Shou i Veres: – Kuvendi mblidhet për mandatin e Xhaçkës
27 Gusht 2024
Kuvendi do të mblidhet jashtë sesionit parlamentar për të shqyrtuar sot në Këshillin e Legjislacionit mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Vendimi u mor sot nga kryetarja e parlamentit Elisa Spiropali pas kërkesave të opozitës.
Në mbledhjen e thirrur nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali do të shqyrtohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e urdhëroi Kuvendin, t’i dërgojë kësaj gjykate mandatin e Olta Xhaçkës për të vendosur nëse është në konflikt interesi apo jo.
Thirrja e Këshillit të Legjislacionit pa përfunduar ende pushimet e verës për deputetët jashtë sesioni u bë pas kërkesës së grupit parlamentar të partisë Demokratike.
Mandati i Olta Xhaçkës duhet të shqyrtohet pa vonesa në Gjykatën Kushtetuese dhe deputetët janë të detyruar ta dërgojnë atë sa më shpejt, tha Gjykata Kushtetuese në vendimin e marrë më 10 korrik 2024. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ia bëri të qartë Kuvendit se nuk mund kurrsesi të vërë në diskutim fuqinë detyruese të vendimeve të saj.
Çështja “Xhaçka” është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita e cila pretendon se deputetes socialiste duhet t’i hiqet mandati me argumentin e konfliktit të interesit, për shkak të statusit të investitorit që ka bashkëshorti i saj. Vetë socialistët kanë vendosur që t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një mendim përfundimtar për të zgjidhur ngërçin, siç e cilëson ajo, për çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka.