldreni, Vidhasi, Graceni dhe Bradasheshi. Në 3 vite do të kishte rreth 600 nxënës,” tha Sollaku.
A ka nxënës?
Në qytetin e Elbasanit, ku shkojnë për të ndjekur shkollën e mesme edhe nxënësit e Njësisë Administrative të Bradasheshit ka 6 gjimnaze. Vetëm dy prej gjimnazeve kanë numër të madh nxënësish; shkolla “Konstandin Kristoforidhi” dhe “Dhaskal Tod’hri”, në të cilën mësojnë edhe një numër të madh nxënësish nga njësia administrative Bradashesh.
Të dy shkollat kanë së bashku 1500 nxënës, por infrastruktura e tyre është e amortizuar dhe kërkon ndërhyrje emergjente. Nyjet higjienike janë në gjendje të keqe. Shkollat nuk kanë sistem ngrohje, kanë dyer dhe dritare të dëmtuara, mungesë të laboratoreve dhe klasa të mbingarkuara.
Në qytetin e Elbasanit, katër shkollat e tjera të mesme kanë një numër më të reduktuar nxënësish. Një prej tyre, “Mahir Domi” ka njohur rënie drastike të nxënësve duke rrezikuar deri edhe mbylljen.
Ish-kryekomunari i Bradasheshit thotë se ulja e numrit të gjimnazistëve në qytet është arsyeja kryesore se pse nuk pati përpjekje për të hapur shkollën e re. Ai thotë se shkolla e re u braktis nga frika se hapja e saj mund ta ulte edhe më tej numrin e nxënësve në qytet.
Për banorët e zonës, kjo nuk ishte zgjidhja më e mirë.
Kryetari i fshatit Katund i Ri i Njësisë Administrative Bradashesh, Jashar Muça i tha BIRN se moshapja e shkollës u ka hequr të drejtën për arsim të mesëm mjaft nxënësve nga kjo zonë.
“Jo të gjithë kanë mundësi të shkojnë në shkollat e qytetit,” tha Muça.
Si Sollaku dhe Muça pretendojnë se zona kishte mjaftueshëm nxënës për të justifikuar hapjen e shkollës.
“Është shumë e lehtë të llogarisësh numrin e nxënësve, duke parë sa përfundojnë shkollën nëntëvjeçare dhe vetëm në Bradashesh janë 60 nxënës,” tha Muça.
Ndërkohë, ish-kryekomunari i tha BIRN se vetëm në vitin e parë numri i nxënësve që pritej në shkollë ishte 150 dhe në tre vite ajo do të kishte 600 nxënës. Ai tha se për ta hapur atë do të kishte mjaftuar zbatimi i rregullave për regjistrimin në shkollë sipas vendbanimit.
Një grua, nënë e tre fëmijëve që foli për BIRN në kushte të anonimatit tha se e kishte regjistruar vajzën në gjimnaz në qytetin e Elbasanit, por kjo ishte një sakrificë për të dhe familjen e saj.
“Është shumë e vështirë për një familje me të ardhura minimale të shkollojë një fëmijë. Gjimnazi në qytet ka kosto më të mëdha për ne,” tha ajo.
Gruaja tregoi se ishte gëzuar kur kishte mësuar për ndërtimin e shkollës së re në Bradashesh, por shkolla nuk u hap asnjëherë dhe ata u detyruan ta çojnë vajzën në qytet.
“Ashtu do të ngushtohemi e do sakrifikojmë, por ka shumë që nuk i çojnë,” tha ajo.
Dhënia me qira për shkollë jo-publike
Gjimnazi publik i financuar nga qeveria shqiptare në Katund të Ri të Elbasanit pritet t’i hapë dyert këtë vit si gjimnazi privat “High School Elbasan” i fondacionit turk Maarif. Në faqen e vet në Facebook nën emrin “International Maarif Schools of Albania”, fondacioni u bën thirrje gjimnazistëve që të rezervojnë një vend për të studiuar në fushën e shkencës dhe teknologjisë.
Godina me investim prej 1.3 milionë eurosh iu premtua fondacionit në shkurt 2018, gjatë një takimi mes ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini dhe ambasadorit të Turqisë në Tiranë.
Disa muaj më vonë, më 19 korrik 2018, Këshilli Bashkiak i Elbasanit miratoi në parim dhënien me qira të objektit duke përcaktuar edhe kriteret përkatëse në këtë vendim. Një ditë para këtij vendimi, ish-kryebashkiaku kishte lëshuar urdhërin me numër 634 datë 18.07.2018 “për nisjen e procedurave për shpalljen me qera”.
Ofertuesi i vetëm ishte fondacioni shtetëror turk “Maarif”, i regjistruar si OJF në Tiranë. “Maarif” u krijua në vitin 2016, si pjesë e përpjekjeve të Ankarasë zyrtare për të rivalizuar dhe luftuar një rrjet shkollash që shihen si të lidhura me lëvizjen e krijuar rreth klerikut turk Fetullah Gylen, i cili ndodhet në azil në SHBA.
Prej vitesh Turqia kërkon ekstradimin e Gylenit, ndërsa e akuzon për grushtin e shtetit të vitit 2016. Gylen ka mohuar akuzat, ndërsa organizata të ndryshme të të drejtave të njeriut akuzojnë qeverinë turke për burgosjen dhe persekutimin e mijëra të akuzuarve si ndjekës të tij.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan gjatë një vizite në Shqipëri në qershor 2017 në një intervistë për Top-Channel sulmoi shkollat e presupozuara si të lidhura me Gylen dhe i kërkoi presidentit dhe kryeministrit mbylljen e tyre. “Mos kini më besim në këto shkolla, por kontaktoni ato të Fondacionit Maarif,” citohet të ketë thënë Erdogan.
Marrja me qira e godinës së shkollës në Bradashesh është pjesë e përpjekjes së “Maarif” për të krijuar një rrjet të ngjashëm shkollash në Shqipëri. Fondacioni zotëron Universitetin e Nju Jorkut në Tiranë dhe një linjë shkollimi që fillon me kopshtin deri në universitet.
Si ofertues i vetëm, “Maarif” nuk e pati të vështirë të merrte me qira godinën e shkollës së braktisur të Bradasheshit. Sipas kontratës së qirasë, të cilën BIRN e disponon, Bashkia e Elbasanit do të marrë rreth 342 mijë lekë në muaj për objektin.
Sipas kontratës, “Maarif” merr me qira për 20 vjet sipërfaqen prej 6666.27 m2, bashkë me detyrimin për një investim prej rreth 29 milionë lekësh dhe punësimin e 32 punonjësve. Në total, bashkia pret të marrë 82 milionë lekë nga qiraja; që janë diçka më pak se gjysma e investimit.
Dhënia me qira te fondacioni “Maarif” u kritikua nga ish-kryekomunari Sollaku si dhe nga ish-deputeti i Partisë Demokratike për Elbasanin, Luçiano Boçi.
“Në një kohë që kërkesat për shkolla të reja janë maksimale për shkak të degradimit infrastrukturor të tyre, Ministria jo vetëm që nuk ndërton të reja, por dhe të rejat e ndërtuara nga 2013 nuk i përdor, por i jep me qera,” shkroi Boçi në vitin 2018.