Shpallet gjendja e emergjencës në furnizimin me energji: KESH, OST dhe OSHEE pezullojnë investimet. Zgjat deri në prill 2020

8 TETOR 2021

Është publikuar në faqen zyrtare të kryeministrisë, vendimi i qeverisë për shpalljen e gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike. Mësohet se edhe kjo krizë do të drejtohet nga zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.

Sipas vendimit, shoqëritë “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., të pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë.

Gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike i shtrin efektet deri më 15 prill 2022.

Gjatë një konference, kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria ka hartuar një plan që iu vjen në ndihmë familjeve në nevojë dhe biznesit të vogël.

V E N D I M PËR SHPALLJEN E GJENDJES SË EMERGJENCËS NË FURNIZIMIN ME ENERGJI ELEKTRIKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “ç”, të pikës 1, të nenit 90, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Shpalljen e gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike.
  2. Ngritjen e grupit ndërinstitucional për menaxhimin e emergjencës në furnizimin me energji elektrike, që drejtohet nga Zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, ministrin e Financave dhe Ekonomisë dhe çdo përfaqësues nga institucione të tjera, që vlerësohen të nevojshëm nga Zëvendëskryeministri.
  3. Shoqëritë “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., të pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë. Këto shoqëri të koordinojnë ushtrimin e aktivitetit, në përputhje me udhëzimet e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim garantimin e pandërprerë të energjisë elektrike.
  4. Ngarkohet ministri i Financave dhe Ekonomisë që të sigurojë mekanizmat e duhur financiarë, me qëllim mundësimin e importit të energjisë për sigurimin e furnizimit të pandërprerë të energjisë elektrike.
  5. Gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike i shtrin efektet deri më 15 prill 2022.
  6. Ngarkohen Zëvendëskryeministri, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, ministri i Financave dhe Ekonomisë, “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Nga Gazeta Shqip