SHKRIMI I HISTORISË KISHTARE NIS NGA SHKRIMI I HISTORISË SË DIOQEZAVE “Monografia e Argjipeshkvise se Tivarit.” Tivar,
Nga Kastriot MARKU –
Botim i Argjipeshkvise s e Tivarit, 2017.
“Mos m’u interesue per historín e Kishës së vet, don e thȃnë mos me e dashtë. Në kjoftë se këjo ȃsht nji gjȃ, qi nuk i lén ndér kurrkuej, aq e mȃ teper Kishtarvet, të cilët s’kishin muejtë, pa njifàrë turpi, mos m’e njohtë jeten e Nanës, qi i kà strukë në gjí të vet, e i kà vendue, si drita mbí pishtár, per të ndritë boten.” Emzot Gjergj Volaj.
Edhe pse dihet se shkrimi i historisë kishtarë me kohë nuk është “eksluzivitet” i meshtarëve, këtë postulatin e mësipërm, me gjasë e kanë pasur parasysh meshtarët e arqipeshkvisë së Tivarit, të cilët edhe pse shumë më të paktë në numër nga sivëllezërit e tyre në dioqezat e tjera, madje larg vëmendjes institicionale të dy shteteve shqiptare, kanë arritur të projektojnë dhe të bëjnë një monografi që sivëllezërit e tyre të Arkidioqezave të Shkodrës dhe Durrësit; ipeshkvive të Lezhës, Sapës dhe Rrëshenit dhe Administraturave të Kosovës dhe Shqipërisë së Jugut, as janë kujtuar dhe as e kanë bërë ende. Shkrimi i historisë kishtare nis nga shkrimi i historisë së dioqezave. Shembullin e Dom Gaspër Gurakuqit (1943), apo Dom Gaspër Gjinit (1986 &1992), Dom Frrok Zefit, për më tepër shembullin e Imzot Frano Illisë, At Marjan Prejlat, At Donat Kurtit, At Viktor Volajt, Dom Mark Dushit, Dom Zef Bicit, të cilët edhe në kushte të frikshme përndjekjeje nuk u ndalën së shkruari për aq sa mundën historinë e kishës së tyre, do të duhet ta nisim prej meshtarëve të arqipeshkvisë së Tivarit në Mal të Zi.
Më në fund kemi nëpër duar një botim kushtuar njërës prej njësive kishtare më të vjetra në trojet shqiptare, monografinë e Arqipeshkvisë së Tivarit. Vepra në fjalë është fryt i bashkëpunimit të një grupi bashkëautorësh kishtarë si: Imzot Zef Gashi, Dom Nosh Gjolaj, P. Pashko Gojçaj, Dom Simon Lulaj, Dom Simon Filipaj II, Dom Frano Markiq, Dom Ivan Vukçeviq, Fra Mirash Marinaj, Dom Fran Dushaj etj. Botimi është një monografi në të cilën është synuar të ndërthuret për aq sa ka qenë e mundur studimi shkencor me paraqitjen divulgative, duke pasur parasysh një libër që i adresohet të gjithë kategorive të lexuesve, mbi të gjitha lexuesve të thjeshtë por edhe lexuesve të specializuar, posaçërisht atyre në trojet shqiptare të Malit të Zi, të cilët në njëfarë kuptimi e kanë domosdoshmëri njohjen e historisë kishtare të tyre, por edhe lexuesve të kultivuar në të gjitha trojet e hapësirës shqiptare. Monongrafia është ndërtuar bazuar sipas nëndarjeve administrative të sotshme të arqipeshkvisë së Tivarit, sipas tre dekanateve të kësaj arqipeshkvie (Tivari, Ulqini dhe Podgorica), në të cilën bëjnë pjesë 19 famulli gjithsej, ku secili dekanat është i ndarë në famullitë përkatëse: dekanati i Tivarit me 5 famulli: (Tivari, Shestani, Ljarja, Cetina e Zupçi); dekanati i Ulqinit me 6 famulli: (Ulqini, Shën Gjergji, Shtoji, Kllezna, Salç-Kollomza dhe Bratica); ndërsa dekanati i Podgoricës me 8 famulli: (Podgorica, Tuzi, Nikshiqi, Gucia, Koja, Traboini, Gruda, dhe Trieshi). Monografia merr në shqyrtim shumë shkurt, në mënyrë telegrafike historikun e aqipeshkvisë, organizimin e saj administrativ, për tua lënë vendin përshkrimeve përkatëse për secilën famulli më vete, duke nisur nga një përshkrim i vogël gjeografik, shtrirja në fshatra e lagje, përshkrimi i objekteve kishtare të hershme rrënoja sipas pajtorëve si dhe ato që ruehn ende në këmbë, qelat, rezidencat ipeshkvore, kapelat, kishat e ndërtuara rishtas e në ndonëj rast edhe statistika demografike bazuar në relacionet e ndryshme kishtare të kohës si dhe regjistrat kishtarë të famullive. Në ndonjë rast hartuesit kanë shtuar ndonjë element toponomastik dhe ndonjë të dhënë karakteristike etnografike. Në fund jepet një përmbledhje e zgjeruar e shërbimi baritor me disa të dhëna në rend monografik për meshtarët kryesorë që kanë shërbyer në këtë arqipeshkvi. Edhe pse nuk është pohuar nga autorët, vepra në fjalë me sa duket ka pasur synim të jetë një monografi e historikut bashkëkohor të kësaj argjipeshkvie, por rëndësia që zë kjo arqipeshkvi në historinë kishtarë të Arbërisë, nuk mund të anashkalohet, mjafto të kujtojmë faktin e thjeshtë se për këtë periudhë kohore Daniel Farlati në veprën e tij monumentale “Illyricum Sacrum”, Vëll. VII, (1817) i ka kushtuar plot 183 faqe. Po ashtu në një pjesë të mirë të rasteve autorët nuk kanë shfrytëzuar burimet dokumentare parësore, por janë mbështetur në ato dytësore, madje në mjaft raste ato kanë mbetur të padeklaruara. Bien në sy punimet monografike për disa famulli si ato të Ulqinit, Podgoricës dhe Shasit hartuar nga Dom Nosh Gjolaj. Vlen për t’u theksuar sidomos përkujdesja e paraqitjes fizike që është treguar në përgatitjen grafike, cilësinë e letrës, lidhjes si dhe formatit të librit dhe në mënyrë të veçantë ilustrimi fotografik i disa prej monumenteve kishtare dhe rrënojave të tyre, këmbanave, varrezave dhe në ndojë rast edhe ndonjë mbishkrim apo faksimilje dokumenti. Ajo që mund të vihet re është se monografia ka pasur nevojë për një redaktim më të kujdesshëm gjuhësor dhe për një harmonizim përpjestimor më të drejtë të përmbajtjes, sidomos shkrimit të historikut kronologjik të kësaj dioqeze gjatë mesjetës. Gjithashtu mund të përmirësohej edhe përmbajtja e jetëshkrimeve të disa prej klerikëve që kanë ushtruar veprimtarinë baritore në territorin e kësaj njësie kishtare. Mendoj se mbase një version tjetër, i dytë i këtij botimi me një hyrje/kapitull shtesë për historikun e mesjetës të kësaj arqipeshkvie, sikurse një gjë të tillë e ka bërë studiuesi Aurel Plasari, duke ngushtuar në njëfarë mase vendin që zënë fotografitë, që gjithsesi kanë vlerën e tyre të madhe, si dhe duke kaluar shënimet (fusnotat) nga fundi i secilit kapituil në fund të secilës faqe përkatëse, duke i riparë më kujdes të shtuar burimet arkivore, do të dilte një monografi e riparë me po kaq faqe nga pikëvështrimi vëllimor, natyrisht me një format më të vogël e që do të ishte një “doracak” studimor me rëndësi për historinë kishtare dhe civile të shqiptarëve.