‘Shkrirja’ e ASA-s antiligjore?! Rektori Përzhita për Report Tv: – S’na pyetën, rrezikohen punonjësit! Prodhimin tonë, Akademia e Shkencave e bën veç në ëndrra!
28 Maji 2023
Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike tregon për Report tv se lidhur me projektvendimin për mbylljen e veprimtarisë nuk janë pyetur. Sipas tij ‘shkrirja’ e ASA-s dhe transferimi i ‘copëzave’ të saj në ASH do të ketë dëme në punonjës, prodhim shkencor dhe përgatitjen e albanologëve të rinj.
Pas tentativës së verës së vitit 2021, Akademia e Shkencave është një hap, afër realizimit të përpjekjeve për kalimin e instituteve kërkimore të Akademisë së Studimeve Albanologjike si pjesë të sajën.
Ky projektvendim, kërkon mbylljen e veprimtarisë së ASA-s dhe kalimin e të gjitha aseteve të saj në Akademinë e Shkencave.“Arkivi dhe asetet e ASA-s, janë nga më të pasurat në Ballkan përsa i takon studimeve të fushës albanologjike. Janë krenaria e të gjithë shkencës albanologjike që natyrisht sipas atij projekt vendimi do ti kalojnë Akademisë së Shkencave. Por nga ana tjetër nuk është e vërtetë që do të kalojnë punonjësit në Akademinë e Shkencave, atje thotë që do të krijohen njësi kërkimore dhe njësi kërkimore do të thotë 3-4 vetë për çdo institucion. Kështu që i bie që të gjithë institutet e Akademisë Aktuale të Studimeve e Albanologjike përfundimisht të shkrihen në Repoublikën e Shqipërisë”, shprehet ai.
Projektvendimi, sipas Senatit të ASA-s, shkel Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Ligjin e Akademisë së Shkencave mbi të cilat bazohet. Neni 29 i Ligjit nr. 80, kërkon që për mbyllja e një institucioni të arsimit të propozohet nga Senati e të miratohet nga Bordi, ndërsa gjithçka ka ndodhur pa përfshirjen e tyre, në një kohë që Senati është kundër shkrirjes. Përzhita thotë se konsultimi për këtë projektvendim ka munguar me ASH-në dhe Ministrinë e Arsimit.“Me përjashtim të tentativave para dy viteve ku Senati i ASA-s, dha verdiktin e tij që nuk është dakord për shkrirjen e këtyre institucioneve dhe për kalimin e tyre në Akademinë aktuale të Shkencave, përveç strukturën e re mbi të cilën është ndërtuar dhe ‘backgraund’-in. Ne nuk jemi dakord me këtë që po bëhet.”, u shpreh ai.
Rektori i ASA-s, Luan Përzhita thotë se nuk do të integrohet Akademia e Studimeve Albanologjike në Akademinë e Shkencave, por copëza të saj. Në një kohë, që shpjegon për studiuesit aktualisht të punësuar.“Aktualisht janë 92 punonjës shkencorë, të gjithë me tituj shkencorë, personalitete të shquara të Historisë, Arkeologjisë, Gjuhësisë dhe Antropologjisë që kanë kontribut jo vetëm kombëtar por ndërkombëtar. Kështu që është një nivel shumë i njohur në hapësirat shqiptare dhe më tej”, thotë Përzhita.
Studiues të ASA-së thonë se aktualisht nuk mund të flitet për produktivitet në Akademinë e Shkencave, ndërsa shtojnë se pavarësisht financimit, Akademia e Studimeve Albanologjike ka një produkt shkencor të konsiderueshëm.“Ne mbi çdo vit kemi mbi 50-60 monografi shkencore, dhe 7-8 revista periodike me të cilat kemi furnizuar universitetet në të gjitha trojet shqiptare por edhe në vende të tjera të rajonit. Pra një prodhim të tillë shkencorë Akademia e Shkencave mund ta bëjë në ëndrra”, tha studiuesi.
Mbyllja e ASA-s sjell gjithashtu ndërprerjen e marrëveshjeve me rëndësi ndërkombëtare.“Mos harroni se kemi mbi 60 projekte ndërkombëtare, të cilat natyrisht do të ndërpriten. Kemi 32 kërkime arkeologjike në bashkëpunim me të huaj, të cilat natyrisht do të ndërpriten sepse këtu kemi të bëjmë me një situatë totalisht tjetër ku vetë Akademia e Studimeve Albanologjike nuk do të jetë më e tillë, dhe nuk do të ketë më njeri që ta bëjë shkencën albanologjike. Kjo besoj është një përgjegjësi e madhe për intelektualët e Shqipërisë. Ata duhet ta kuptojnë qartazi se çfarë po bëhet në Shqipëri, diçka e tillë nuk mund të bëhet veç për kënaqësinë e Ministrisë së Arsimit”, u shpreh më tej Përzhita.
Projektvendimi, në zbatimin e të cilit është e përfshirë edhe Ministria e Arsimit do të bllokonte të vetmen derë që përgatit albanologët e ardhshëm. Do të ndërpritej karriera e afro 100 studiuesve. Ligji nr.53 i Akademisë së Shkencave mbi të cilin bazohet ky vendim nuk parashikon një procedurë punësimi apo vijimësie karriere për ta.“Të gjithë të rinjtë që kemi ne që janë të shkolluar në universitetet perëndimore tani do tu ndërpritet karriera, sepse nga një institucion i arsimit të lartë ata kthehen në një institucion kërkimor që nuk ka asnjë ‘background’ mësimdhënie”, tha rektori i ASA-s.
ASA u riorganizua si institucion kërkimor-shkencor në 2008-ën dhe ka statusin e një qendre ndëruniversitare.
Gazeta Shqiptarja.com