Shkresa e AIDSSH për I.M. si letra anonime e Enverit për Mehmetin
Nga Jonila GODOLE
Në kohën kur Enveri e shpalli Mehmet Shehun poliagjent, një anonim pati dorëzuar disa fotokopje dokumentesh në Ambasadën tonë në Vjenë, që e rëndonin Kryeministrin në detyrë. Fundi dihet. Kjo m’u kujtua dje kur u njoha nga media me statusin e Autoritetit të Dosjeve të Sigurimit, se kishin zbuluar dosjen e një ish-bashkëpunëtori të Sigurimit që është një figurë e lartë politike, me inicialet I. M. (?)
Mendimi im, siç e njihni publikisht, ka qenë dhe mbetet i palëkundur, që duhet të ndahemi nga e shkuara. Një mënyrë për ta bërë këtë është edhe bërja transparente e emrave të politikanëve apo zyrtarëve të tjerë të lartë që kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit.
Ata kanë uzurpuar jetën politike dhe e mbajnë peng tranzicionin dhe zhvillimin e vendit, pikërisht sepse janë të shantazhueshëm: kush me dosje, kush me “skelete” të tjera në qilar gjatë komunizmit apo demokracisë!
Por, duke e njohur nga afër mënyrën se si punon Autoriteti i Dosjeve, i cili deri më sot mund të ketë marrë përsipër të kryejë disa misione, por vetëm hapje të Dosjeve nuk ka bërë (!), dhe duke lexuar deklaratën e tij, dua të shtroj disa pyetje në interes të opinionit publik:
1. A operon Autoriteti dhe vihet në lëvizje gjithnjë me email-e apo letra anonime?
2. Sa ditë ka pasur në dispozicion Autoriteti për të kontrolluar dhe verifikuar informacionet e marra?
3. Për subjektin I. M. është informuar Kuvendi i Shqipërisë, ndërkohë që subjekti nuk është deputet dhe Kuvendi nuk ka shfaqur asnjë interes për ta verifikuar atë. Pse më parë nuk ka informuar Kuvendin p.sh. për rastin “Cingarja” (Gramoz Ruçi), i cili ka pasur përgjigje të ndryshme nga Komisioni “Mezini”?
4.Pse pikërisht problematika e komisioneve të mëparshme të figurës del sot në skenë, kur vendimmarrja e tyre ka pasur karakter ekzekutiv dhe jo informativ si sot?
5. Rastet e tjera që janë shënuar në statusin e institucionit me iniciale u takojnë oficerëve dhe bashkëpunëtorëve të Sigurimit që mbajnë sot poste të larta në Polici, por për të cilët Autoriteti nuk ka qenë edhe aq bashkëpunues për procesin e vetingut të tyre. A mos u përdorën këto raste thjesht për ilustrim për të mos lënë thatë tekstin e bërë gati për subjektin I.M.?!
Të kuptohemi drejt, do të ishte një lajm dhe shërbim i shkëlqyer ndaj taksapaguesve shqiptarë, nëse Autoriteti i Dosjeve më në fund do të zbulonte një “peshk të madh”. Por një institucion serioz, për më tepër publik, nuk bën njoftime “Facebook”-u pa bërë kërkime të thelluara dhe pa e kopsitur dosjen me gjithë dokumentet rënduese mbi personin e dyshuar.
Përndryshe, rreziku është që në vend që Autoriteti të përdorë pushtetin e ligjit dhe të dokumenteve arkivore për të denoncuar një ish-bashkëpunëtor – të përdoret Autoriteti si një bashkëpunëtor për të shantazhuar me mjete alla Sigurimi!