Shkrihet kupola e LDK. – Isa Mustafa flet pas dorëheqjes, Lutfi Haziri: Edhe Kryesia e larguar
Shkrihet kupola e LDK. – Isa Mustafa flet pas dorëheqjes, Lutfi Haziri: Edhe Kryesia e larguar
15 SHKURT 2021
Isa Mustafa e ka konfirmuar largimin e tij nga pozita e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pas mbledhjes së Kryesisë, Isa Mustafa para gazetarëve ka thënë se ka bërë thirrje që të mblidhet kuvendi i LDK-së për ta zgjedhur kryetarin e ri të partisë dhe kjo sipas tij nënkupton largimin e tij.
“E kishim mbledhjen e kryesisë së LDK-së, të cilën e kam thirrur unë pas rezultateve të zgjedhjeve. Rezultati është shumë i keq për LDK-në, që nuk e kemi pritë fare edhe nga takimet në terren dhe puna që e ka bërë Hoti. E kam njoftuar kryesinë se do ta pres kuvendin e LDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë në një periudhë shumë të shpejt kohore, i kemi 60 ditë për ta bërë këtë, por do ta bëjë më shpejt që ta zgjedhim më shpejt kryetarin e ri”, tha ai.
Mustafa tha se nuk kanë zgjedhur ende ushtrues detyre të kryetarit të partisë.
“Kur e thërras kuvendin nënkupton që unë jam larguar. Nuk kemi zgjedhë ende ushtrues detyre të partisë”, tha ai, teksa shtoi se nuk janë propozuar as emra për kryetar.
Ndërsa i pyetur në lidhje me ndikimin që ka pasur Vjosa Osmani për këtë humbje të thellë, Mustafa deklaroi se “Unë atë që e shoh tani nuk mund ta shpjegoj, kemi një gjendje që nuk është sprovuar akoma që nuk e kemi pas kurrë kemi ndryshime të tilla për një periudhë kaq të shkurtë kohore, mbetet çështje e frymës, e qytetarëve dhe mbetet që të presim se cka do t’i sjellë Qeveria e re vendit. Vota është vullnet i qytetarit, për këtë arsye ne do të mobilizohemi që LDK-ja të kthehet prapë”, ka thënë ai.
Ndërsa nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, tha se e tërë Kryesia është e dorëhequr.
Gazeta Shqip