Shpallja e kandidatures se Gjergj Bojaxhiu për Bashkinë e Tiranës
Tre vjet më parë, bashkë me një grup alpinistësh ngritëm flamurin shqiptar në pikën më të lartë të botës. Atje në majë të Everestit, kuptova se çdo sfidë është e përballueshme, çdo vështirësi është e tejkalueshme, kur njerëzit gjejnë brenda vetes vendosmërinë dhe kurajon.
Me kete kurajo e vendosmëri jemi sot para jush për të nisur një sfidë të vështirë: kthimin e Tiranës tek qytetarët.
Optimizmi dhe entuziazmi ynë është më i madh se vështirësia e kësaj sfide. Sepse ne dimë një gjë shumë të rëndësishme.
Dimë që ne, të zhgënjyerit nga partitë dhe bizneset e tyre, jemi shumë më tepër se ata që përfitojnë nga to. NE, që nuk gjejmë në Tiranë siguri, qetësi, ajër të pastër, rruge të lira, shkolla pa turne, jemi shumë më tepër se ata që votojnë symbyllur partitë e vjetra të tranzicionit.
NE jemi shumica, ndaj ju ftojmë të gjithëve ta bashkojmë këtë shumicë për ta rimarrë qytetin në duart tona.
NE TIRANA, ne shumica, do ta bëjmë këtë qytet më të gjelbër për fëmijët, më të hapur për këmbësorët, më tërheqës për sipërmarrësit, më motivues për nxënësit, më të jetueshëm për banorët dhe më dinjitoz për të gjithë.