Shoqërimi me dhunë i gazetarëve në protestë/ Reagon ambasadorja suedeze: Jemi të shqetësuar kur mësojmë se…
14 dhjetor 2020
Në protestat e fundit për vrasjen e Klodian Rashës u ndaluan edhe gazetarë, të cilët akuzuan uniformat blu se i shoqëruan me dhunë ndërkohë që raportonin.
Një reagim lidhur me këtë çështje ka ardhur sot nga ambasadorja e Suedisë në Shqipëri, e cila në një deklaratë të shkurtër në “Twitter” shprehet e shqetësuar për ndalimet e gazetarëve Xhoi Malësia dhe Qamil Xhani.
“Suedia qëndron me të drejtën e çdo gazetari për të bërë punën e tij të lirë nga dhuna dhe ngacmimi, çdo ditë të vitit! Ne jemi të shqetësuar kur mësojmë se Xhoi Malesia & Qamil Xhani u ndaluan të raportonin ndërsa mbulonin protestën”, shprehet ambasadorja Elsa Håstad.
Gazetari i “Ora News” Xhoi Malësia u shoqërua në Komisariat vetëm se po filmonte në vendin e ngjarjes, ndonëse u kishte paraqitur efektivëve dokumentin që vërtetonte se ishte gazetar. Po ashtu u shoqërua forcërisht edhe kryeredaktori i gazetës “Koha Jonë” Qamil Xhani, ndërsa ndodhej para redaksisë dhe në dorë mbante vetëm telefonin e tij. Lidhur me dy rastet e lartpërmendura të shoqërimit të gazetarëve pati një reagim edhe nga presidenti Ilir Meta.
Gazeta Panorama