Shkrimi i “Le Petit Parisien” në 1925: Lufta për naftën shqiptare mes SHBA, Britanisë dhe Italisë. –
Nga: Aurenc Bebja
– Gazeta franceze, “Le Petit Parisien”, ka botuar, të martën e 17 shkurtit 1925, në faqen numër 3, një shkrim në lidhje me interesat që ngjallte asokohe nafta shqiptare tek amerikanët, britanikët dhe italianët.
Dukej se britanikët ishin më të avancuar pranë qeverisë shqiptare mbi këtë çështje. Por amerikanët nuk kanë hezituar të reagojnë, sigurisht për të mbrojtur interesat e tyre ekonomike. Reagimi amerikan ka nxitur edhe qeverinë italiane.
Në vijim, do të gjeni shkrimin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja:
“Londër, 16 shkurt (Dep. Petit Paris.)
Njoftohet në Washington nëpërmjet Exchange Telegraph-it se qeveria e amerikane i ka dërguar qeverisë shqiptare një shkresë proteste kundër projektit të dhënies së monopolit të një koncesioni nafte, nën kujdesin e Anglo Persian Oil Company, qeverisë britanike.
Sinclair dhe Standard Oil Company pretendojnë se koncesioni në fjalë do t’i sigurojë Anglisë një monopol virtual në të gjitha fushat e naftës në Shqipëri. Shkresa amerikane bazohet në faktin se kur Shtetet e Bashkuara e njohën zyrtarisht Shqipërinë, ata këmbëngulën mbi parimin e “konkurrencës së barabartë” dhe pohon se ky parim u siguron Z. Sinclair dhe Standard Oil Company të drejta të barabarta me ato të Anglo Persian Oil Company.
Qeveria e Ahmet Zogut thuhet se i konfirmoi Anglo Persian Oil Company një koncesion të marrë nga ajo në 1921. Qeveria italiane ka protestuar në Tiranë duke kërkuar të drejtat prioritare në të njëjtën fushë dhe negociatat mbi këtë çështje janë angazhuar në Romë midis ambasadorit britanik dhe kabinetit.”