Shpella eremite e Koshorishtit me afreska te nje familje aristokrate vendase. –
Nga: Avni Alcani. –
Në trevat e Librazhdit të sotëm ndodhen disa shpella të banuara, të quajtura shpella eremite, ose shpella kisha, si në fshatrat Koshorisht, Skroskë dhe Urakë, të cilat kanë në muret e tyre shkëmbore piktura murale me tematikë biblike. Në njërën prej këtyre shpellave, dhe pikërisht në atë të fshatit Koshorisht, ndodhet një nga pikturat më të mëdha shpellore në Shqipëri. Piktura e shpellës eremite të Koshorishtit ka disa skena, të cilat mbartin vlera të rëndësishme kulturore dhe historike. Krahas skenave biblike janë pikturuar edhe tetë figura njerëzore, që mendohet se i përkasin familjes së njohur të aristokracisë shqiptare, asaj të Aranitëve.
Fig 1. Pamje e plotë e pikturës së shpellës
Fig. 2 Krishti Pandokrator
Fig. 3: Shën Mëria dhe Emanueli. Foto e vitit 1965 e Th. Popës.
Fig, 5. Ndërhyrjet brutale në pikturën e shpellës së Koshorishtit, duke shkatërruar figurat e familjes së klitonit, që mendohet se janë të Familjes Princërore të Aranitëve
Para se të flasim për shpellën eremite, për pikturën dhe vlerat e saj, na duhet që të themi dy fjalë për eremitët, kush ishin, çfarë përfaqësonin dhe cila ishte jeta që ata bënin.
Kush ishin eremitët?
Në fillimet e kristianizmit, disa burra dhe gra, të cilët e kishin përcaktuar veten e tyre si ndjekës të Krishtit, praktikonin këshillat ungjillore dhe kishin vendosur ti kushtoheshin jetës së Krishtit, duke e imituar atë. Ata bërin një jetë vetmitare kushtuar Perëndisë, por secili në mënyrën e vet. Shumë prej tyre, nën frymëzimin e Frymës së Shenjtë, u bë eremitë.
Termi eremit (shqip: vetmitar) është thënë fillimisht për një murg të krishterë, që jetonte i vetmuar, i ndikuar nga bindjet e tij fetare. Fjala eremit vjen nga fjala greke (erimitis), që fjalë për fjalë do të thotë e shkretëtirës, duke nënkuptuar shkretëtirën, pra një vend të pabanuar, të vetmuar. Termi vetmitar është përdorur jo vetëm për çdo të krishterë që bënte një jetë të izoluar, por edhe për çdo besimtar të feve të tjera, si, p. sh., të Budizmit, Hinduizmit, Islamit (Sufizmi) etj. Në përdorimin modern bisedor, fjala vetmitar tregon për një njeri që jeton larg nga pjesa tjetër e shoqërisë.
Eremitët e krishterë kanë jetuar në vende të izoluara, në shpella natyrore, ose në banesa të vetmuara, që ishin të vendosura në shkretëtirë, në faqe mali, apo në pyll. Ata ishin të fshehur nga sytë e njerëzve dhe bënin një predikimi të heshtur ndaj Zotit, të cilit eremiti i kishte dorëzuar jetën e tij. Me dëshirën e tij eremiti hiqte dorë nga shqetësimet dhe kënaqësitë e kësaj bote. Më të shumtën e herës ata e kalonin kohën me lutje të vetmuar dhe me punë. Eremitët ishin të kërkuar për këshilla shpirtërore dhe për mbrojtje. Disa prej tyre patën shumë dishepuj (pasues). Në Kishën Lindore eremitë bënin një jetë jo vetëm me lutje, por edhe me shërbime ndaj komunitetit të tyre. Eremiti ishte një vetmitar në dispozicion të të gjithë atyre që kishin nevojë për të.
Burime historike, por edhe gjurmë të vendbanimeve të ndryshme në Shqipëri, dëshmojnë se edhe në trojet shqiptare ka pasur një traditë të jetës eremite. Shpellat eremite, apo shpellat kisha, siç i quante populli, janë dëshmi që vërtetojnë se edhe në këto trevat kanë jetuar dhe kanë zhvilluar aktivitetin e tyre fetar eremitët e krishterë.Nuk dihet mirë se kur kanë mbërritur në vendin tonë eremitët e parë të krishterë, por studiuesi Neritan Ceka, në librin e tij Iirët (Tiranë 2000), shkruan se disa murgj të persekutuar, gjatë periudhës së sundimit të perandorit bizantin Kostandini V, u vendosën në trevat e shqiptare. Qëndrimi liberal i kishës së Dyrrahut, – shkruan Ceka, – bëri që të vendoseshin murgjit ikonodule trakas të persekutuar në kohën e perandorit Kostandini V. Ata zgjodhën për të banuar shpellat në Letëm të Librazhdit, duke lënë edhe gjurmë nderimi për shenjtorët në afresket e pikturuara në faqet e shpellave(Ceka, 2000). Pikërisht për këtë shpellë eremite të Koshorishtit bën fjalë edhe shkrimi ynë.
Shpella eremite e Koshorishtit
Shpella eremite Koshorishtit është shpella më e madhe dhe, për mendimin tonë, më e rëndësishme në Shqipëri. Ajo gjendet në fshatin Koshorit të krahinës së Çermenikës dhe është quajtur ndryshe Shpella e kishës. Fshati Koshorisht është i përmendur si një vendbanim që në shek.e 15-të. Ai figuron në një regjistër kadastral osman të vitit 1467, me emrin Kosharishtë. Duke qenë se shpella ndodhet në faqen e Malit të Letmit, ajo njihet në literaturën shkencore si Shpella e Letmit. Por shpella ndodhet në teritorin e fshatit Koshorisht, ndaj ne kemi preferuar që ta quajmë Shpella e Koshorishtit. Në vitin 1971 Shpella e Letmit (Koshorishtit) është shpallur Monument Kulture e Kategorisë së Parë.
Shpella e Koshorishtit, për vlerat e saj historike e kulturore që mbart, ka qenë objekt studimi dhe hulumtimi i disa prej studiuesve shqiptarë më të njohur, si Prof. Theofan Popa, Prof. Dr. Akademik Andromaqi Gjergji, Prof. Dr. Dhorka Dhamo etj. Studiuesi Th. Popa i ka kushtuar një kapitull të veçantë Shpellës eremite të Koshorishtit, në studimin e tij: Piktura e shpellave eremite në Shqipëri (Shpella eremite mbi shkambin e Letmit, Rev. St. historike/3,1965).
Në vitin 1982, gjatë një ekspedite etnografike në disa fshatra të krahinës së Çermenikës, për mbledhjen e të dhënave mbi veshjet popullore të krahinës, u krye edhe një eksplorim në Shpellën e Koshorishtit, me qëllimi për të parë dhe hulumtuar një nga monumentet më të rëndësishme kulturore të krahinës, si dhe për tu njohur me vlerat e saj, siç ishin veshjet e disa prej figurave njerëzore të pikturuara në këtë shpellë. Ekspedita ishte e organizuar nga Instituti i Kulturës Popullore dhe Muzeu Historik i rrethit të Librazhdit dhe e drejtuar nga etnologut i mirënjohur, Prof. Dr. Akademik Mark Tirta.
Pamje e Malit të Letmit dhe e hyrjes së shpellës
Shpella ndodhet mbi një shkëmb të thepisur, në faqen jugore të Malit të Letmit, në një lartësi prej 300 m (Fig. 4) dhe në një pozicion shumë të vështirë për tu ngjitur. Ajo ka formën e një zgavre natyrore rrethore dhe thellësia e saj është rreth 8 m. Në hyrje të saj shpella ka një gjërësi rreth 15 m dhe më tej ajo vjen duke u ngushtuar,duke formuar një ambient si dhomë me dimensionet 7 x 5 m. Në hyrje të shpellës dallohen disa fragmente muresh guri të lidhura me gëlqere, që dëshmojnë se shpella duhet të ketë qenë e mbyllur me mur. Gjithashtu, në rrëzë të tavanit, duken disa gjurmë të gdhendura në shkëmb, që kanë shërbyer për të vendosur trarë. Studiuesi Theofan Popa ka mendimin seshpella duhet të ketë pasë qenë shtrue me dërrasa… (Popa, 1965). Për mendimin tonë, trarët dhe dërrasat duhet ti kenë shërbyer piktorit të shpellës si skelë gjatë pikturimit.Tavani i shpellës është i suvatuar me llaç e mbi të janë pikturuar, në formë kompozimi me rrathë, dy skena në formë medalioni dhe ngjitur me to familja e ktitorit në miniaturë (Fig. 1).
Krishti Pandokrator
Njëra nga skenat paraqet figurën e Shën Mërisë (Fig. 3) me Emanuelin (Krishtin fëmijë), kurse skena tjetër ka të pikturuar figurën e Krishtit Pandokrator (Fig. 2).Th. Popa në studimin e tij i ka bërë njëanalizë dhe njëpërshkrim shumë të detajuar pikturave të shpellës.Pandokratorii pikturuem mbi gjoks e sipër, – shkruan ai në studimin e tij, – përfshihet brenda nji medalioni e paraqitet në qëndrim frontal, tue bekue me të djathtën dhe tue mbajtë ungjillin me të majtën, veshun me mafor blu dhe himation të kuq, me brerore të madhe ari të kryqëzueme me vizat që formojnë kryqin, të hapta pak aty ku bashkohen me vizën rrethuese të brerores. Koka e Pandokratorit vjen pak në madhësi mbinatyrore, me flokë të mbështjellun e të përdredhun, lëshue nga mbrapa, me sy të mëdhenj e vetulla të nalta, me hundë të drejtë, me mustaqe e mjekër të vogël. Pjesët e fytyrës janë ndriçue në mënyrë të njinjishme. Duerët vijnë tepër të mëdha në përpjestim me fëtyrën (Popa, 1965).
Një përshkrim të hollësishëm i bën Prof. Popa edhe figurave të Shën Mërisë dhe Emanuelit. Shën Mëria, – shkruan ai, – paraqitet e tipit Oranta, me duer të hapta në qëndrim lutjeje deri në brez, nën maforin rreth kokës me nji napë blu të çelët. Fytyra e saj paraqitet në formë vezake me vetulla të trasha, të nalta, me sy të mëdhenj por çakërr, me hundë të drejtë dhe të prefët, me vizën rrethese të fytyrës të errët, që shtrihet si sfumaturë rreth qendrës së saj. Pjesët e fytyrës ndriçohen në mënyrë të njinjishme dhe duert i ka ma të vogla në përpjestim me fytyrën. Emanuelin e ka në krahnor, të përfshimë brenda nji medalioni, veshun me stihar të badhë me pika ngjyrë tjegulle, me brerore të kryqëzueme, tue bekue me të djathtën e me ilitarion në të majtën.(Popa, 1965).
Nën krahun e djathtë të Shën Mërisë janë pikturuar shtatë figura njerëzore në miniaturë dhe nën krahun e majtë të saj edhe një figurëe tetë (Fig. 5). Të gjitha figurat janë me duar të ngritura lart, në qëndrim lutjeje.Tre figurat e para janë femra, ndërsa pesë të tjerët janë meshkuj. Nga meshkujt, i pari që vjen mbas grave, mban në dorë maketin e kishës. Th. Popa ka mendimin në këtë pikturë paraqitet figura klitori i pikturës së shpellës dhe e familjes së tij.Personat e tjerë pas klitorit, – shkruan Popa, – ka të ngjamë të jenë e shoqja dhe të bijat, kurse ata përpara djemtë(Popa, 1965).
Një vend të veçantë zë në pikturën e shpellës eremite të Koshorishtit edhe një mbishkrim, i cili ndodhet ndërmjet fytyrës dhe krahut të djathtë të Shën Mërisë. Mbishkrimi është në greqishten bizantine. Th. Popa ka bërë edhe transliterimin, transkriptimin dhe përkthimin e këtij mbishkrimi, i cili është:
Përkthimi:U pikturue (ky) tempull hyjnor i së mbishenjtës Hyjëlindëse me dorën teme të Stanos.
Nga ky përkthim del se piktura i kushtohej Shën Mërisë dhe se autor i saj ishte piktori Stano. Rezulton pra, – shkruan Th. Popa, – që parklisi i asht kushtue Shën Mërisë, dhe së dyti që piktori i pikturës ka pas qenë nji farë Stano (Popa, 1965).
Shën Mëria dhe Emanueli. Foto e vitit 1965 e Th. Popës
Në çvit ishte krijuar piktura në shpellën e Koshorishtit? Duke u nisur nga disa elemente të pikturës, siç janë stili i pikturimit, linjat arkaike të vizatimit, thjeshtësia e disa prej tipareve të figurave biblike etj., Th. Popa ka shprehur mendimin se këto elemente dëshmojnëpër nji pikturë mjaft të lashtë, për nji pikturë ndofta të periudhës së dinastisë së Makedonëve e të Komnenëve, e cila fillon mbas fitores mbi ikonoklastët (gjysma e dytë e shek.IX) dhe shkon deri në të XII shekull(Popa, 1965). Popa është i mendimit se piktura është krijuar para shekullit të12-të. Simbas tipareve që ka, – shkruan ai, – ne mendojmë se piktura e Shpellës së Letmit duhet të konsiderohet si e shek. XI-të, ndofta e nji periode ma të herët (Popa, 1965), duke lënë të kuptohet se ajo është një nga pikturat më të vjetra në Shqipëri.
Kujt familje i përket piktura në shpellën eremite të Koshorishtit?
Një aspekt i rëndësishëm në pikturën e shpellës së Koshorishtit janë 8 figurat njerëzore, që studiuesi Th. Popa është i mendimit se janë figura e kritorit (dhuruesit) dhe e familjes së tij. Kujt u përkasin këto figura dhe kujt i kushtohet piktura e Shpellës së Koshorishtit? Prof. Theofan Popa, gjatë analizës që i bën pikturës së shpellës së Koshorishtit, nuk jep asnjë të dhënë se kush janë figurat njerëzore. Ai nuk i identifikon ata, përveçse jep një opinion të shkurtër, se klitori duhet të ketë pas qenë ndonjë përfaqësues së shtresës së pasun vendase të asaj kohe. (Popa, 1965). Por, sipas studiuesve, duhet të ketë qenë një familje aristokrate vendase. Lind pyetja: Kush ishte familja aristokrate në pikturën e shpellës së Koshorishtit?
Thamë më sipër se piktura ishte e shek. të 12-të. Prof. Dr. Ak. Dh. S. Shuteriqit, një nga studiuesit e njohur shqiptar që është marrë gjërësisht me origjinën e familjes së Aranitëve, shkruan se Familja Princërore e Aranitëve gjatë mesjetës së mesme (shek. XI-XV) kishte në zotërim krahinën e Çermenikës. Në tre nga studimet e tij më të spikatura për aranitët, si: Aranitët-Emri dhe gjenealogjia (1965), Aranitët-Zotërimet (1967) dhe Aranitia në vitin 1467 (1981), Dhimitër S. Shuteriqi, kishte dëshmuar me fakte të dokumentuara që krahina ku shtriheshin zotërimet e Aranitëve quhej Aranitia dhe se Aranitët kishin që nga viti 1001 që përmenden në historinë e Shqipërisë. Domenat e Aranitëve, shkruan Shuteriqi, shtriheshin në Shqipërinë e Mesme dhe se e ata e kishin qendrën e tyre në trevat e Librazhdit të sotëm (Shuteriqi, 1981).Ska asnjë dyshim,- shkruan ai, – se … me emrin e Aranitisë kuptoheshin domenat e Aranitëve në viset e Librazhdit të sotëm(Shuteriqi, 1965). Në tekstin e Historisë së Shqipërisë (Tiranë 2002), shkruhet se një nga emrat e familjes së aranitëve ishte Çermenika.
Si përfundim mund të themi se figurat në pikturën e shpellës së Koshorishtit, që Prof. Popa shkruante se ishin një familje e pasun vendase (Popa, 1965), nuk ishin tjetër veçse pjesëtarë të familjes Aranitase, sundimtarëve vendas të krahinës së Çermenikës.