Shkunden xhepat e shqiptarëve: Nafta po shkon 270 lekë për litër, euro rritet në 127 lekë, bileta e autobusit drejt dyfishimit
Shkunden xhepat e shqiptarëve: Nafta po shkon 270 lekë për litër, euro rritet në 127 lekë, bileta e autobusit drejt dyfishimit
8 MARS 2022
Lajmi më i fundit që qarkullon në rrjetet sociale është se çmimi i naftës në Shqipëri kapi vlerën 260 lekë për litër dhe po i afrohet 270 lekë për litër. Kjo është rritja e tretë e çmimit të naftës, pasi dy ditë më parë shkoi në 230 lekë për litër. Kjo lëvizje e pandalshme i faturohet kështu luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës që po jep pasojat e saj.
Rritja e çmimit të naftës ka ndikuar që artikuj të tjerë ushqimorë të rriten. Buka e përditëshme e shqiptarëve është rritur nga 100 lekë në 120 lekë. Efektet e rritjes të naftës pritet të kenë edhe më tepër ndikim për xhepat e shqiptarëve. Shoqata e transportit urban paralajmëroi rritjen e çmimit të biletës në 80 lekë, dyfishin e çmimit aktual. Ndërsa rritje të biletës pritet të pësojnë edhe linjat interurbane dhe shenjat e para janë dhënë pasi bileta e udhëtimit nga Tirana në Fier kushton 100 lekëmë shtrenjtë.
Përballë kësaj situate, shqiptarët po përballen edhe me zhvlerësimin e lekut përballë valutës së huaj. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye me 127.08 lekë, në rritje me 2.5 pikë krahasuar me ditën e hënë. Në harkun e një javë, sipas Monitor, euro është mbiçmuar me 4.7% ndaj lekut dhe ka shënuar një rekord të ri për dy vitet e fundit. Tendenca e forcimit të euros është e ngjashme me atë që u shënua në fund të marsit 2020. Në atë rast faktori që nxiti zhvlerësimin e monedhës vendase kishte qenë pandemia, ndërsa në këtë rast shtysa ka qenë lufta në Ukrainë dhe pasojat e rënda që ajo po sjell në tregjet e lëndëve të para.
Shkunden xhepat e shqiptarëve: Nafta po shkon 270 lekë për
Shtrenjtimi i naftës, energjisë dhe produkteve ushqimore po ndjehet edhe në Shqipëri, i përkthyer në shtrenjtim të importit të tyre, por edhe një lloj nxitimi për të krijuar rezerva, duke marrë në konsideratë periudhën e trazuar ku ndodhen tregjet dhe pritshmëritë pesimiste për të ardhmen. Ekspertët mendojnë se tregu i këmbimeve valutore është përfshirë tashmë edhe nga një lloj paniku, që po nxit më tej kërkesën për të blerë euro, pikërisht për shkak të forcimit të shpejtë të valutës europiane.
“Një mbiçmim i shpejtë i euros përfaqëson një faktor shtesë rreziku në raport me inflacionin në rritje që po godet ekonominë. Duke qenë se Shqipëria i importon shumicën e mallrave të konsumit dhe duke qenë se euro është monedha kryesore në të cilën blihen këto mallra, një nënçmim i lekut kundrejt saj do të prodhojë një efekt inflacionist shtesë në ekonomi”, shkruan Monitor.
Gazeta Shqip